Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur pikëpyetje mbi emërimin e Denis Sinanit në krye të Qarkullimit në Sarandë, duke kërkuar transparencë mbi kriteret që janë përdorur për këtë vendim.

Zhupa sjell në vëmendje se ndaj Sinanit, në janar 2026, janë caktuar masat e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur”, në kuadër të një hetimi për organizim dhe favorizim të lojërave të fatit të paligjshme, ndërsa në prill ai është pezulluar nga Policia në kuadër të një hetimi disiplinor lidhur me rastin e magazinës ku u gjetën mijëra bimë kanabisi në Peqin.

“Me gjithë këto rekorde problematike, ky person caktohet shef i Qarkullimit në Sarandë?”, pyet Zhupa, duke kërkuar të dijë se kush e mori vendimin dhe çfarë standardesh janë ndjekur për një detyrë drejtuese në një qytet me fluks të lartë turistik.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Saranda dhe modeli i policisë kur pushteti nuk shpërblen integritetin, por promovon problematiket.

Me çfarë kriteresh u vendos Denis Sinani në krye të Qarkullimit në Sarandë?

Në janar 2026, ndaj tij u caktuan masat e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur”, në kuadër të hetimit për organizim dhe favorizim të lojërave të fatit të paligjshme.

Në prill 2026, Sinani u pezullua nga policia në kuadër të hetimit disiplinor për rastin e magazinës ku u gjetën mijëra bimë kanabisi në Peqin.

Me gjithë këto rekorde problematike, ky person caktohet shef i Qarkullimit në Sarandë.

Kush e mori këtë vendim dhe mbi çfarë kriteresh?

A janë këto standardet e reja të Policisë së Shtetit për një detyrë drejtuese?

A konsiderohet një person me masa sigurie për një hetim penal dhe i pezulluar më parë për shkelje të detyrës si kandidaturë e përshtatshme për t’i besuar qarkullimin në një qytet si Saranda?

Çfarë mesazhi i jepet policëve të tjerë që punojnë me ndershmëri dhe cfarë mesazhi ju jepni qytetarëve të Sarandës?

Saranda është një nga qytetet e populluara të vendit, me një fluks turistik që katërfishohet gjatë sezonit. Qarkullimi, siguria dhe rendi publik kërkojnë njerëz me integritet dhe një rekord të pastër, jo promovime që ngrenë pikëpyetje të rënda.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb