Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, akuzoi qeverinë për keqmenaxhim lidhur me përmbytjet, zjarret dhe problemet në infrastrukturë, duke kundërshtuar cilësimin e tyre si fatkeqësi natyrore.

Ai kritikoi mungesën e investimeve në kanalizime, pajisje për zjarrfikësit dhe cilësinë e ndërtimit, duke kërkuar hetim për rastet problematike, përfshirë edhe aktivitetin e Arlis shpk nga SPAK.

Noka u bëri thirrje qytetarëve t’i kërkojnë llogari qeverisë në protestën e paralajmëruar më 17 prill, ora 18:00, përpara Kryeministrisë.

Reagimi i plotë

Përmbyten qytetet nga betonizimi dhe kanalet e papastruar. Fatkeqësi natyrore, thonë patronazhistët. Mos bëni politikë me përmbytjet!

Digjen pyjet. Ushtria lufton me thupra. Zjarrfikësit nuk kanë veshje termike, mjete e pajime që mbrojnë jetët e tyre. Opozita ngre zërin edhe për ta. Patronazhistët thonë fatkeqësi nga lart. Mos bëni politikë me zjarret!

Çahet më dysh rruga e re. Asfaltin e merr shiu i parë. Fatkeqësi, ulërasin. Mos bëni politikë me shiun!

Mos e bëj politike, na kthehen vëngër ata, që çdo ankesë qytetare e problem real e cilësojnë ende si “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”.

E njëjta mendësi në dy kohë të ndryshme.

Kjo është fatkeqësia e vërtetë.

Disa qytetarë u shprehën dje se nuk mjafton ndërhyrja zjarrfikëse përpara një rasti të tillë, ku janë përdorur materiale ndërtimi që përçojnë flakën. “Janë të paguar nga opozita”, thoshin trushplarët sehirxhinj.

Militimi në një parti politike nuk duhet të kthehet kurrësesi në advokim të korrupsionit.

Kolaudimi i pallatit që u dogj si kashtë është shkelje dhe duhet hetuar menjëherë, sikurse duhet hetuar e gjithë ndërtimtaria e subjektit privat Arlis shpk, që përflitet se pastron paratë e kartelit Xhabafti. Këtë duhet ta hetojë #SPAK.

Mos i kërkoni zjarrfikësve të bëhen theror!

Kërkojini shtetit t’i pajisë ata me mjetet e duhura!

Që jeta e tyre të jetë e mbrojtur, sepse dhe ata i pret dikush në shtëpi. Mos kërkoni heronj! Kërkojini llogari shtetit që i paguani taksa!

Kërkojani atje në shesh, përpara kryeministrisë!

17 PRILL, 18:00

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb