TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë takimit të sotëm për plehrat me krerët e bashkive dhe prefektët edhe për karburantin e prishur dje në Lushnjës nga IKMT.

Rama tha se të gjithë ata që kanë firmosur në Bashkinë e Lushnjës do të shkojnë në prokurori duke iu tërhequr vëmendjen kryetarëve të bashkive se nuk kanë asnjë të drejtë të japin leje në akset kombëtare.

“Kemi rrugët kombëtare që janë një problem më vete dhe ku nuk mund dot të konsideroheni ju si përgjegjës, pavarësisht se kur vjen puna për të dhënë leje të paligjshme për karburante, hyni dhe tek rrugët kombëtare, por kur vjen puna për t’i pastruar rrugët kombëtare jo vetëm që nuk hyni, por aty nuk ua kërkon kush. Nuk e di a e patë atë karburantin e prishur dje.
Për atë karburant të prishur dje do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që kanë firmosur në bashkinë e Lushnjës. Sepse bashkitë nuk kanë të drejtë të japin asnjë leje për asnjë në rrugët kombëtare dhe për më tepër në shkelje të plotë të atij ligji që është shkelur me të katër këmbët prej vitesh e vitesh në të shkuarën që thotë 20 metra nga aksi i rrugës kombëtare nuk mund të zhvillohet asgjë, pa diskutuar as pjesën që as pas 20 metrash nuk mund të zhvillohet asgjë në rast se është tokë buke, ndryshim destinacioni etj”, deklaroi Rama.

IKMT shembi dje një pikë karburanti pa leje në rrugën Fier-Lushnje. Fadromat e IKMT rrëzuan konstruksionin metalik dhe gjithë ndërhyrjet e tjera të paligjshme të bëra nga subjekti, i cili gjithashtu u ndëshkua me gjobë në vlerën rreth 3.8 milionë lekë të reja.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb