Sapo kisha përfunduar punën trevjeçare për hartimin e librit “Bashkëpunëtori i Drejtësisë”, konstatoj se, ndërkohë që plani dhe afati i prezantuar i konsultimit publik për projektin e Kodit të ri Penal kishte përfunduar, Ministria e Drejtësisë kishte ndërmarrë një iniciativë për realizimin e ndryshimeve ligjore të njëzetepesta në radhë në Kodit Penal. Në faqen elektronike zyrtare të Kuvendit konstatova se më datë 11.12.2025 ishte depozituar nisma ligjore e Këshillit të Ministrave për të ndryshuar dhe shtuar norma në Kodin Penal. Kjo nisëm shoqërohej ndër të tjera me relacionin respektiv, të hartuar nga Këshilli i Ministrave, me tekstin e projektligjit të propozuar, me raportin e konsultimit publik elektronik të hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe me shtatë dokumente në formë tabelare, në të cilat pasqyrohen gjetjet e përputhjes së parashikimeve ligjore penale materiale apo procedurale me të drejtën relevante të Bashkimit Europian, konkretisht në fushën e pastrimit të produkteve të veprës penale, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, në fushën e abuzimit seksual me fëmijët, në fushën e narkotikëve dhe në fushën e luftës kundër terrorizmit.

Nga robëria intelektuale trevjeçare e hartimit të librit “Bashkëpunëtori i Drejtësisë”, tashmë, edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, nxitem të kontrolloj gjithçka ndodh me nismat ligjore që afektojnë institutin juridik të bashkëpunimit me drejtësinë. Konstatoj se në këtë propozim ligjor të Dhjetorit të vitit 2025 ka dy norma që prekin rregullimet relevante ligjore të bashkëpunimit me drejtësinë në Kodin Penal.

Pas konsultimit me këto materiale legjislative, konstatova se neni 4 i projektligjit propozon shfuqizimin e pikës 7 të nenit 28 të Kodit Penal. Kjo pjesë e dispozitës rezulton të jetë në fuqi dhe e paprekur që nga ndryshimet ligjore të vitit 2004, që do të thotë për 22 vjet me radhë dhe parashikon se pjesëtari i organizatës kriminale, organizatës terroriste, bandës së armatosur ose i grupit të strukturuar kriminal, përfiton përjashtimin nga dënimi ose uljen e tij, kur jep ndihmesë, që gjykohet vendimtare për njohjen e veprimtarisë së tyre, të bashkëpunëtorëve të tjerë, pasurive të zotëruara drejtpërdrejt ose jo prej tyre, si dhe për veprimtaritë hetimore, që zhvillohen ndaj organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura dhe grupeve të strukturuara kriminale

Nga ana tjetër, konstatova se ndërhyhej edhe në nenin 52/a të Kodit Penal, konkretisht një nga tre dispozitat e këtij Kodi që rregullojnë statusin material të bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ky lajm më befasoi për mirë, pasi, me gjithë problematikat juridike kushtetuese, ndërkombëtare dhe ligjore që kam konstatuar për këtë normë ndër vite, morra dijeni se, pas vitit 2013, kjo dispozitë e Kodit Penal ka rizgjuar sërish vëmendjen e shtetit. Sot ajo ka tre paragrafë dhe ka këtë formulim:

“Personi, që ka premtuar ose ka dhënë shpërblim ose përfitime të tjera, sipas neneve 164/a, 244, 244/a, 245, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c dhe 328 të këtij Kodi mund të përfitojë përjashtim nga vuajtja e dënimit ose ulje të tij, nëse bën kallëzim dhe jep ndihmesë në procedimin penal të këtyre veprave. Në dhënien e vendimit, gjykata mban parasysh edhe kohën kur është bërë kallëzimi, ardhjen ose jo të pasojave të veprës.

Personi i dëmtuar nga veprat penale, që lidhen me trafikimin e personit, mund të përfitojë përjashtimin nga dënimi, për kryerjen e veprave penale gjatë periudhës së trafikimit dhe në masën që ka qenë i detyruar t’i kryejë ato veprime apo mosveprime të kundërligjshme.

Personi që ka kryer njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e narkotikëve, armëve apo municioneve, trafikimin e personave ose për vepra penale të kryera nga organizata kriminale, që bashkëpunon dhe ndihmon organet e ndjekjes penale në luftën kundër tyre ose, sipas rastit, në zbulimin e personave të tjerë, që kryejnë krime të tilla, nuk mund të dënohet më tepër se gjysma e dënimit të parashikuar për veprën e kryer prej tij. Në raste të veçanta, kur konkurrojnë edhe rrethana lehtësuese në favor të tij, ky person mund të përjashtohet nga dënimi”.

Por kjo dritë shprese u shuajt pa lindur mirë. Asgjë nuk ndryshon në paragrafin e parë të tij. Kështu konstatova se neni 22 i Konventës Penale për Korrupsionin i Këshillit të Europës dhe neni 37 i Konventës kundër Korrupsionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara vijon të mos ngacmojë vëmendjen e askujt në Ministrinë e Drejtësisë apo në Këshillin e Ministrave. Më tej konstatova se propozimi i bërë prek paragrafin e tretë të kësaj dispozite dhe shton një paragraf të katërt në të. Kështu, nëse neni 7 i projektligjit të Dhjetorit të vitit 2025 arrin të shndërrohet realitet ligjor në Kuvend, neni 52/a i Kodit Penal në paragrafin e tretë dhe të katërt do të formulohet si vijon: “Personi që ka kryer njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e narkotikëve, armëve apo municioneve, trafikimin e personave ose për vepra penale të kryera nga organizata kriminale që heq dorë nga veprimtaria kriminale, që bashkëpunon dhe ndihmon organet e ndjekjes penale në luftën kundër tyre u siguron autoriteteve administrative ose gjyqësore informacione të cilat përndryshe ata nuk do të kishin qenë në gjendje t’i siguronin ose, sipas rastit, në zbulimin e personave të tjerë, që kryejnë krime të tilla, nuk mund të dënohet më tepër se gjysma e dënimit të parashikuar për veprën e kryer prej tij. Në raste të veçanta, kur konkurrojnë edhe rrethana lehtësuese në favor të tij, ky person mund të përjashtohet nga dënimi përveç personit që ka kryer njërën nga veprat penale që kanë lidhje me trafikun e lëndëve narkotike dhe psikotrope.

Fëmija i mitur i dëmtuar nga veprat penale, që kanë lidhje me shfaqjet pornografike me fëmijë, pornografinë e fëmijëve dhe prostitucionin e fëmijëve, përjashtohet nga dënimi”.

Jo pa qëllim i kam bërë më lart të dallueshme përmes ndryshimit të modelit të shkrimit dhe njëkohësisht edhe nënvizimit pjesët e ndryshuara nga propozimi i Dhjetorit të vitit 2025 të Këshillit të Ministrave, duke dashur kështu të kuptohen ndërhyrjet në raport me tekstin që është në fuqi ndërkohë në këtë dispozitë të Kodit Penal. Nga kjo që pash kuptova se risia e vërtetë e këtij projektligji qëndron tek përjashtimi i vendosur në fjalinë e dytë të paragrafit të tretë të nenit 52/ a të Kodit Penal dhe jo tek pjesa tjetër e ndryshimeve të këtij paragrafi. Kështu dy pjesët e nënrenditura në fjalinë e parë të këtij paragrafi, përveç se e shtojnë atë pa logjikë gjuhësore në kuptimin e drejtshkrimit dhe leksikut, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse riperifrazojnë rregulla që sot i ka Kodi Penal, konkretisht në pikën 7 të nenit 28, në paragrafin e parë dhe të tretë të nenit 52/a dhe në nenin 52/b dhe gjithashtu i ka, sikur të mos mjaftonin këto parashikime të përsëritura, i edhe pika 2 e nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale.

Nga ana tjetër konstatoj se paragrafi i katërt i shtuar rishtazi nuk është gjë tjetër veçse një detajim i posaçëm i paragrafit të dytë, ekzistent nga viti 2013, i nenit 52/a të Kodit Penal. Në fakt, paragrafi i dytë dhe i katërt, që propozohet të bëhet ligj penal në vitin 2026 nga Këshilli i Ministrave, pa dashur të merrem në vetvete me drejtësinë e tyre, nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me rregullimet në të njëjtën normë të privilegjeve penale të bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe me institutin e bashkëpunimit me drejtësinë. Sikurse nuk mund të konceptohen që këto dy paragrafë t’i atashohen nenit 28, nenit 52/b të Kodit Penal dhe nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale, njëlloj nuk duhet të konceptoheshin apo të konceptohen nga ligjvënësi që këto paragrafë t’i atashohen nenit 52/a të Kodit Penal. Qartazi kjo dispozitë rregullon dy çështje krejt të ndryshme dhe se, sikurse teknika logjike dhe e drejtë legjislative e kërkon, do të duhet që ato të rregulloheshin në dy dispozita të ndryshme. Por, sikurse ndodh rëndom në Shqipëri, probleme të kësaj natyre janë çështje luksi në raport me problemet e tjera juridike që propozimet ligjore paraqesin.

Ndryshe nga sa jemi mësuar ndër vite, kohët e fundit Këshilli i Ministrave sjell në Kuvend një relacion të zgjeruar të nismave ligjore dhe akoma më shumë për t’u vlerësuar është edhe sjellja si material legjislativ edhe e raportit të konsultimit publik elektronik dhe më tej edhe të disa dokumenteve në formë tabelare, të cilat tregojnë hulumtimin paraprak të realizuar mbi përputhjet e ligjit shqiptar me të drejtën relevante të Bashkimit Europian. Me shumë kërshëri hapa dhe lexova me detaje çdo material legjislativ të sjellë për shqyrtim në Kuvend mbi këtë iniciativë ligjore, duke menduar se do ta pasuroj edhe librin e sapo përfunduar, për të cilin njoftova botuesin se më duhet sërish kohë ta retushoj.

Në relacion Këshilli i Ministrave shprehet se ky propozim për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal diktohet nga zbatimi i shtatë akteve legjislative të Bashkimit Europian, akte të individualizuara krejt qartë. Sakaq nisa menjëherë të konsultoj materialet autentike të aksesueshme në “web”. Konstatova se në përmbajtjen e secilit akt legjislativ të referuar të Bashkimit Europian nuk ka asgjë relevante me institutin e bashkëpunimit me drejtësinë dhe se për rrjedhojë asgjë në këto akte nuk diktonte shfuqizimin e pikës 7 të nenit 28 dhe ndryshimin e paragrafit të tretë të nenit 52/a të Kodit Penal.

Më tej nisa konsultimin e relacionit të Këshillit të Ministrave, që shoqëron projektligjin. Në faqen 16, të një materiali prej 37 faqesh, rezulton se nuk ka asnjë fjalë më shumë, për të shpjeguar këto dy ndërhyrje ligjore, se sa ka në tekstin e projektligjit të propozuar, të treguar më lart.

Më tej nisa të konsultoj materialin prej 117 faqesh të konsultimit publik të realizuar në faqen elektronike respektive. Konstatoj se ka pasur aktivizim të qytetarëve të ndryshëm dhe të një personi juridik për të propozuar variante formulimi apo rregullime alternative të dispozitave të caktuara të këtij projekti por se asnjë prej tyre nuk adreson çështje të nenit 4 dhe 7 të projektligjit. Konstatoj se rëndom, përmes teknikës shkurtkohëse “copy-paste”, Ministria e Drejtësisë ka refuzuar çdo propozim qytetar të ardhur nga konsultimi publik, duke standardizuar të njëjtën përgjigje, ku ndër të tjera tregohet se propozimet do të adresohen në kuadër të punës mbi projektin e Kodit të ri Penal dhe se kjo iniciativë ligjore është diktuar vetëm nga nevoja e përafrimit të shtatë akteve legjislative të Bashkimit Europian.

Në këtë mënyrë kuptova se, as shfuqizimi i pikës 7 të nenit 28, nga neni 4 i projektligjit, dhe as ndryshimi i paragrafit të tretë të nenit 52/a të Kodit Penal, nga neni 7 i projektligjit, nuk ka lidhje me shtatë aktet legjislative të Bashkimit Europian. Por këtij zbulimi iu atashua menjëherë moszbulimi dhe moskuptimi se pse po prekej pika 7 e nenit 28 dhe pse po ndryshohej paragrafi i tretë i nenit 52/a i Kodit Penal. Me keqardhje konstatoj se kjo nismë ligjore, konkretisht dhe përkatësisht në këtë pjesë, i atashohet një numri më shumë ndryshimesh ligjore episodike dhe kaotike që kanë ndodhur tradicionalisht nga viti 1998 e deri në vitin 2021 në Kodin Penal dhe të cilave i është shtuar gjithashtu edhe projekti i Kodit të ri Penal mbi institutin e bashkëpunimit me drejtësinë.

Paradoksi i kësaj ndërhyrje në Kodin Penal është se neni 4 dhe 7 i projektligjit nuk lidhet aspak me filozofinë juridike të grupit të punës së mandatuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin e projektit të Kodit të ri Penal, e treguar përmes ndërhyrjeve në nenin 60, 144, 491, 492, 493 dhe 494 të këtij projekti. Nga kjo kuptohet se një tjetër grup pune ka hartuar nenin 4 dhe nenin 7 të projektligjit të paraqitur në Kuvend nga Këshilli i Ministrave me datë 11.12.2025. Kështu, tjetër gjë ka propozuar grupi i punës së Ministrisë së Drejtësisë në projektin e Kodit të ri Penal dhe tjetër gjë ka propozuar grupi i punës së projektligjit të Dhjetorit të vitit 2025.

Përveç se kjo traditë episodiciteti dhe rastësie në ndryshimet e instituteve të së drejtës procedurale dhe materiale penale është e papranueshme për seriozitetin e një shteti të së drejtës dhe kandidat apo anëtar në Bashkimin Europian, konstatoj me keqardhje se neni 4 dhe neni 7 i projektligjit të Dhjetorit të vitit 2025 janë të gabuar. Nuk ka asnjë arsye juridike, kushtetuese, ndërkombëtare apo ligjore se pse të shfuqizohet pika 7 e nenit 28 të Kodit Penal, sikurse nuk ka asnjë arsye se pse të shfuqizohet edhe simotra e këtij rregulli e përsëritur në pikën 4 të nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale. Nga ana tjetër dy pjesët e nënrenditura të fjalisë së parë të paragrafit të tretë të nenit 52/a të Kodit Penal nuk janë gjë tjetër veçse një riperifrazim i logjikës së përbashkët normative të pikës 7 të nenit 28, të paragrafit të parë dhe të tretë të nenit 52/a, të nenit 52/b të Kodit Penal dhe të pikës 4 të nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale. Më tej vlerësoj se përjashtimi kategorik dhe aprioristik normativ nga privilegji penal i përjashtimit nga dënimi të subjekteve bashkëpunëtorë drejtësie, që kanë kryer vepra penale me lëndët narktotike, kundërshton pikën 7 të nenit 28 të Kodit Penal, që me sa duket i është vënë syri të shfuqizohet, por edhe pikën 4 të nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale, rregullim i cili deri më tani nuk ka diçka të re nga fronti i ekzekutivit apo i legjislativit se do të shfuqizohet. Gjithashtu nuk rezulton të ketë përjashtime të tilla kategorike dhe aprioristike normative qoftë në nenin 60, 144, 491, 492, 493 dhe 494 të projektit të Kodit të ri Penal. Nga studimi trevjeçar mbi modelet ligjore të ndryshme europiane të rregullimit të institutit të bashkëpunimit me drejtësinë kam konstatuar se ky propozim shqiptar i Dhjetorit të vitit 2025 nuk ka asnjë simotër europiane, nga ato të Bashkimit Europian apo jo.

Ky konkluzion vlen jo vetëm nga analiza krahasimore e realizuar më lart. Përkundrazi, vlerësoj se edhe nga pikëpamja e meritës dhe thelbit të drejtësisë së normës rezulton se një propozim i tillë nuk meriton të bëhet ligj. Sjell në vëmendje se fusha e zbatimit të institutit të bashkëpunimit me drejtësinë, edhe pa pikën 7 të nenit 28 të Kodit Penal, përcaktohet në mënyrë organike dhe komplementare nga pika 1 e nenit 37/a të Kodit të Procedurës Penale, e cila ndër të tjera parashikon se mund të shndërrohet në bashkëpunëtor drejtësie cilido autor i krimeve të kryera në bashkëpunim për të cilat ligji parashikon dënim jo më pak se shtatë vjet burgim. Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave, përmes nenit 7 të projektligjit të dhjetorit të vitit 2025, propozon të përjashtojë nga fusha e zbatimit të privilegjit penal të përjashtimit nga dënimi bashkëpunëtorët e drejtësisë që kryejnë vepra penale në fushën e narkotikëve. Por ndërkohë ligji procedural penal lejon që nga ky privilegj penal të përfitojnë vrasësit, autorët e veprave penale me dashje që passjellin vdekjen e viktimës, autorët e veprave penale gjenocidare, të krimeve të luftës apo edhe të krimeve kundër njerëzimit apo të veprave penale më të rrezikshme dhe më të rënda se sa veprat me narkotikë dhe të kryera në apo jashtë formacioneve të krimit të organizuar.

Sikurse konstatohet një normë e tillë ligjore do të jetë e privuar nga pranueshmëria kushtetuese e parimit të proporcionalitetit dhe e barazisë së shtetasve para ligjit penal, respektivisht sipas nenit 17 dhe 18 të Kushtetutës. Ndaj vlerësoj se çdo ndërhyrje e automatizuar e ligjvënësit në fushën e së drejtës penale apo e procedurës penale, e cila dikton suprimimin dhe kufizimin e paarsyeshëm të diskrecionit gjyqësor në zbatimin e së drejtës pozitive, veçse krijon anomali kushtetuese dhe nuk zgjidh drejtësisht asgjë. Vetëm në këtë drejtim të gabuar konstatoj se ka paralele ndërmjet grupit të punës së projektligjit Dhjetor 2025 me grupin e punës së projektit të Kodit të ri Penal. Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave dhe më tej Kuvendi duhet të ndërgjegjësohen se nuk mund të ketë vend për parimin e sigurisë juridike dhe të kushtetutshmërisë sa herë kur problemet shoqërore apo shtetërore zgjidhen me populizëm penal dhe me ndërhyrje ligjore rastësore dhe episodike.

*Autori, Gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: