Një natë terrori ishte ajo që përjetuan banorët e Nea Joni në Athinë, kur plumbat e kallashnikovit i morën jetën gabimisht një 40-vjeçari shqiptar, që ndodhej në kohën e gabuar, në vendin e gabuar.

Pëllumb Islami kishte shkuar në lokalin e lagjes ku banonte, për të pirë një gotë dhe për të parë ndeshjen me miqtë e tij, por një konflikt mes dy grupeve kriminale shqiptare, i mori jetën tragjikisht.

Mediat greke raportojnë se në lokal janë futur 7 persona, të gjithë shqiptarë, dhe kanë nisur të konfliktohen verbalisht me njëri-tjetrin. Dy grupet rivale, (të cilët akuzohet për trafik droge, trafik qeniesh njerëzore, dhe gjobëvënie), duket se nuk janë marrë vesh me fjalë me njëri-tjetrin, dhe njëri prej tyre ka qëlluar 9 herë me armë.

Në prej plumbave ka kapur gabimisht 40-vjeçarin që ndodhej në një tavolinë pranë tyre, duke e lënë të vdekur.

Viktima jetonte dhe punonte në Greqi si hidraulik, ishte i pamartuar, dhe siç raportojnë mediat helene, edhe pse nuk kishte dokumentacion të rregullt, nuk kishte pasur kurrë probleme me policinë.

Menjëherë pas ngjarjes, 7 personat janë larguar me shpejtësi nga lokali, ndërsa në një video shihet momenti kur lëvizin me me një makinë, e cila është gjetur më pas e braktisur.

Video dokument

Autorët kanë mbërritur në vendngjarje me një automjet tip Jeep Mercedes i zi, i cili rezulton se është i vjedhur.

MEGA ka siguruar një video-dokument, në të cilin shihet automjeti me të cilin autorët u larguan nga vendi i ngjarjes pas të shtënave. Dyshohet se pasi kanë braktisur mjetin në fjalë, ata kanë përdorur një automjet tjetër për t’u larguar më pas drejt Shqipërisë.

Sipas MEGA-s, makina e tretë e autorëve, një Jeep, ka mbetur jashtë kafenesë, pasi autorët nuk kanë pasur kohë ta marrin.

Makinat e bandës duket se janë marrë me qira 6 muaj më parë, me ID false nga një kompani e makinave me qira.

Ndërkohë 4 prej tyre janë identifikuar, por vetëm emrat e Erlis Salaj dhe Julian Qose janë bërë publikë.

Tashmë policia ka nisur hetimet e thelluara për identifikimin e anëtarëve të tjerë të bandës, dhe arrestimin e tyre.

Sipas asaj që u zbulua nga mediat greke, autorët janë anëtarë të një bande të përbërë nga 10 persona me origjinë shqiptare  dhe janë të njohur nga autoritetet për gjobëvënie, trafik droge dhe qeniesh njerëzore.

Ngjarja ndodhi vetëm dy muaj pas sulmit mafioz në sheshin e Nea Smyrni  kur një person i armatosur, nga Shqipëria,  hyri në një kafene të mbushur me njerëz dhe qëlloi duke vrarë dy shqiptarë  dhe duke plagosur një klient.

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb