Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit Erinda Skëndaj janë përplasur në një debat në emisionin ”Real Story” të Sokol Ballës në News24 për ndryshimet në Kodin Penal dhe dënimet me burg për shkeljen e masave të COVID-19.

Manja thotë se këto ndryshime janë të nevojshme pasi ka vakum prej më shumë se 25 vitesh në Kodin Penal për gjendjet e emergjencës dhe në e dyta askush nuk e di sa do zgjasë kjo pandemi prandaj masat duhen marrë sa më shpejt.

Erinda Skëndaj nga ana tjetër ndryshimet sidomos ato që parashikojnë dënimet të majme i ka quajtur metoda komuniste që duan të frikësojnë qytetarët kurse shpreh edhe shqetësimin që për këto ndryshime nuk janë shprehur ekspertët as të mjekësisë dhe as të së drejtës penale.

Por Manja nga ana tjetër kundërpërgjigjet duke thënë se tek dënimet janë për rastet e përsëritura dhe jo për ata që i bëjnë nga pakujdesia.

DEBATI NË REAL STORY

ULSI MANJA: Ju me të drejtë shtoni pyetjen se pse duhen tani këto ndryshime. Kemi vakum në Kodin Penal, Dhe e dyta askush nuk është në gjendje sa do zgjasë kjo pandemi. Nëse nuk parashikojmë sot masa penale lidhur me përhapjen e sëmundjeve infektive, nëse nuk tregohet kujdesi i duhur pasojat do jenë katastrofike.

ERINDA SKËNDAJ: Që të vlerësosh nëse në Kodin Penal ka vakum apo jo duhet ta konsultosh me ekspertët me të mirë, në këto kushte dhe duhet të përcaktosh nevojën.

Nuk kemi mendim infektologësh, epidemiologësh. Nëse dikush rrezikon jetën e tjetrit kemi një kategori për cënimin e jetës. Me procedurë të përshpejtuar për një nisëm për dhunën në familje dhe kjo është krejtësisht e ndryshme.
Nëse biem dakort që ka një vakum atëhere ta diskutojmë me shqetësi. Nuk jemi kundër rishikimit të Kodit Penal duke parë nevojën për konsultim me ekspertë të së drejtës penalë, ekspertëve të mjekësisë apo të ISHP.
Unë shpreh mendimin tim si juriste dhe drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Jam shumë e bindur se prezantimi i kësaj nisme që prek njerëz të pambrojtur, në nevojë dhe që prek njerëz të pafajshëm. As Hungaria që po kritikohet rëndë për masat që po merr, që dënon me 8 vite burg ata që i sjellin vdekjen dhe 3 ata që nuk i sjellin, pra veprime autoritare. Në kushtet e kësaj emergjence nuk e shoh imediate ndryshimin në Kodin Penal por shoh qytetarët që me formë qytetare dhe demokratike po i binden masave. Metodë komuniste t’i tregosh qytetarëve dënimet dhe burgjet.
Shqiptarët po tregojnë sjellje gjithmonë e më demokratike dhe për këtë jemi të ndërgjegjshëm. Nuk është momenti t’i tregojmë burgun shqiptarëve. Politika penale ashpërsuese është politikë që ka karakter, nuk po them që shteti shqiptar është komunist por kur ka elementë për të frikësuar qytetarët është metodë komuniste.

ULSI MANJA: Dua të jem shumë i qartë për atë që jam sonte në studion tuaj. Jam shprehur që e kemi marrë shqetësimin e KShH dhe 33 organizatave civile. Në një demokraci janë të rëndësishme të drejtat dhe liritë, por edhe karantina është një kufizim dhe nuk duhet të bëjmë kalorësin e të drejtave dhe lirive por gardianët e jetës së shqiptarët.
Nëse kërkohet të mbrojmë me fanatizëm jetën e secilit prej nesh dhe çdo qytetari duhet që të plotësohet ky vakum. Zonja Skëndaj s’ka pse futet në teknikalitete dhe nuk ka pse thotë që do penalizojmë pensionistët apo qytetarët. Po flitet për vepra penale të kryera me dashje dhe jo nga pakujdesia. Nuk e di si mund t’i përgjigjet Skëndaj si mund të ndëshkohet një qytetar që shkel masat në mënyrë të përsëritur, hap lokalin, shërben kafe dhe raki për 10- 15 qytetarë që nuk respektojnë asnjë rregull. Ke rastin në Elbasan. Pjesëmarrja masive në varrim në Shkodër dhe përsëri ka pjesëmarrje masive në varrime. Si do e mbrojmë jetën e qytetarëve shqiptarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb