TIRANË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në burgun 313 ku një 43-vjeçar nga Kukësi i arrestuar për vjedhjen e 1200 lekëve të reja i dha fund jetës në kushte të rënduara psikologjike duke u vetëvarur. Metani shprehet se po vlerëson rastin për fillimin e verifikimit nëse ka pasur vonesa në veprimet procedurale hetimore e gjyqësore.

“Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani u njoh nga mediat me lajmin e vetëvarjes së 43-vjeçarit B.H. në institucionin e vuajtjes së dënimit 313 në Tiranë, si dhe me pretendimin se i ndjeri po qëndronte me masë sigurie në burg, për shkak se kishte vjedhur 12 mijë lekë të vjetra.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë po vlerëson rastin për fillimin e verifikimit nëse ka pasur vonesa në veprimet procedurale hetimore apo gjyqësore, si dhe nëse ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural”, thuhet në reagimin e ILD.

43-vjeçari Bilbil Hasani, nga Kukësi, me banim në Kamëz u gjet i vetëvarur me çarçaf në banjën e qelisë, nga gardianët e burgut. Bilbil Hasani ishte arrestuar në vitin 2019 për veprën penale të “Vjedhjes”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb