SHKODËR

Një aksion që zgjati vetëm 12 minuta, rreth 15 persona me katër mjete të ndryshme kanë thyer derën e Pallatin e Sportit “Qazi Dervishi” që ishte përcaktuar më përpara si KZAZ 2 në Shkodër. Kështu përshkruhet ajo që ndodhi pasditen e sotme në Shkodër. Por ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së Pallatit të Sportit por edhe subjekteve të tjera që ndodhen aty pranë, të cilat priten të sekuestrohen nga policia. Do jenë pamjet filmike ato që do të saktësojnë atë që ka ndodhur realisht.

Nga dëshmitë është mësuar se katër mjetet tip ‘Cls’ ngjyrë e zezë, “Opel Corsa” e bardhë, një “Pasat” jeshil dhe një tjetër mjet ngjyrë gri rrethuan Pallatin e Sportit në Shkodër.
15 persona kanë zbritur furishëm nga mjetet dhe i janë drejtuar menjëherë pallatit të sportit për të shpërthyer derën që qëndron e mbyllur prej ditësh për shkak se çelësat i ka bashkia Shkodër dhe kjo e fundit nuk ka lejuar që mjediset e pallatit të sportit të përdoren për KZAZ duke bërë që të zhvendoset te shkolla “Arben Broci” atje ku edhe u dërguan materialet të ruajtura nga forca të shumta policie.

Persona që shkuan për të thyer derën e pallatit të sportit janë përballur me efektivë një të policisë së shtetit dhe dy policë bashkiak. Ata i kanë shtyrë punonjësit e policisë, madje i kanë drejtuar mjetet e forta që mbanin në duar disa çekiç të mëdhenj.

Efektivi i policisë së shtetit ka tentuar që t’i filmojë me telefonin e tij por menjëherë është kërcënuar nga këta persona ende të paidentifikuar. Efektivi ka kërkuar forca shtesë të policisë por aty ka mbërritur vetëm një mjet me 3 efektivë të cilët edhe pse i kanë parë 15 personat nuk kanë ndërhyrë derisa ata janë larguar. Agresorët kanë marrë një kompjuter, dokumente dhe vulën e KZAZ numër 2.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb