NGA ERMELINDA HOXHAJ
Ndotja e ajrit në vendin tonë i tejkalon disa herë normat e Bashkimit Europian. Ndotje alarmante kanë tri qytete, Tirana, Elbasani dhe Fieri. Për të reduktuar nivelin e ndotjes në këto rajone dhe për ta mbajtur brenda normave ndotjen në ato qytete ku niveli është i ulët, kanë nisur diskutimet për Planin Kombëtar të Cilësisë së Ajrit në Shqipëri.

Ky dokument strategjik mendohet të jetë binari ku do ecin të gjitha institucionet që menaxhojnë cilësinë e ajrit, për të siguruar që cilësia e ajrit në zonat problematike të arrijë normat e lejuara të Bashkimit Europian. Sa i përket kostos së këtij plani, është vlerësuar të jetë 318 milionë euro, e ndarë sipas sektorëve përkatës: ulja e ndotjes nga automjetet; reduktimi i shkarkimeve në ajër nga instalimet industriale; reduktimi i ndotjes nga sektori i ndërtimit dhe zhvillimit urban si dhe sektori i bujqësisë.

Ndotja & drafti
Në një takim me ekspertë, projekti i financuar nga BE-ja “IBECA” dhe specialistë nga Ministria e Mjedisit prezantuan dhe diskutuan një draft të planit kombëtar për cilësinë e ajrit. Ky është plani i parë kombëtar për menaxhimin e cilësisë së ajrit i cili është i bazuar në legjislacionin e BE-së.

Paolo Bacca, drejtues i projektit për Forcimin Institucional për Zbatimin e Legjislacionit të Mjedisit dhe Klimës – “IBECA”, tha se “ky është një hap përpara në lidhje me implementimin e legjislacionit mbi menaxhimin e cilësisë së ajrit” dhe që ndjek hapa të mëparshëm për transpozimin e direktivave të BE-së mbi ajrin e pastër dhe uljen e metaleve të rënda në mjedis.

Menaxheri i sektorit të Mjedisit dhe Energjisë pranë Delegacionit të BE-së, Antoine Avignon tha se: “Ndotja e ajrit është prezente, ndaj ne duhet të ndërmarrim hapa për ta përmirësuar atë. Duke adoptuar këtë plan, qeveria bie dakord që në mënyrë aktive të reduktojë ndotësit të cilët dalin nga makinat, bizneset dhe ndërtimi”. Ai përmendi se tani ekspertët e kanë bërë nisjen e punës, dhe u mbetet ligjvënësve dhe qeverisë për ta bërë këtë plan që të funksionojë për qytetarët shqiptarë.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri bëri një prezantim mbështetur në të dhënat që Shqipëria raporton si palë tek Agjencia Botërore e Shëndetit. Monitorimi i cilësisë së ajrit është një komponent kryesor për çdo qasje efektive për menaxhimin e cilësisë së ajrit, sepse jep evidencë për vendimmarrësit për menaxhimin dhe përmirësimin e mjedisit tonë. Gjatë fjalës së tij, Beqiri shprehu në mënyrë të përsëritur se: “Nevoja për të pasur më shumë stacione monitorimi është domosdoshmëri.

Veçanërisht në qytetet që shfaqin norma të tejkaluara, si Tirana, Fieri dhe Elbasani, me qëllim sigurimin e të dhënave cilësore për cilësinë e ajrit”. Sipas kreut të AKM-së, në kryeqytet operon vetëm një stacion. Diskutimet vijojnë nga ekspertë të cilësisë së ajrit, të cilët prezantuan fushat kryesore ku autoritetet shqiptare duhet të fokusohen për të përmirësuar dhe mbrojtur standardet e cilësisë së ajrit.

Ata prekën mbështetjen financiare që nevojitet për të zbatuar planin e ri si dhe shpjeguan cilat institucione dhe autoritete duhet të përfshihen. Pasi, nga vlerësimi që është bërë, kostot kapin shifrën e 318 milionë eurove. Ndaj, në këtë prezantim vëmendje të veçantë mori edhe prezantimi i kostove të nevojshme dhe shpërndarja e shpenzimeve, si dhe analizimi i burimeve të mundshme financiare që duhen gjetur nga qeveria shqiptare për financimin dhe hapat që duhen ndërmarrë për realizimin e këtij plani.

Procesi i miratimit do të vazhdojë për disa muaj, pas konsultave, dëgjesave publike si dhe amendimeve të Ministrive të Linjës. Ky plan kombëtar pritet të hyjë në fuqi brenda vitit 2017. Vendet kandidate për anëtarësimin në BE, siç është Shqipëria, kanë disa kushte që duhet t’i plotësojnë, ku përfshihet edhe çështja e mjedisit, ndaj asistenca e BE-së është zgjeruar edhe në fushën e legjislacionit të mjedisit.

(Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: