Zbulohet emri dhe fotoja e policit, fotoja e të cilit u gjet në telefonin e killerit me pagesë, Nuredin Dumani. Mësohet se është efektivi Krenar Guçe, i cili është marrë në mbrojtje nga policia. Ka qenë Nuredin Dumani, i cili pas dëshmisë maratonë me orë dhe ditë të tëra, është ndalur te një listë me persona, emra dhe foto, që mbante në telefonin e tij dhe që prisnin që të ekzekutoheshin.

Mes tyre është gjetur edhe fotoja e efektivit të Policisë së Shtetit, i cili ishte listuar si një nga personat që duhej të eliminohej për llogari të Erion Alibejt, djalit nga Elbasani, i cili kishte marrë përsipër një hakmarrje të pafre kundër kujto që kishte marrë pjesë në ngjarjen e rëndë të Bradasheshit, ku ai humbi vëllanë, xhaxhanë dhe një mikun e tij, shtetas turk.

Masakra me tre të vrarë solli një zinxhir vrasjesh, por edhe dëshmitarin e parë të drejtësisë për bëmat e Elbasanit, një djalë të ri, që kishte kryer një krim makabër ndaj një të njohurit të tij, duke e masakruar me thika, se i kishin premtuar para.

Mesa duket, ka qenë dëshmia e këtij të riu, marrë nga oficeri Krenar Guçe, që ka bërë të mundur hedhjen dritë mbi vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe më pas masakrimit të Renis Runajt, vrasje këto të ndodhura në një hark të shkurtër kohor të gushtit të vitit 2020, pasi në fakt ishin kryer edhe 2 ngjarje të tjera, me katër të vrarë në Durrës dhe nga ku ishte përfituar edhe një tjetër dëshmitar me emrin Klevis Alla.

E nëse djali nga Durrësi kishte dhënë emra dhe detaje për vrasjen e vëllezërve Haxhia dhe më pas edhe të atentatit ndaj Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës, kishte nxjerrë emrin e Altin Ndocit dhe lidhjet e tij me Nuredin Dumanin dhe Talo Çelën, Euglen Halili nga Elbasani pranoi aktin e rëndë që kishte kryer dhe personat që i kishin thënë për ta kryer.

Porositësi, sipas tij, kishte qenë Erion Alibej, ku falë kësaj dëshmie ai u vu në pranga nga Policia e Shtetit.

Nga dëshmia e Nuredin Dumanit u mësua se Erion Alibej ishte në dijeni të punonjësit të Policisë që kishte marrë dëshminë e Halilit, dëshmi që kishte çuar në pranga edhe ushtarin e Alibejt dhe shokun e Halilit, Xhuliano Hoxhaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb