Nga: FITNETE GRUDA *

Ndodh një fenomen i rëndë në arsim apo në ndonjë sferë tjetër dhe mediat, partitë, opinioni shoqëror nuk rreshtin së komentuari disa ditë, po ashtu dhe institucionet përkatëse. Kështu ndodhi dhe në rastin e dhunës së ushtruar nga mësuesja, ndaj nxënësit në orën e mësimit, ku pothuajse të gjithë iu “vërsulën” mësueses. Duke përjashtuar dhunën, parimisht jam dakord por praktikisht jo. Mendoj se jo vetëm unë, por çdo mësimdhënës. Kjo nuk do të thotë se shfajësoj mësuesen në këtë rast. Sado që një veprim i tillë tentohet të arsyetohet nga ushtruesit ose “urdhërdhënësit”, dhuna ka në vetvete efekt negativ që dëmton shëndetin dhe personalitetin e një individi. Por trajtimi i njëanshëm i problemit nuk ka efekte pozitive në marrëdhëniet mësues–nxënës, përkundrazi, trazohen këto marrëdhënie dhe cenohet autoriteti i mësuesit. Kësisoj, pa dashur i themi fëmijës: “Mos lejo të tjerët të bëjnë mësim, e nesër do dalësh në media, paçka shkeljes që bëre duke përdorur telefon…”. Pushimi nga puna i mësueses në fjalë nuk është zgjidhja për të parandaluar dhunën në shkolla, mendoj unë, pasi ka pasur dhe raste të tjera kur është mbajtur i njëjti qëndrim, por kjo dukuri për fat të keq vazhdon. Do të ishte në të mirë të të gjithëve, që në këto raste të kërkoheshin pa hezitim shkaqet e vërteta. Shkolla ka mision mësimin dhe edukimin e nxënësit, ndaj në thelb mësuesi duhet të ketë punën edukative me nxënësit të ashtuquajtur “të vështirë”. Ai duhet t’i përshtatet temperamentit të nxënësit duke gjetur metodat më efikase në trajtimin e tij, të jetë tolerant brenda caqeve të lejuara (jo hakmarrës në notë për sjelljet e pakëndshme të tij), të marrë në konsideratë probleme të ndryshme që mund të kenë familjet e tyre. Kjo është metodika e mësuesit dhe unë mendoj që mësuesi duhet të bëjë maksimumin për nxënësin e tij; por të jemi koshientë që, marrja në mënyrë specifike disa herë brenda një ore mësimi me një nxënës të kësaj natyre do të ishte humbje kohe për nxënësit e tjerë, që jo vetëm prindërit e tyre nuk do ta dëshironin, por as vetë nxënësit, paçka se dhe ata mund të jenë tolerantë ndaj shokëve të tyre. Shkolla ka për detyrë të respektojë rreptësisht të drejtat e nxënësve, ashtu sikundër të jetë kërkuese në zbatimin e detyrave të tyre. Këtë mund ta shohim dhe në nenin 115/1 të DN (Dispozitës Normative), i cili thotë: “Institucioni arsimor mban qëndrim jotolerant ndaj cenimit të procesit mësimor, të sigurisë në shkollë dhe shëndetit të nxënësve dhe punonjësve të shkollës në mjediset e saj”. Kjo vlen dhe për mësuesit. Kur mësuesi shkel të drejtat e nxënësit, ai ndëshkohet sipas rregullave të përcaktuara në ligj dhe është diçka më se normale. Por kur nxënësi apo prindi shkel në mënyrën më të rëndë të drejtat e mësuesit, nuk ndodh e njëjta gjë. Kush e mbron atëherë mësuesin?! Nuk duhet harruar që, ata janë adoleshentë, por kur shkeljet janë të rënda, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Në DN janë përcaktuar veprimet e përshkallëzuara dhe masat disiplinore që mund t’i jepen një nxënësi që bën shkelje, po ashtu kush do të quhet shkelje për nxënësin. Por për ciklin 9-vjeçar masat e përcaktuara nuk janë të nivelit që mbrojnë dinjitetin e mësuesit. Unë mendoj që, një ndër shkaqet kryesore të dhunës në këto përmasa në shkolla është mangësia në ligj për masat disiplinore për shkelje të rënda që bën nxënësi. Vërtet kjo mund të jetë bërë për shkakun se për këtë moshë arsimi është i detyrueshëm, por dhe një pikë në këtë nen nuk është se cenon arsimimin definitiv të fëmijës. Ose, përgjegjësia në këto raste t’i lihet prindit dhe kjo të sanksionohet në ligj. Prindi ka përgjegjësinë kryesore për edukimin e fëmijës. Në këtë mënyrë nxënësi, që në këtë moshë edukohet me ndjenjën e përgjegjësisë për fajet dhe ai do të ndërgjegjësohet që faji dënohet. Kjo ndihmon që nesër ky fëmijë të mos bëhet kontingjent i botës së krimit etj. Në këtë mënyrë vihet në vend autoriteti i mësuesit. Nuk flas për atë kategori mësuesish që nuk respektojnë orën e mësimit me të gjitha kërkesat e saj dhe përdorin dhunën si mjet për të vënë autoritetin e tyre. As për ata që përdorin nxënësit dhe prindër të veçantë kundër kolegëve të tyre, por për ata që autoritetin e tyre e vënë me punë. Për fat të keq, ndonjëherë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë lançojmë dhunë në shkollë, kur kërkesa e llogarisë sipas rregullores së shkollës nuk është unike nga gjithë stafi pedagogjik (ky është koncept i gjerë që kërkon trajtim të veçantë), apo kur nxënësit vërejnë që një pjesë mësuesish apo dhe drejtuesit i shohin mësuesit korrektë si pengesë në shkollë, duke përcjellë te nxënësit mesazhin se njeriu është i suksesshëm dhe dominues me forcë dhe jo me vlera. A ka dhunë më të rrezikshme se kjo! Dhe pikërisht kjo e fundit çon të mendoj se si një mësuese Matematike “detyrohet” të ushtrojë atë dhunë kur vetë Matematika me larminë e saj e bën orën më të gjallë dhe mësuesi që drejton këtë orë ka autoritetin që i transmeton puna e tij por dhe vetë lënda. Trajtimi jo i barabartë, mosofrimi përkrahjes për secilin në shkollë mund të jenë shkaqe të dhunës. Të gjitha këto kanë të bëjnë me keqmenaxhimin e shkollës. Nuk duhet anashkaluar dhe infrastruktura jo e mirë e shkollave. Një ambient jo i përshtatshëm për mësim, pa ngrohje në dimër, nuk motivon nxënësin për mësim. Evidentimi i rasteve të dhunës më së shumti kërkohet nëpërmjet pyetësorëve. Jo gjithmonë kjo formë është efektive, pasi ka raste kur mësues apo drejtues të ndryshëm ndërhyjnë te nxënësit, në forma të ndryshme, për të deformuar realitetin. Për të parandaluar dhunën, ndër të tjera duhet mirëkuptim i përbashkët drejtori e shkollës, psikolog, mësues, mësues kujdestar, nxënës, prindër, për problemet në shkollën e tyre, si dhe strukturat e tjera përkatëse, duke dalë më pas në një marrëveshje të qartë. Kësisoj, duke u bazuar te shkaqet që listova etj., unë mendoj që disiplinimi i arsimit është një sfidë e cila nuk duhet neglizhuar.

 

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: