Zbardhen të tjera detaje nga arrestimi i Ervin Matës, i cili u arrestua në Brazil. Prej më shumë se dy vitesh, Interpol Tirana kishte siguruar informacione se Mata fshihej në Brazil, vend ku edhe u arrestua me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
39-vjeçari jetonte mes Brazilit dhe Paraguait. Në momentin që u ndalua, Mata i dorëzoi policisë vendase dokumente të falsifikuara të Paraguait me vendlindje në Mbretërinë e Bashkuar, mjet identifikimi që skadonte në 2030-ën. Po ashtu Mata posedonte dokumente të tjera të dyshuara të falsifikuara, si një kartë identiteti dhe pasaportë bullgare.
Sipas burimeve, gjatë arrestimit në periferi të San Paolos, ai u kap me disa shtetas të tjerë, pjesë e narkotrafikut.
Mata rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK që prej vitit 2023 për përfshirje në trafikun e sasive të mëdha të kokainës dhe drejtim të një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në disa shtete.
Sipas burimeve për gazetaren Xhensila Kodra, pasaporta bullgare kishte skaduar në vitin 2024, ndërsa karta e identitetit bullgare ishte e vlefshme deri në vitin 2029, gjithashtu të falsifikuar.
