Kryeministri Edi Rama pranoi sot dështimin me mbylljen e basteve.

Në ceremoninë e nderimit të 7 sportistëve të talentuar shqiptarë, kampionë Bote dhe Europe, Rama informoi mbi ligjin për aktivitetet e basteve online, i cili sipas tij pritet të miratohet që shpejti.

Ai deklaroi tha se qeveria dështoi të mbyllte bastet dhe se prej kohësh ato funksionojnë në mënyrë ilegale, çka rrjedhimisht do të thotë se ka edhe miliona euro humbje nga kjo industri.

“Ne së shpejti kalojmë për miratim në Kuvend, pasi të hyjë këto ditë në procesin e konsultimit publik dhe pastaj në miratimin e qeverisë, ligjin për aktivitetet e basteve online, që do të jetë një hap i rëndësishëm për të formalizuar një aspekt të këtij aktiviteti bastesh”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se “eksperienca ka treguar se jo vetëm që ne nuk kemi mundur ta ndalim, por këtë nuk e ka bërë asnjë vend, përfshi edhe vendet me kontroll të madh”.

“Është një lloj aktiviteti që shfrytëzon hapësirat e internetit, ndaj në vend që të mbetet një aktivitet informal ku qarkullon shumë para e zezë, të kthehet në aktivitet të formalizuar ku të kenë akses kompanitë ndërkombëtare dhe lojtarët të kenë garanci”, shtoi ai.

Rama tha se sipas ligjit të gjitha të ardhurat do t’i shkojnë sportit, kulturës dhe teknologjisë, si mbështetje e mëtejshme e edukimit dixhital të të rinjve.

“Ndryshe nga më parë këto para nuk mund të merren e të përmbushin nevoja të tjera të qeverisë por do të jenë të fokusuara vetëm këtu. Do të kemi një strukturë të re që do të bëjë mbikëqyrjen e funksionimit të kësaj industrie të re. Do të kemi një bord kombëtar ku do të jenë pjesëmarrës përfaqësues nga qeveria, KOKSH, FSHF. etj për të përcaktuar ndarjen e fondeve në mënyrë periodike sipas nevojave të federatave sportive, sektorit të kulturës apo të rinjve që janë të përfshirë në botën e zhvillimeve teknologjike”, tha Rama.

Ndërkaq, sportistët që u vlerësuan dje me titullin “Vlerësimi i Yjeve te Mirënjohjes Publike”, janë:

Erkand Qerimaj (peshëngritje)
Alban Beqiri (boks)
Lara Colturi (ski)
Geta Beqa (bodybuilding)
Briken Calja (peshëngritje)
Eklent Kaçi (bilardo)
Zelimkhan Abakarov (mundje)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: