Reportazh nga Gazetari Osman Stafa

Po shkojmë në shtëpinë e një nëne heroinë. Kështu na tha shoqëruesi ynë, një banor i zonës së Baldushkut në Tiranë. Rrugë makine për të shkuar në shtëpinë e saj nuk ka. Kështu që kalojmë nëpër ara, për t’iu afruar shtëpisë së nënës.

Afrohemi tek shtëpia dhe të parët që na presin janë qentë e shtëpisë.

Histori e fortë sociale, një nënë që kujdeset për 3 fëmijët e saj, te cilet vuajne nga probleme të shëndetit mendor.

Kjo është nënë Pranvera, se cilës vuajtjet ia kanë shtuar edhe më shumë rudhat në fytyrë, prej viteve të vështira që mban mbi supe.

Përpara 2 vitesh kjo nënë humbi bashkëshortin, babain e 3 fëmijëvë, i cili iku nga kjo botë duke e lënë të vetme me 3 djemtë e sëmurë. I madhi, Vangjeli është 42 vjeç, ai nuk ndodhet në shtëpi, pasi që herët ka ikur në pyll. Në shtëpi ishin dy djemtë e tjerë, binjakët Ervini dhe Fehmiu 39-vjeçarë.

Që prej vogëlisë e deri tash, të tre djemtë vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Janë ilaçet që i mbajnë ata të qetë dhe jo agresivë.

Djemtë nuk flisnin, veçse endeshin në oborrin e shtëpisë, secili në botën e tij.

Vendi që ata më së shumti qëndrojnë është pylli që gjendet pas shtëpisë së tyre. Ata largohen në drejtime të ndryshme dhe më pas i duhet nënës të dalë e t’i kërkojë për t’i kthyer në shtëpi.

Përveç problemit të shëndetit mendor të fëmijëve, nënës i ka rënë edhe një tjetër hall mbi supe, ai i shtëpisë. Ngrehina ku jetojnë i takon mesjetës dhe rrezikon t’i zërë brenda nënën dhe djemtë e saj.

Sa i takon ushqimit, çdo gjë ka mbetur në dorë të njerëzve zemërmirë të cilët u dërgojnë për të ngrënë.

Nënë Pranvera na tregon historine e trishtë me të cilën përballet këtu e 42 vite. Na tregon se mendimet që e shoqërojnë përpara se ta zërë gjumi, e ato që i vijnë të parat kur sapo zgjohet janë: Kush do të kujdeset për fëmijët e mi kur unë të vdes?

Nënë Pranvera, apelon për ndihmë. Kërkon vetëm një strehë të sigurt për fëmijët e saj. Kërkon një shtëpi, sado modeste, që të mos flerë me merakun se guret e trarët do i zënë brenda.

Shumë ankohen për situata të vështira me të cilat përballen. Kjo nënë nuk është ankuar për fatin e saj të trishtë, që ka rritur tre fëmijë me probleme të shëndetit mendor, këtë e ka pranuar, ajo po ngre zërin me shpresën se dikush do e dëgjojë, për t’i siguruar një banesë ku të jetojë e qetë dhe të kujdesët për 3 burra, të cilët për të, kanë mbetur fëmijë. Fëmijë në trupat e tre burrave të mëdhenj, të cilët pa kujdesin e nënës 66-vjeçare janë të humbur nëpër pyje. Kjo është fuqia e nënës, e cila nuk pyet për moshën, e as për rudhat që ka në fytyrë, por kujdeset me gjithë forcën për tre djemtë e saj.

E teksa po largohesha, më erdhën në mendje disa fjalë të cilat i kam lexuar për nënën: “Një nënë shikon gjithçka, flet pak, sakrifikon çdo gjë, ankohet pak, jep shumë dhe pret pak. Gjithçka që ajo dëshiron është që fëmijët e saj të jenë të lumtur”. Dhe nënë Pranvera është ajo nënë e vuajtur, e cila sheh gjithcka, flet pak, sakrifikon çdo gjë, për djemtë e saj. Në pamundësi për të ndryshuar sëmundjen e fëmijëve, ajo ka vendosur që pavarësisht gjithçkaje të kujdeset për fëmijët e saj, ta ketë frymën, sepse ajo është një nënë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb