Publikohet historia e panjohur e Todi Naços me origjinë nga Pogradeci, babai i të cilit, Spiro, mik i ngushtë i Fan Nolit, pasi kishte financuar ndërtimin e Kishës së Shën-Kollit në SHBA-ës, në vitin 1924-, me ardhjen e Nolit në pushtet, u emërua prej tij në detyrën e Sekretarit të Bashkisë së Pogradecit, pasi ishte në vështirësi të mëdha ekonomike, sepse kishte harxhuar të gjithë kursimet e tij për ngritjen e asaj kishe. Dërgimi i të birit, Todit për të studjuar në Shkollën Mbretnore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, nga ku më pas ai përfitoi një bursë shtetërore për të ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali, ku ai u diplomua me rezultate të larta në degën e Artilerisë, duke fituar dhe gradën e nëntogerit.

Kthimi i tij në Shqipëri dhe dezertimi nga fronti i luftës italo-greke në vitin 1940-të ku ishte efektiv i Batalionit “Tomorri” dhe angazhimi i tij në Lëvizjen Antifashiste me shokun e ngushtë, Reshit Çollakun, në zonën e Pogradecit, pasi më parë ishte përndjekur nga autoritetet italiane që shkuan për ta arrestuar dhe për t’i djegur shtëpinë në qytetin e Pogradecit, ku oficeri italian, kur pa bibliotekën e tij të pasur, i la një shënim ku thuhej: “Zoti Naço, gjynah që një njeri i kulturur si ty, të kthehet në një bandit”.

Dalja e Todit partizan në Brigadën e Përë Sulmuese të Mehmet Shehut, ku ai deri në përfundimin e Luftës morri pjesë në të gjitha betejat që bëri ai formacion partizan, duke qenë si komandant i Artilerisë dhe një nga miqtë e ngushtë të Mehmet Shehut. Konflikti i Todit me Enver Hoxhën që në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1948-të, pasi Enveri dyshonte se Naço me gjeneralin tjetër, Tahir Kadarenë, kishin nxitur gjeneral Gjin Markun që t’i kërkonte Koci Xoxes në Kongres, që ai të thellohej në autokritikën e tij lidhur me fajet e Komandantit të Përgjithshëm, sidomos për lidhjen e nënshkrimin e Traktatit të Bashkëpunimit Reciprok me Jugosllavinë, që kishte sjellë më pas rrënimin e ekonomisë shqiptare.

Dëshmitë e të birit të tij, Fatos Naço, lidhur me spostimin që iu bë Todit duke u dërguar me studime në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov” të Bashkimit Sovjetik, ku ai u diplomua me rezultate të larta dhe kthimi i tij në Shqipëri, ku ai u emërua në disa detyra të larta me gradën gjeneral-major, dhe si Komandant i Artilerisë Kundërajrorë të Ushtrisë Shqiptare, ku ai shërbeu me vullnet e pasion të rrallë deri në vitin 1975, kur u akuzua si “bashkëpunëtor i ngushtë i Beqir Ballukut” dhe u internua në rrethin e Beratit, ku punoi si punëtor llaçi deri në vitin 1985 kur vdiq në fshatin Lapradha nga mungesa e mjekut dhe varrimi me qerre vetëm nga tre pjestarët e familjes.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Internimi në Berat

Po si u trajtua ish-gjenerali Todi Naço dhe familja e tij pas largimit nga Tirana dhe internimin e tyre në fshatrat e Beratit? Për këtë, i biri i tij, Fatosi kujton: “Në qytetin e Beratit ne na vendosën në një banesë në lagjen periferike dhe që në fillim aty e ndjemë veten shumë keq, pasi të gjithë na shikonin dhe na bënin me gisht duke na thënë: ‘Ja armiqtë e popullit’, gjë e cila na e vështirësonte akoma dhe më shumë gjendjen tonë shpirtrore në të cilëm u ndodhëm familjarisht pas largimit nga Tirana. Gjëja më e padurueshme për ne ishte kur dilnim nga shtëpia për të blerë ndonjë gjë në dyqane, ku të gjithë njerzit ndalonin dhe na shikonin, duke na bërë me gisht, e duke thënë refrenin e përhershëm; ‘O i biri i armikut, o i biri i ballistit’. Atëhere isha i ri dhe nuk i kuptoja mirë disa gjëra dhe sa shkoja në shtëpi tepër i mërzitur i thosha babait: Përse më thonë djali i ballistit, a ke qenë partizan ti’? Në Berat babain e sistemuan në punë si puntor me lopatë në një kantier që prodhonte llaç, i cili ndodhej jashtë qytetit, diku në fshatin Velabisht, ku babai shkonte çdo ditë me biçikletë.

Kurse nënën e cila në Tiranë kishte punuar si arsimtare, atje e sistemuan si puntore në një punishte duhani. Puna që bënte babai atje në kantierin e llaçit, ishte aq e rëndë dhe robtuese, saqë ai nga 90 kg. që ishte, ra në 60 kg. Pasi kishin kaluar disa muaj nga vajtja jonë në Berat, babain e thirri sekretari i partisë së ndërrmarrjes ku punonte dhe i tha: ‘Todi, ti nuk do punosh më dhe ne do ta paguajmë rrogën të plotë, veçse kërkojmë nga ty që të na shkruash se çfarë di për shokët e tu, ish gjeneralët’. Babai nuk pranoi që ta bënte atë punë, ndonëse atë gjë ia kërkuan disa herë dhe pas atij refuzimi, ai na tha që duhet të përgatiteshim për një goditje tjetër që nuk i dihej se si do të na vinte”, kujton Fatosi gjendjen në të cilën u ndodh familja dhe babai i tij gjenerali i famshëm i Artilerisë, i cili ndonëse kishte mbaruar shkollat dhe Akademitë Ushtarake në Tiranë, Torino e Moskë, përfundoi duke punuar me loptaë si puntor në kantierin e llaçit në fshatin Velabisht të Beratit, i cilësuar si armik i popullit.

Demaskimi para popullit në Berat

Po çfarë ndodhi më pas me Todi Naçon pasi ai refuzoi që të jepte dëshmi për ish-shokët e tij gjeneralë? Lidhur me këtë Fatosi, dëshmon: “Në qytetin e Beratit na lanë për një vit e tre muaj. Pas kësaj më 1 prill të vitit 1976, ne na njoftuan se duhet të paraqiteshim familjarisht në mbledhjen e Frontit Demokratik të lagjes ku banonim. Në atë mbledhje ku ishin grumbulluar të gjithë banorët e lagjes, Kryesia e Frontit, sipas porosisë nga lart, e kishte organizuar enkas për të bërë një demaskim publik të familjes sonë. Në fillim të asaj mbledhje, kryesia e Frontit mori në analizë dhe bëri demaskimin publik të dy personave të tjerë, ku njeri akuzohej për vjedhje, dhe tjetri sepse kishte prejardhjen jugosllave. Pas kësaj kryetari i Frontit u ngrit dhe tha: ‘Sot jemi mbledhur për të marrë në analizë veprimtarinë e Todi Naços, i cili është një nga bashkëpunëtorët e Grupit puçist të Beqir Ballukut’, dhe më pas ai radhiti një sërë akuzash, si: shkollimi i babait në Itali e Bashkimin Sovjetik, të cilat ai i quajti vende armike, si dhe pjesamrrjen e tij në luftën italo-greke me gradën e kapitenit.

Pas gjithë atyre akuzave të cilat turma i priste me irritim, kryetari i Frontit vazhdoi duke thënë: ‘Ne si kryesi e kemi marrë vendimin që ta internojmë familjarisht armikun e popullit Todi Naço, por deshëm të dimë dhe mendimin tuaj. Pas kësaj e gjithë turma u ngrit duke bërtitur me thirrje histerike: ‘Të pushkatohet, të pushkatohet. Në litar, në litar armikun e popullit’. Në këto momente teksa turma vazhdonte të thërriste, nënës i ranë të fikët dhe babai më thoshte mua që ta mbaja të mos rrëzohej në tokë. Pasi mbaroi mbledhja dhe akoma pa mbaruar mirë thirrjet e popullit, të cilët ishin instruktuar mirë nga Kryesia e Frontit, ne na futën në zyrat e lagjes dhe na porositën që të përgatiteshim, sepse të nesërmen do të na internonin. Kur dolëm që andej për të shkuar në shtëpi, gjatë gjithë rrugës u ndodhëm nën vështrimet e njerëzve që qëndronin anash trotuarëve dhe na shikonin si armiq. Gjatë gjithë asaj nate ne qëndruam në ankth pa e ditur se ku do të na çonin dhe vetëm të nesërmen kur na erdhi makina me policët që do të na shoqëronin, e mësuam se do të na internonin në fshatin Lapardha”, kujton Fatos Naço, demaskimin që i bënë familjes së tij para banorëve të lagjes në qytetin e Beratit, pasi babai i tij, Todi, refuzoi që të dëshmonte për shokët e tij, ish-gjeneralët dhe ushtarakët e tjerë që Enver Hoxha i kishte shpallur armiq të popullit dhe bashkëpuntorë të Beqir Ballukut.

Internimi në Lapardha

Po si rrodhi më pas jeta e familjes së ish-gjeneralit Todi Naço aty në Lapardha të Beratit, ku ata u dërguan të internuar dhe si u trajtuan ata nga banorët e atij fshati? Lidhur me këtë Fatosi kujton: “Në fshatin Lapardha të Beratit na vendosën në një banesë të vjetër dhe nënën e caktuan që të punonte në bujqësi, kurse babai me që doli në pension, dilte vetë për të ndihmuar nënën me qëllim që ajo të bënte normën dhe të fitonte ato pak lekë sa për të siguruar bukën e gojës. Pas kësaj e internuan në Plug të Lushnjes edhe vëllain tone, Gavroshin, i cili pasi ishte diplomuar për inxhinier, punoi disa kohë në Lushnje. Për disa kohë atij ia hoqën edhe të drejtën e ushtrimit të profesionit, për të cilin ishte diplomuar. Aty në fshatin Lapardha ndonëse ne paraqiteshim dy tre herë në ditë në zyrat e Këshillit Popullor, dhe për të lëvizur për ndonjë problem që kishim për në qytet, duhet të merrnim leje në Këshill dhe të prisnim nëse na jepej ajo, u ndodhëm disi më mirë se kur ishim në Berat, Kjo gjë erdhi nga trajtimi që na bënë fshatarët aty, megjithëse ne e kishim vulën e armikut dhe njerzit para se të na jepnin ndonjë salutim, kthenin kokën për të parë nëse po i shikonte njeri. Në fshatin Lapardha vazhdimisht ne ishim nën survejimin e rreptë dhe herë pas here nuk mungonin dhe provokimet e njerzve që ishin caktuar nga Sigurimi i Shtetit për të na kontrolluar në çdo hap, të cilët porositeshin vazhdimisht: Kini kujdes Fatosin, se mos na bënë ndonjë sabotim’.

Këtë refren unë e dëgjoja pothuaj përditë, ndonëse punoja me lopatë duke hapur kanale dhe me cfurk në mullarët e barit. Kur ne menduam se na mbaroi internimi, (pak ditë para se të mbushnim pesëvjetshin e parë) na erdhi një person nga Tirana dhe na komunikoi, se: na ishin shtuar edhe pesë vjet të tjera internimi, të cilat duhet t’i kryenim po aty. Babai e kundërshtoi atë vendim, por ai na tha se ashtu e kishte urdhërin. Në vitin 1984, kur na mbaroi internimi i dytë prej pesë vjetësh, përsëri erdhi një njeri nga Tirana, i cili na komunikoi se na ishte shtuar edhe pesë vjet të tjera internimi. Atëhere babai u mërzit shumë dhe na thoshte: Këtu na kanë sjellë që të vdesim, sepse Enver Hoxha nuk do prova. Këtu do të vdesim të gjithë’. Gjatë atyre viteve babai filloi të mbante një ditar, ku shkruante fshehurazi gjatë ditës kur unë e nëna ishim në punë. Ndonëse atë ditar ai e mbante të fshehur, unë dhe nëna shpesh herë gjenim mënyrën dhe ja merrnim për ta lexuar. Ajo që binte në sy në shënimet e tija, ishte evolimi i mendimeve që ai kishte për Enverin, ku Todi nga një komunist i bindur, u kthye në një kundërshtar i rreptë i vijës politike që kishte ndjekur dhe po ndiqte Enver Hoxha”, kujton Fatosi lidhur me trajtimin q ëi bëhej familjes së tyre në internim dhe babanë e tij, Todin që fillou të shkrunate fshehurazi në ditarin e tij për Enver Hoxhën..

Todi në ditarin e tij: Enveri gjakatar

Po çfarë shkruante Todi Naço në ditarin e tij për Enver Hoxhën dhe çfarë thoshte ai për të ardhmen e tij dhe të familjes? Lidhur me këtë, Fatosi dëshmon: “Në fillimet e atij ditari babai shkruante: Jam një ushtar i bindur dhe kudo që të më dërgojnë, do të punoj për t’i shlyer partisë gabimet që kam bërë’. Kurse mbas disa vjetëve, ai filloi shkruante hapur kundra Enver Hoxhës dhe herë pas here përdorte shprehjen: ‘Sa të jetë Nasi në Kala-të, nuk gëzon nëna për evlatë’. Nasi ishte një budalla që banonte në lagjen Kala të Beratit, i cili ishte bërë tmerri i nënave të asaj lagje, pasi ua rrihte fëmijët ku i gjente. Me Nasin babai nënkuptonte Enver Hoxhën dhe pa pasur frikë se po na përgjonin, na thoshte hapur: ‘Do vij një ditë që Enver Hoxha, do të mbytet në gjakun e shokëve të tij’. Ndonëse babai na thoshte se fati jonë ishte parashkruar dhe ne do të vdisnim aty në internim, ai kujdesej për mua dhe në mbrëmje kur kthehesha nga puna e lodhëshme, më vinte të mësoja gjuhët e huaja, pasi ai zotëronte mjaft mirë frengjishten, italishten, rusishten dhe në ato kushte përpiqej të mësonte dhe anglisht.

Unë nga që vija i lodhur nga puna e rëndë me kazëm, i thoja: ‘Po çfarë më duhen mua gjuhët e huaja, kur punoj gjithë ditën në kanal’?!. Atëhere ai më thoshte: Unë nuk do t’ë gëzoj, por ti ke për të shpëtuar një ditë dhe këto do të duhen shumë’. Ndonëse babai kishte qëndruar më shumë vjet në Bashkimin Sovjetik se në Itali, ai gjithmonë kujtonte me nostalgji vetëm kohën që kishte studjuar në Itali. Mbas dhjetorit të vitit 1981, kur ndodhi ngjarja me Mehmet Shehun dhe shumë nga shokët e babait që ishin të internuar, u arrestuan dhe përfunduan burgjeve, unë dhe nëna ia morëm ditarin dhe e dogjë nga frika për ato që ai kishte shkruar aty. Babai u mërzit shumë për këtë dhe nënës i foli ashpër, kurse mua deshi të më qëllonte”, kujton Fatosi peripecitë dhe vuajtjet e mëdha të familjes gjatë periudhës së internimit si dhe ndryshimin e bindjeve të babait tij lidhur me figurën e Enver Hoxhës.

Vdekja e Todit, nuk vjen mjeku, varroset me qerre

Po si rrodhi më pas jeta e familjes së gjeneralit të famshëm Todi Naço, pas plotësimit dë pesëvjetëshit të dytë të internimit aty në fshatin Lapardha? Lidhur me këtë, Fatosi kujton: “Aty nga viti 1984, nga puna që babai kishte bërë gjatë periudhës së internimit, ai u sëmur rëndë dhe ne u gjetëm përpara vështirësive të mëdha, pasi doktorët nuk vinin në shtëpi për ta vizituar, sepse ne na quanin armiq të popullit. Po kështu ne nuk kishim mundësi që ta dërgonim në spital, sepse ishim të internuar e duheshin disa leje që nga Këshilli Popullor i fshatit, Këshilli Popullor i qytetit, e policia. Për të nxjerrë lejet që të vizitonim apo të shtronim babanë në spital, duheshin ditë të tëra, gjë e cila e çoi në keqësimin e mëtejshëm të shëndetit të tij. Kështu në mëngjezin e 7 marsit të ’85, babai ishte në një gjendje tejet të rëndë dhe unë e nëna e lamë vetëm në shtëpi, sepse shkuam për të bërë paraqitjen e zakonëshme në zyrat e këshillit.

Pasi u paraqitëm aty, ne shkuam e takuam doktorin të cilit pasi ia thamë situatën në të cilën ndodhej babai, ai na u përgjigj: Të shikoj se nuk vij dot, por po të keni mundësi nxirrni një leje dhe silleni këtu babanë me qerre. Kur shkuam në shtëpi babai kishte vdekur. Kryetari i Kooperativës që ishte dhe kandidat i Komitetit Qëndror dha urdhër që babanë ta varrosnim jashtë varrezave të fshatit. Ky urdhër u kthye pasi nga Tirana lajmëruan që nuk kishte ndonjë problem që ai të varrosej në varrezat e fshatit”, kujton Fatosi vdekjen tragjike të babait të tij atje në internim, për arsye se mjeku nuk pranoi ta vizitonte pasi kërkonte leje që të shkonte në shtëpinë e “armikut të popullit”. Kështu atë pasdite marsi të vitit 1985, ndërsa dy vëllezërit Fatosi e Gavroshi, së bashku me nënën e tyre po përcillnin për në banesën e fundit babain e tyre, ish gjeneral-leitnantin e famshëm Todi Naço, qerrexhiu i fshatit, i vetmi njeri “që iu gjend pranë” iu thoshte: Shpejt, shpejt, se më kërkojnë qerren…”?!./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb