U zhvillua sot seanca gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, në lidhje me kërkesën e PD-së për të regjistruar ndryshimet statutore që u bënë në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie, që u mbajt më 2 shtator të këtij viti. Çështja në fjalë, shqyrtohet nga gjykatësi Niko Rapi. Ndërkohë, palë në këtë proces është dhe Rithemelimi, pasi ka kërkuar që gjykata të mos e regjistroje statutin e ri të kryedemokratit Basha pa u shqyrtuar çështja në themel.

Përfaqësues të Partisë Demokratike në Gjykatën e Tiranës janë Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa, Gazment Bardhi përfaqësohet nga Marash Logu e Redi Rama, ndërsa Rithemelimi i drejtuar nga Sali Berisha përfaqësohet nga Çlirim Gjata dhe Franc Nuri. Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi lilogjor i Bashës, Indrit Sefa kërkoi përjashtimin nga procesi të palës së Rithemelimit, pasi autorizimi është nul.

“Autorizimi i Rithemelimit është një autorizim nul. Nuk janë tagra që ata mund t’i kenë për t’u bërë pjesë në proces. Komisioni i Rithemelimit, në dijeninë time, nuk ka personalitet juridik. Si i tillë, nuk mund të lëshojë autorizim përfaqësimi.”, tha Sefa.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Rithemelimit, Çlirim Gjata u shpreh se vlerëson qëndrimin e gjykatës për shqyrtimin e kësaj çështje pa vonesë. “Këta hynë si palë e tretë në Apel. U pranuan si palë. Ndërsa tani, ankohen pse duam të bëhemi pjesë si palë e tretë. Unë vlerësoj qëndrimin e gjykatës, që po e shqyrton këtë çështje pa vonesë, sepse iu intereson edhe këtyre  Nëse këta duan ta zvarrisin, në rregull pastaj”, u shpreh ai.

Teksa gjykata njohu si palë në proces Rithemelimin dhe grupin e Bardhit, togat e zeza i lanë kohë përfaqësuesve të Berishës që të saktësojnë aktin e përfaqësimit. Ndërkohë, seanca e radhës do të mbahet më 25 tetor.

Kujtojmë se Kuvendi Kombëtar i PD-së në mbledhjen e tij të fundit më 2 shtator mori disa vendime, siç ishte dhe ndryshimi i nenit 48 që i jep kryetarit të partisë, Lulzim Bashës edhe postin e kreut të Grupit Parlamentar.

Sipas ndryshimit të ri, në periudhën që PD është parti opozitare, kryetari i Partisë, do të jetë njëherësh edhe kryetar i Grupit Parlamentar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb