VLORË

Pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi që i ka mbyllur të gjithë shqiptarët në shtëpi, në Vlorë puna vazhdon për sezonin turistik por dhe për panoramën e bregdetit Jugor.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli ka inspektuar sot punimet në pjesën e dytë të segmentit të Lungomares, nga fushat e sportit deri tek tuneli.
Ai tha se inxhinierët janë shumë optimistë, janë duke punuar gjatë gjithë ditës në oraret e lejuara për të vazhduar këto projekte të rëndësishme që në fund fare do t’i shërbejnë komunitetit, do t’i shërbejnë qytetarëve.

“Pavarësisht se tërësisht në një situatë të pazakontë ku duhet të inspektojmë punimet duke mbajtur maskë për të biseduar me arkitektët apo inxhinierët që janë duke punuar në projektet publike në territorin e bashkisë së Vlorës, gjithsesi pavarësisht situatës së pazakontë ne vazhdojmë që të ndjekim punët publike të cilat duhet të ruajnë ritmin e tyre pavarësisht bllokimin për një periudhë të caktuar. Inxhinierët janë shumë optimistë, janë duke punuar gjatë gjithë ditës në oraret e lejuara për të vazhduar këto projekte të rëndësishme që në fund fare do t’i shërbejnë komunitetit, do t’i shërbejnë qytetarëve. Kjo periudhë bllokimi ose karantine e cila është duke u ndjekur dhe respektuar nga qytetarët e Vlorës, në fund fare është garancia e madhe për të gjithë ne që duke qenë qytetarë të përgjegjshëm do të arrijmë që shumë shpejt të kthejmë në normaliteti të gjithë territorin. Është një sakrificë që duhet ta bëjmë të gjithë së bashku sepse në fund fare duhet të mirëpresim një sezon turistik që duam ta kemi të suksesshëm dhe do të përpiqemi për këtë gjë”, tha Leli.

Ai shtoi se pavarësisht se jemi në kohë lufte dhe duke u përballur me problematika të mëdha që territori ka, puna në këtë projekt kaq të rëndësishëm për gjithë territorin e bashkisë së Vlorës dhe sigurisht për vijën bregdetare të Shqipërisë është duke vazhduar me një ritëm të kënaqshëm.

“Sot kam ardhur për të inspektuar punimet në këtë pjesë të segmentit të dytë të lungomares që fillon nga fushat e sportit deri në drejtim të tunelit. Siç e shikoni ritmi i punimeve është i kënaqshëm. Sigurisht do të ishte shumë herë më i mirë në qoftë se nuk do të ishim përballur me këtë situatë të jashtëzakonshme që po përballet jo vetëm Shqipëria por gjithë vendet e botës. Pavarësisht kësaj ne jemi në një periudhë të kënaqshme punimesh, në një volum të kënaqshëm gjithashtu punimesh. Punëtorët janë të pajisur të gjithë me mjete mbrojtëse, ruajnë distancën dhe janë duke punuar kryesisht me makineri e pajisje, për të arritur që të bëjmë këtë projekt sa më shpejt të prekshëm për të gjithë qytetarët e Vlorës dhe jo vetëm. Për të gjithë ata që ne presim që të kthehet sa më shpejt normaliteti në territorin e Shqipërisë dhe të vizitojnë Vlorën dhe Jugun e Shqipërisë për të bërë pushimet e kësaj vere. Prandaj, unë ndihem optimist për punën e bërë deri sot këtu dhe jam i bindur që duke bashkërenduar punën me njeri-tjetrin do të kemi një projekt sa më shpejt të jetë e mundur për qytetarët”, u shpreh kryebashkiaku i Vlorës.

Ai shtoi se është një nga projektet më ambicioze me vështirësi shumë të mëdha teknike.
“Këtu jemi tek pjesa e fillimit të projektit, nga fushat e sportit tek tuneli. Është pikërisht pjesa e “Shkëmbit të doktorit” që jemi mësuar ta quajmë, të gjithë ata që kanë kujtime të vjetra dhe vazhdon të ngelet “Shkëmbi i doktorit si një pjesë e këtij projekti.
Nuk hiqet, është pjesë e kalimit të shëtitores që kalon midis ‘Shkëmbit të doktorit’ dhe pjesës që është e kufizuar me rrugën dhe vazhdon në një vijë lineare 400 metër me një shkallare në drejtim të detit. Absolutisht ngelen të përforcuara dhe vazhdon të punohet fortë për pjesën e projektit të pishinës së hapur e cila do të jetë për qytetarët, pishinën olimpike dhe pishinën e fëmijëve. Gjithashtu elementë të tjerë që përmirësojnë zonën e plazhit, duke i dhënë më shumë hapësirë të gjitha bizneseve dhe hoteleve që janë të ndërtuara tashmë në këtë pjesë. Është një nga projektet më ambicioze me vështirësi shumë të mëdha teknike, sepse pjesa e pothuajse gjithë shtrirjes lineare të projektit është e vendosur në kontakt me detin prandaj dhe ritmi i punimeve kërkon një mobilizim të gjithanshëm dhe ajo që unë kam ardhur sot këtu në inspektim punimesh, është që t’iu garantoj mbështetjen e gjithë punonjësve, të gjithë strukturave të bashkisë së Vlorës për të ecur paralelisht me pjesën dokumentare, me zgjidhjen oportune në çdo pjesë të projektit për të arritur që në një kohë sa më shpejt të mundshme të realizojmë këtë projekt. Sigurisht duke ruajtur atë pjesë të memories që në këtë rast është ‘Shkëmbi i doktorit’”, deklaroi Leli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb