Pas qëndrimit skeptik nga qeveria holandeze lidhur me çeljen e negociatave të Shqipërisë për BE, ministret e kabinetit qeveritar ‘Rama’ kanë bërë një lëvizje, vetëm pak ditë nga vendimi që pritet të merret nga KE. Përmes një letër zyrtare ato i kërkojnë Holandës që të mbështesin Shqipërinë për çeljen e negociatave, ndërsa flasin për forca të errëta kundër vendit tonë. Në letrën e siguruar nga ‘BalkanWeb’, të firmosur nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ministrja e Financave Anila Denaj, Etilda Gjonaj, Belinda Balluku, Elva Margariti, Besa Shahini, Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali, zyrtaret theksojnë se perspektiva europiane është çështje që i shqetëson.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ministret theksojnë së në Shqipëri ka një admirim për Holandën. “Tetë nga 15 ministritë në Qeverinë shqiptare drejtohen nga gratë; si nëna dhe vajza, si gra që luftojnë për familjet tona dhe për vendin tonë, ne do të donim të shtronim me ju një çështje që na shqetëson shumë të gjithëve, e cila ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët- perspektiva evropiane e vendit tonë. Në rrugën e demokracisë ne hymë vetëm 30 vjet më parë, pas 5 dekadash të gjata e të errëta, si një lloj Koreje europiane e Veriut”, thuhet në letrën drejtuar deputetëve holandezë.

Letra e ministreve është ndalur edhe tek bashkëpunimi mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar.

“Shpresojmë ta kuptoni se sa e vështirë është beteja jonë, të cilën nuk mund ta fitojmë të vetëm dhe disa nuk duan që ne ta fitojmë, përfshirë dhe një pjesë këtu në vendin tonë. Dështimi i përpjekjeve tona për të çelur bisedimet e anëtarësimit është çmimi më i madh për këto forca të errëta. Ne nuk kërkojmë që të ndryshoni pikëpamjet tuaja, thjesht duam që të bashkoheni me kombet e tjera të Europës duke i shtrirë dorën Shqipërisë dhe të na lejoni t’i çojmë këto përpjekje tonat në të një tjetër nivel”, -thekson më tej letra.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb