Ish-prokurori Eugen Beçi, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka komentuar ndryshimet e dekretuara sot në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke thënë se këto të fundit mund të sjellin një katastrofë natyrore.

Ai shpjegoi se me ndryshimet që u dekretuan sot në ligjin për zonat e mbrojtura, janë prekur disa elemente që i hapin rrugë investimeve strategjike, duke i dhënë pushtetit vendor 20% të bio-zonave dhe rrjedhimisht të drejtën për të ndërhyrë në mënyrë që të ketë investime, të cilat më parë nuk lejoheshin.

Sipas tij këto ndryshime janë bërë pa studim dhe pa marrë në konsideratë teknikat ligjore.

Beçi theksoi se katastrofa natyrore e paralajmëruar mund të përkthehet në ndërtimin e aerodromit të Vlorës pranë foleve të pelikanit kaçurrel, ose “mbërritjen” e çakallit te Pallati i Kulturës në kryeqytet.

“Me ndryshimet që u dekretuan sot në ligjin për zonat e mbrojtura, janë prekur disa elemente që i hapin rrugë investimeve strategjike. Biokorridoret e përcaktuar me ligjin për mbrojtjen e sistemit të florës dhe faunës së egër, duket se bie në rastin konkret sepse është vendosur që pushteti vendor të ketë 20% të këtyre bio zonave. Këto bio zona duke pasur 20% pushteti vendor e kthen përmbys situatën ku do të duhet të ndërhyjë pushteti vendor për të pasur investime.

Neni 16 nuk lejonte ndërtime strategjike që përfshijnë infrastrukturën i jep të drejtën KRT-së të drejtën të ndërtojë në zonat që mund të sjellin problematika në florë dhe faunë. Amendimi është bërë pa studim dhe nuk është marrë në konsideratë aspak teknika ligjore që ka lidhje me pyetjen e grupit të interesit, transparencën, bisedimet që do sillnin një amendim sa më të rregullt. Kjo mund të sjellë një katastrofë natyrore.

Nuk janë marrë në konsideratë zërat e shoqatave mjedisore që kanë thënë se ndërhyrja në nenin 16 të ligjit mund të sjellë katastrofë që përkthehet që, te foleja e pelikanit kaçurrel ndërtohet aerodromi i Vlorës dhe çakalli mbërrin te Pallati i Kulturës në Tiranë”, shpjegoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb