Portieri i Bayern Munich, Manuel Neuer, doli në konferencë për shtyp në prag të përballjes së madhe ndaj Real Madrid, ku u ndal te përgatitja dhe mentaliteti i skuadrës bavareze.
“Ne e dimë si është ndjesia kur kalon një sezon pa fituar trofe. Është e vështirë dhe e rëndë, sidomos për një klub si Real Madridi. E kemi përjetuar vetë këtë. Kur je me shpinë pas murit, mund të bësh gjëra të jashtëzakonshme – por nuk dua të vendos veten shumë në vendin e Realit, dua të fokusohem te ne. Jemi në formë të mirë, gjërat po shkojnë mirë, jemi në të gjitha garat dhe e kemi vetë në dorë fatin tonë. Kjo është një situatë ku ne jemi në kontroll”, tha ai fillimisht.
Se kur do të pensionohet, Neuer bën me dije se ende nuk ka marrë asnjë vendim.
“Sa më shpejt aq më mirë, do të doja të marr një vendim. Por nuk do ta lidh atë me trofetë. Idealisht do të doja t’i fitojmë të gjithë. Ende nuk kam vendosur personalisht, por nuk do të zgjasë shumë. Pastaj do të ketë bisedime me klubin”, tha ai tutje në konferencë.
Në vitin 2024, Reali e eliminoi Bayernin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pas një dygolëshi të Joselu Matos në ndeshjen e dytë në “Bernabeu”. Neueri thotë se e ka ‘harruar’ atë ndeshje tashmë.
“Skuadra aktuale është ndryshe; nuk ka të bëjë më me atë ndeshje. E dimë që gjithçka është e hapur, se çdo gjë mund të ndodhë. Por do të përpiqemi të japim maksimumin në shtëpi dhe të kalojmë më tej – ky është objektivi ynë”, bëri me dije ai.
Neueri u pyet edhe nëse e sheh vetën si portieri më i mirë në historinë e futbollit – ai e përmend edhe portierin e Realit, Thibaut Courtoisin.
“Kjo është e vështirë të thuhet, varet nga epoka për të cilën flasim. Ka shumë portierë të mëdhenj. Në dekadat e fundit janë të paktën dhjetë. Secili ka stilin e vet. Është për të ardhur keq që Thibaut Courtoisi mungon në një ndeshje të tillë. Por në të kaluarën kanë qenë edhe Peter Schmeicheli, Oliver Kahni, Iker Casillasi, Gianluigi Buffoni – dhe është edhe Courtoisi. Ka pasur padyshim portierë shumë, shumë të mirë. Të gjithë kanë meritat e tyre. Është e vështirë të thuhet kush është më i miri”.
