IZRAEL– Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri thirrje vendeve “të përgjegjshme” që të ndjekin shembullin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe të vendosin sanksione kundër Iranit.

Netanyahu bëri apelin derisa takoi kryeministren britanike, Theresa May, të hënën në Londër.

“Irani synon të asgjësojë Izraelin, të pushtojë Lindjen e Mesme, ai kërcënon Evropën, kërcënon Perëndimin, kërcënon botën. Ai bën provokim pas provokimi”, tha Netanyahu.

Komentet vijnë vetëm pak ditë pasi administrata Trump ka vendosur sanksione të reja kundër Iranit, pasi ky i fundit ka kryer një provë me raketë balistike, më 29 janar.

Netanyahu është kundërshtar i zëshëm i marrëveshjes së vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, për programin bërthamor të Republikës Islamike. Trump po ashtu e kundërshton këtë marrëveshje.

Një zëdhënëse e kryeministres britanike tha se May “ia ka bërë të qartë” Netanyahut se Britania e mbështet marrëveshjen, në bazë të së cilës Irani ka reduktuar aktivitetin bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb