Në vjeshtën e vitit të kaluar, Genc Pollo insistoi për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale njëherësh, sot ai është i ndërgjegjshëm se tërmeti dhe pandemia ka sjellë një situatë tjetër, që lipset të merret në konsideratë. Por, ish- ministri i Arsimit gjatë qeverisjes së demokratëve thotë për “Gazeta Shqiptare” se, “ironia është që në mes pandemisë qeveria shpall zgjedhjet në universitete”. “Me sa po shohim me ‘shpirtin e Shullazit’ të rilindur”, shprehet z.Pollo. Ai është i bindur se kreu i opozitës duhej ta shfrytëzonte politikisht situatën aktuale, por sipas Genc Pollos, “pa harruar që politika nuk lipset të shkëputet nga dimensioni etik. Politika nuk duhet kuptuar si marrje pushteti për të qeverisur mbi varreza. Në këtë sens Lulzim Basha ka bërë gjënë e duhur dhe opozita ka kontribuar konstruktivisht, pavarësish si reagoi qeveria apo batutoi Rama”.

Z.Pollo, shumë gjëra kanë ndryshuar brenda një kohë të shkurtër, që ka bërë që të jetojmë në kushte jonormale. Në gjykimin tuaj, si mund të menaxhohet kjo periudhë që vendi t’i rikthehet normalitetit?

Askush nuk e di me siguri dhe në tërë botën dalja graduale nga “lockdown”-i po bëhet vetëm me një sy hapur. Ende nuk është arritur imunizimi natyror i popullsisë në një masë të mjaftueshme. Ka pohime se virusi është mutant, pra i ndryshueshëm dhe nuk lejon imunizim, flitet për një valë epidemike të dytë dhe ende nuk kemi as vaksina e as ilaçe. Do të nevojitet më shumë kohë për përgjigje të sigurta për sa më lart. Por, bllokimi më i gjatë i jetës social-ekonomike mund të kishte pasoja shumë të rënda. Prandaj dalja nga vetizolimi po shoqërohet kudo në Europë me distancë fizike, higjienë maksimale dhe sidomos testim-gjurmim. Besoj që edhe te ne njerëzit do të jenë të kujdesshëm, ndërsa gradualisht i kthehen normalitetit.

Të ndalemi pak te testimet, pasi opozita insiston për to. A i jepni të drejtë qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama kur thonë se po dalin nga piku i epidemisë me sukses, që për shkak të masave të qeverisë kemi minimumin e vdekjeve nga COVID-19 e pa to do të kishte mijëra viktima?

Së pari në Ballkan në tërësi epidemia ëshët deri tani më e butë se në Europën Perëndimore, madje edhe Itali, jugu është më pak i prekur se veriu. Ne ende nuk e dimë me siguri nëse kjo vjen nga dallimet klimatike, kulinare, demografike, në ndotjen mjedisore apo vaksinën e tuberkulozit, siç po hamendësohet. Megjithatë, edhe pa këtë informacion të saktë mund të jemi të kënaqur, madje të lumtur, që është kështu siç është. Deri tani!

…Madje, meritë e qeverisë sipas Edi Ramës?

Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Shqipëri, relativisht statistika më e sigurt, në proporcion me popullsinë nuk është më i miri në Ballkan e Europën Lindore. Përqindje më të ulët kanë edhe vende ku masat shtrënguese ishin më të buta se te ne. Por, të ndalemi te qeveria “Rama”: sot interneti, “Facebook”-u e videot në “Whatsapp” nuk e lenë të harrojë popullin me kujtesë të shkurtër. Kur në botë alarmi i virusit mori dhenë në muajin shkurt, Rama sulmonte “alarmistët”, qesëndiste “infodemistët”, ndëshkonte me heqje licence shkollat private që reagonin ndaj rrezikut dhe në një kulm të papërgjegjshmërisë politike, në ditët e fundit të shkurtit mbajti kongresin e partisë me dymijë e ca njerëz të ulur ngjitur në një sallë. Masat e ashpra të shtetrrethimit e propaganda makabre me arkivolet e Bergamos, rrahjet policore arabo-spanjolle synonin të kompensonin këtë papërgjegjshmëri fillestare, të rivendosnin kontrollin e të shpëtonin çfarë të mundnin pasi virusi ishte përhapur. Edhe këtu me cene, siç e dimë nga fasoneritë. Sikur me mençuri të ishin marrë masa që në shkurt, duke nisur nga mbyllja e kufijve, do të ishin të tepërta disa veprime drastike të marsit. Tjetër motiv i masave të ashpra ishte edhe gjendja e degraduar e sistemit shëndetësor e spitalor, që nuk përballonte dot pacientë në numrat e Italisë ose Spanjës.

Intervistën e plotë e lexoni në: GSh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb