Pandemia COVID-19 nuk i kurseu as bluzat e bardha, por përkundër kësaj ata i qëndruan besnikë betimit të tyre se do jenë gjithmonë në shërbim të pacientëve. Si ushtarët e parë në front me armikun e padukshëm, shumë prej tyre u infektuan, por 23 mjekë e infermierë e humbën betejën me virusin.
Thonë se nuk ka luftë pa dhimbje e humbje, por vdekja e këtyre profesionistëve shëndetësorë në Kosovë po konsiderohet zbrazëti e madhe për sistemin shëndetësor në vend, i cili edhe ashtu ballafaqohet me mungesa të mëdha të profesionistëve shëndetësorë.

Gëzim Berisha, mjeku i cili shërbeu në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, si pasojë e infektimit me COVID-19, në fillim të dhjetorit e humbi betejën me këtë virus. Berisha i cili edhe gjatë luftës kishte shëruar plagët e shumë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk arriti të fitojë përballë COVID-19 dhe të ngrihet sërish në këmbë për t’iu shërbyer atyre që kishin nevojë për të.
“Ra viktimë vetë për të shëruar të tjerët”, është thënia që e përsërisin familjarët e të ndjerit. Musa Krasniqi, daja i doktorit, thotë se përkundër që specialisti i pediatrisë, Gëzim Berisha kishte telashe me mushkëritë, ai asnjëherë nuk hezitoi t’u dalë në ndihmë atyre që kërkuan mjekimin nga ai.

Ai në një rrëfim për KosovaPress, ka shpalosur sakrificën e nënës së mjekut, Gëzim Berisha për ta shkolluar atë.

“Betejën e humbi në moshën 52 vjeçare. E ka pasur një ftohje të mushkërive dhe duket si pikërisht ajo ka qenë shkaktari kryesor që nuk mundi t’ia dal kësaj sëmundje për ta fituar betejën. […] Humbje jashtëzakonisht e madhe për arsye se nëna e ka shkolluar me thonjtë e duarve si themi në zhargonin popull duke punuar me punë të ndryshme artizanale e të tjera. Ndërsa babai i ka vdekur menjëherë pas luftës, kështu shkollimin e ka pasur mjaftë të vështirë, por për familjen është humbje shumë e madhe. Edhe për sistemin shëndetësor për ato 13 fshatra e kemi pasur një shpresë të madhe se ku do të drejtohemi e tash e kemi goxha vështirë pa doktor Gëzimin”, tha ai.

Për 40 vite iu kishte shërbyer si mjek qytetarëve të komunës së Dragashit, por Minafir Beshiri nuk arriti ta mposhtë coronavirusin. Muhamer Beshiri, djali i mjekut të ndjerë, thotë se deri në momentet e fundit besuan se babai i tyre do ta mposhtë sëmundjen COVID-19.

“Prej vitit 1980 ku ka diplomuar si mjek i ka shërbyer Qendrës së Mjekësisë Familjare në Dragash, diku në vitet ‘83-‘84, ka specializuar në mjekësi të përgjithshme tash i bie sikur në Mjekësi Familjare, dhe ka kontribuar deri në vitin 2019, deri në pensionim në QKMF të Dragashit. Ka pasur kërkesa vazhdimisht dhe ka shkuar edhe në shtëpi dhe në ordinancën private vazhdimisht, asnjë pacient nuk e ka refuzuar, pavarësisht a ka qenë me COVID apo pa COVID. Deri në moment të fundit personalisht por edhe të gjithë familjarët kemi menduar se do ta tejkalojë por nuk e pati fatin. Duke pasur parasysh situatën që ka qenë edhe pritje për ngushëllime nuk kemi pasur për shkak të situatës por ka pas shumë pacientë dhe shokë që edhe përkundër rrethanave kanë ardhur për ngushëllime. Edhe për pacientët ka qenë shumë një lajm tragjik për ta. Megjithëse ky ka qenë nga Dragashi dhe Dragashi është një vend i vogël ku të gjithë njihemi mes vete, ka pasur shumë pacientë atje dhe shumë e kanë pritur si lajm tragjik”, tha ai.
Muaji korrik ishte tragjik edhe për familjen Macula. Në këtë muaj kur vendi u goditë nga vala e dytë e pandemisë, ndër të prekurit me coronavirus ishte edhe tekniku i dhëmbëve nga Mitrovica, Kujtim Macula, i cili në këtë profesion kishte shërbyer për një kohë shumë të gjatë.

Me shumë dashuri e mallëngjim kujtimin për të atin e shpalos edhe Diellza Macula, vajza e të ndjerit. Ajo thotë se kur e morën vesh që babai i tyre ishte infektuar, asnjëherë nuk e kanë menduar se ky virus do ua merrte nga jeta më të dashurin e tyre, pasi ai gëzonte shëndet të mirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb