Një ditë pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka reaguar publikisht Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e ish-eprorit të UÇK-së, Rexhep Selimi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka ndarë një fotografi ku shfaqet së bashku me dy fëmijët, ndërsa në duar mban flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Krahas imazhit, Mehmeti-Selimi ka shkruar një mesazh të shkurtër, duke theksuar se do të mbetet krenare dhe e fortë nën simbolin e UÇK-së.
Reagimi i saj vjen pas vendimit të Gjykatës Speciale, e cila dënoi Rexhep Selimin me 13 vite burgim. Sipas aktgjykimit, Selimi u gjet përgjegjës për disa vepra penale që lidhen me krime lufte, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Periudha që Selimi ka kaluar në paraburgim do të zbritet nga dënimi i përcaktuar nga gjykata.
Vendimi për Rexhep Selimin, njësoj si aktgjykimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, është i shkallës së parë dhe ndaj tij mund të paraqitet ankim.
