Sot në ditën e shtatë të protestës studentore kryeministri Edi Rama në vend të japë përgjigje për shqetësimin dhe revoltën qytetare, zgjodhi të sulmonte sërish News24, për shkak të pasqyrimit të gjerë që po i bën këtij zhvillimi.

Zoti Kryeministër!

Ka momente në historinë e një vendi që mbeten të dokumentuara jo vetëm në kujtesën e qytetarëve, por mbi të gjitha, në kamerat e gazetarëve.

21 janari 2011 ishte një prej tyre. Atë ditë, News24 filmoi dhe transmetoi drejtpërdrejt protestën që ju drejtonit si lider i opozitës.
Sot, 15 vjet më vonë, të njëjtat kamera dokumentojnë protestat e qytetarëve ndaj qeverisë që ju drejtoni.

Kamerat tona nuk kanë ndryshuar këndvështrim. Ka ndryshuar pozicioni juaj përballë tyre.

Për këtë arsye, i dëgjojmë me habi sulmet tuaja të përsëritura kundër News24, për pasqyrimin e protestave studentore dhe qytetare. Është e habitshme që i njëjti mision gazetaresk, i cili dikur dokumentonte ngjarjet dhe shërbente si dëshmi e asaj që ndodhte në vend, sot bëhet shkak për sulme dhe akuza ndaj nesh.

Zoti Kryeministër,

Më 21 janar 2011, pamjet e transmetuara nga televizioni ynë ndihmuan në dokumentimin e asaj që ndodhi atë ditë, përfshirë momentet kyçe të vrasjes së protestuesve. Ju vetë i keni përdorur në mënyrë të përsëritur ato pamje në përballjen tuaj politike me pushtetin e atëhershëm.

Nëse News24 nuk do kishte filmuar atë ditë, në atë çast, në atë vend, fati juaj sot me siguri do ishte krejt tjetër.

Ne nuk kemi ndryshuar mision. Nuk kemi ndryshuar detyrën tonë ndaj publikut. Nuk jemi ne që e krijojmë realitetin. Ne e dokumentojmë dhe e pasqyrojmë atë, pavarësisht se kujt i pëlqen dhe kujt i shkakton shqetësim.

Më 21 janar 2011, kamerat tona filmuan protestën që ju drejtonit. Sot filmojnë protestat kundër qeverisë që drejtoni ju zoti Kryeministër.

News24 do të vazhdojë të bëjë gazetari, ashtu siç ka bërë edhe më parë. Do të vazhdojë të filmojë, të dokumentojë dhe të transmetojë atë që ndodh, pa dallim se kush proteston dhe kush qeveris. Ju takon juve të tregoni nëse jeni të gatshëm ta respektoni të drejtën e saj për ta bërë këtë pa presion, pa intimidim dhe pa sulme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb