Nesër në orën 11:00 është lajmëruar për një protestë të qytetarëve përpara Bashkisë së Tiranës, kundër kryebashkiakut Erion Veliaj. Protesta vjen pas arrestimit për korrupsion të disa drejtorëve të bashkisë.

Në lidhje me protestën, ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha, duke folur nga ballkoni i banesës, ku ndodhet në “arrest shtëpie” tha se shqiptarët marshojnë nesër në orën 11:00 përpara Bashkisë së Tiranës për të pastruar zyrat e bashkisë së kryeqytetit.

Pjesë nga fjala e Sali Berishës përpara mbështetësve tek “Rruga e Lirisë”:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju luftëtarëve të lirisë, misionarëve të dinjitetit dhe fitores.

Burrave dhe grave të pamposhtur!

Të dashur miq, po të shtrojmë një pyetje sonte, si mund të guxojë një fytyrë si ajo e Erion Velisë të grabisë djersën, të ardhmen e fëmijëve të tuaj dhe jetën e të dashurve tuaj?

A ka shqiptar që i rrjedh gjak shqiptari në deje të pajtohet me këtë nënshtrim, me këtë poshtërim?

Dhe poshtërimi nuk ndalon me kaq.

Kjo vjedhje është vetëm një aspekt i krimit që po u bëhet qytetarëve të Tiranës.

Erion Veliaj nuk është vetëm kryehajduti i pesë hajdutëve, drejtorë të tij.

Erion Veliaj është kryehajduti i vjedhjes së shekullit, i zhdukjes pa nam dhe nishan të 130 milionë euro, taksa të qytetarëve të Tiranës.

Erion Veliaj është kryebanditi që zhduku institucionet e kulturës kombëtare.

Është Neroni që shkatërroi në mesnatë Teatrin Kombëtar.

Është shkatërruesi i Teatrit të Fëmijëve.

Është njeriu i pashpirt, që nxori bashkë me xhenazen nga shtëpia, familjarët në zi.

Erion Veliaj është njeriu që përmbyti Bibliotekën Kombëtare. Po rrënon Muzeun.

Erion Veliaj i ka duart e lyera me gjakun e Ardit Gjoklajt, një viktimë e pafajshme e oreksit për para të këtij armiku faqezi.

A ka shqiptar që ta lejojë këtë?

Jo, kurrë.

Ditën e premte, ora 11, shqiptarët marshojnë bashkë të pastrojnë zyrat e bashkisë.

Dhe i japin përgjigje poshtërimit nga ky faqezi të qytetarëve të Tiranës, që nuk e kanë parë kurrë ndonjëherë më parë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb