TIRANË

Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR, Blendi Gonxhja ka qenë sot në rubrikën “Opinion” në News24 për të folur për ndryshimet ligjore dhe rinisjen pas disa muajsh pezullim të shërbimit të kolaudimit të automjeteve. I pyetur nëse do të vijojë prenotimi online, ai konfirmoi duke theksuar se ky shërbim do të jetë dhe më cilësor.

“Do jenë më cilësore. Një modul i tërë i punuar, ndërtuar. Për mendimin tonë duhet të ishte në databazën zyrtare. Sistemi i rezervimit bën që planifikimi të jetë i juaji, personal dhe është e pamundur të shisni radhën. Do jenë online në e-albania, mund të vihet dhe fizikisht në zyrat tona duke pritur oraret. Drejtoritë tona të licencimit dhe transportit po merren me organizimin e subjekteve, taksitë, mjetet e flotave publike që do jenë në lentën e zmadhimit të kontrollit teknik këtej e tutje. Do duhet të investojmë për modernizimin për mjete të mira dhe të pastra se pa investime nuk ka retorikë të gjelbër”, tha kreu i DPSHTRR.

Sa i përket çmimeve, Gonxhja theksoi se nuk ka rritje, dhe se nga 1800 lekë në një vit, kjo tarifë do të jetë për dy vite.
“I keni paguar 1800 lekë për kolaudimin në një kontroll, do paguani 1800 lekë për kolaudimin për dy vjet, domethënë është përgjysmuar, mendoni dhe koston për ardhjen, kohën. Ajo që kërkojmë në këmbim është përgjegjësi më e lartë nga drejtuesit”, tha ai.

I pyetur nëse mosdekretimi i ndryshimeve të Kodit Rrugor nga Presidenti, ku është dhe përcaktimit për kolaudimin njëherë në dy vjet, mund të penalizojë procesin, Gonxhja tha se janë marrë të gjitha masat dhe ky proces do të hapet më 31 maj.

“Ne i kemi marrë të gjitha masat që çfarëdo lloj skenari të mos prekë këtë skaletë. Ky është i vetmi rast që nuk do ketë vend për politikë, interesi është shumë i lartë, flitet sigurinë rrugore, për 1 mln drejtues. Kemi skaletën tonë, nuk e diskutojmë që do hapemi më 31 maj”, tha Gonxhja.

Lidhur me komunikimin me publikun për çështje të ndryshme që mund të shqetësojnë qytetarët ai tha se DPSHTRR ka disa profile sociale dhe faqja e web-it.
“Në renditjen më të fundit të shikueshmërisë sociale, DPSHTRR është e para, e njeh tashmë kushdo. Në çdo rrjet social do gjenit profilet tona, ose në web-in tonë. Ka call center elektronik ku lë pyetjen tënde, ka të gjitha mjetet, mënyrat për të lënë një shënim, qoftë individ, qoftë subjekt. Për komunikimin me publikun nuk vuajmë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb