Një prej të rinjve që merr pjesë në protestat në Tiranë ka deklaruar se për muaj me radhë kërkesat e qytetarëve dhe protestat paqësore janë neglizhuar nga qeveria. Ai shprehet se reagimi i kryeministrit Edi Rama vjen vetëm pas përshkallëzimit të situatës në rrugët e kryeqytetit.
Në një prononcim, protestuesi tha se të rinjtë janë ndier të padëgjuar dhe të dhunuar, ndërsa theksoi se tashmë kërkesa e tyre nuk është më për dialog, por për largimin e kryeministrit nga detyra.
“Na neglizhuan tre muaj, nuk na dëgjuan, na dhunuan. Kur u bashkuam në protestë e i vumë flakën qytetit, ai do të flasë, por ne nuk duam më të flasim, tani duam dorëheqjen”, u shpreh i riu.
Deklarata vjen në ditën e shtatë të protestave të të rinjve në kryeqytet, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Ndërsa situata mbetet e tensionuar, një pjesë e protestuesve këmbëngul se dorëheqja e Ramës është kërkesa e tyre kryesore.
