Portugalia e nis udhëtimin e saj në Kupën e Botës 2022 kundër Ganës. Një rival i lehtë në dukje, por ndaj afrikanëve luzitanët kanë vuajtur gjithnjë. E tillë ishte edhe përballja në Botërorin 2014, ku Portugalia fitoi me vuajtje 2-1, me gol të Ronaldos në fundin e ndeshjes.

Për Cristianon me shumë mundësi është Botërori i fundit, me siguri edhe për trajnerin Santos në rast se kombëtarja që drejton nuk shkon të paktën në katër më të mirat.

Portugalia merr pjesë për herë të gjashtë radhazi në Botëror nga tetë pjesëmarrje në total, ku spikat vendin i tretë në vitin 1966. Dhe luzitanët në fazën në grupe nuk humbin prej 13 ndeshjesh. Trajneri Santos thotë se Portugalia mund t’i shkojë deri në fund këtij Botërori:

“Ne kemi një ëndërr, kemi ambicien dhe aftësinë për të luftuar për titullin. Kjo është ajo që ne do të bëjmë, ne nuk jemi mendjemëdhenj, thjesht kemi besim në cilësinë e ekipit tonë dhe në punën tonë” – u shpreh Santos, i cili shmangu në përgjithësi pyetjet mbi Ronaldon dhe vlerësoi rivalin.

Në krahun tjetër Gana është një realitet i Botërorit, teksa në 2010-ën shkuan deri në çerekfinale. Vërtet Gana mungoi katër vjet më parë, por në katër herët që ka marrë pjesë në Kupën e Botës, ata kanë shënuar në 9 ndeshje nga 12 në total. Një shifër që Portugalia duhet ta ketë mirë parasysh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb