Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me taksën e profesioneve të lira.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Xhixho thekson se taksa e re që qeveria i ka ngarkuar si barrë profesionistëve të lirë po mbyll me detyrim mijëra biznese të vogla.

REAGIMI I XHIXHOS
TAKSA E DIJES PO MBYLL MIJËRA BIZNESE TË PROFESIONISTËVE TË LIRË
Taksa e re që qeveria i ka ngarkuar si barrë profesionistëve të lirë po mbyll me detyrim mijëra biznese të vogla. Që prej hyrjes në fuqi të kësaj takse, më 1 janar 2024:
🚫 QKB ka marrë 3 620 kërkesa për mbyllje biznesi
🚫 Me mijëra biznese të të tjera do të rrisin çmimet, duke e zhvendosur koston e shtuar te qytetarët
🚫 Informaliteti ka nisur të rritet, në përpjekje për t’i shpëtuar gjobës së re, që qeveria u vuri këtyre biznesve duke injoruar zërin e tyre
Kjo taksë që godet direkt shtresën e mesme dëmton rëndë shoqërinë shqiptare. Mijëra familje humbasin burimin e të ardhurave, ndërsa qytetarët shqiptarë do t’i paguajnë më shtrenjtë shërbimet e ofruara nga gjithnjë e më pak profesionistë të lirë që mbeten në treg.
📌 29 mijë biznese të profesioneve të lira preken nga taksimi në masën 15-23%
📌 3 miliardë lekë më shumë të ardhura do të shkojnë në arkën e qeverisë nga kjo taksë
Kjo qeveri që krijon lehtësira vetëm për klientët e vet, dënon me faliment bizneset e vogla, që paguajnë rregullisht detyrimet.
Ky ligj, si shumë politika të tjera të qeverisë, i shërben shpopullimit masiv të Shqipërisë.
Ndaj Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë interesat e profesionistëve të lirë, duke anuluar këtë taksë mbi dijen që qeveria e ka gjetur si mekanizëm për të mbushur gropat e krijuara nga korrupsioni.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb