Gjatë protestës së 50-të në sheshin para Kryeministrisë, një prej protestuesve foli mbi sulmin arbitrar të Tatimeve ndaj “Prestige Resort”.

Aktivisti Ilir Xhemalaj i ka dhënë zë asaj që ka ndodhur në Prestige Resort, duke u shprehur se gjithçka ka ndodhur si formë presioni nga shteti ndaj New24, si e vetmja media e cila transmetoi protestën nga dita e parë e deri sot ku ndodhemi në ditën e 50 të saj.

Aktivisti i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të mos ushtrojë presion ndaj mediave dhe aktivistëve.

“Vazhdon akoma, në ditën e 50-të, presioni ndaj të gjithë nesh. Nëse në ditët e para u morën me ne, aktivistët, më pas vazhduan me të gjithë ata që kanë biznese, ndërsa sot vazhdojnë me mediat. Sapo më ka ardhur një denoncim, ku një media e cila ndjek 24 orë në ditë protestën këtu në shesh, e ka transmetuar live dhe nuk është turp t’ia themi emrin, News24, sot është kërcënuar. I është bërë presion nga Tatimet e këtij shteti.

Ndaj thirrja ime është që ky shtet të lërë presionet mbi aktivistët, mbi njerëzit, të lërë presionet mbi çdo media që transmeton këtë protestë dhe të ushtrojë presion mbi Snezhana Paunoviçin, Vuçiçin, Daçiçin dhe të gjithë ata të tjerë që nëpërkëmbin popullit shqiptar. Nuk duhet në asnjë mënyrë të heqim fokusin nga kjo protestë. Ky pushtet sot ka më shumë frikë dhe frika e tij është që njerëzit këtu nuk ikin. Ne do të rrimë këtu në shesh deri në largimin e kësaj qeverie, të këtij sistemi. Rama në burg, Berisha në burg”, tha ai.

Deklaratë për mediat nga “Prestige Resort”:

Duke marrë shkas nga veprimet e fundit të ndërmarra nga organet tatimore ndaj Prestige Resort, Golem, ndiejmë detyrimin të përgënjeshtrojmë pretendimet e ngritura prej tyre, si edhe çdo deklaratë apo informacion të pavërtetë të shpërndarë nga palë të treta, të cilat, në kundërshtim me ligjin dhe faktet, janë bërë pjesë e një fushate dezinformimi dhe shtrembërimi të së vërtetës.

Kjo deklaratë u drejtohet opinionit publik, klientëve, partnerëve dhe bashkëpunëtorëve tanë.

Më datë 18.07.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ndërmori një kontroll të befasishëm pranë Prestige Resort, pa asnjë njoftim paraprak. Gjatë këtij kontrolli nuk u konstatua asnjë shkelje fiskale, asnjë punonjës i padeklaruar dhe asnjë klient pa kupon tatimor. Pra, kontrolli nuk evidentoi asnjë shkelje dhe, për rrjedhojë, nuk ekzistonte asnjë bazë ligjore për marrjen e masave ndëshkuese ndaj resortit.

Megjithatë, sipas informacionit të marrë gjatë zhvillimit të kontrollit, inspektorëve u është kërkuar nga strukturat qendrore të Tatimeve që të evidentonin patjetër një shkelje. Në këto rrethana, është tentuar të fabrikohet një pretendim për shkelje dhe në vazhdën e këtij veprimi, inspektorët kanë kërkuar të sekuestrojnë kompjuterët dhe pajisjet e punës së Prestige Resort.

Është e qartë se synimi nuk ishte zbatimi i ligjit, por bllokimi i aktivitetit të një resorti që vazhdon të operojë pavarësisht një serie veprimesh të vazhdueshme të administratës shtetërore ndaj tij, duke filluar nga gjobat, prishja me eksploziv, konfiskimi i pronës dhe deri te përpjekjet për paralizimin e aktivitetit të përditshëm.

Synimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve duket i qartë: t’i japë Prestige Resort një goditje në kulmin e sezonit, duke privuar në mënyrë të paligjshme subjektin nga pajisjet e domosdoshme për operimin normal të aktivitetit, duke siç janë kompjuterët e sistemit të check-in/check-out e deri te pajisjet fiskale.

Inspektorët sekuestruan kompjuterët në mënyrë arbitrare, veprim që në mungesë të çdo procedure ligjore, përbën një rast të qartë të shpërdorimit të detyrës.

Pikërisht në momentin e sekuestrimit, administratori i shoqërisë iu drejtua Drejtorisë Vendore të Policisë Kavajë për të paraqitur kallëzim penal. Kallëzimi nuk iu pranua dhe administratori u orientua të paraqitej pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Aty, pas zvarritjes së procedurave, kallëzimi penal u depozitua.

Pas paraqitjes së kallëzimit penal, inspektorët krijuan artificialisht pretendimin se u ishte kufizuar liria. Ky pretendim është tërësisht i pavërtetë.
Ata kanë qëndruar në ambientet e resortit me vullnetin e tyre të lirë, pa iu kufizuar lëvizja apo ushtrimi i detyrës në asnjë moment. Gjatë gjithë kohës ata kanë qëndruar në ambientet e recepsionit të hotelit, një ambient publik, ku gjithçka është filmuar edhe nga kamerat e News24. Ky fakt, së bashku me pamjet e kamerave të sigurisë së resortit, provon qartë se nuk ka pasur asnjë kufizim të lirisë së tyre.

Prestige Resort ka qenë i hapur gjatë gjithë kohës, vijon të jetë plotësisht funksional dhe ka pritur e vijon të presë turistë. Nuk ka ekzistuar asnjë ambient i mbyllur apo i bllokuar për inspektorët. Gjatë gjithë kohës ata kanë qëndruar në hollin e hotelit dhe kanë ushtruar veprimtarinë e tyre pa asnjë pengesë apo kufizim.

Hedhim poshtë me vendosmëri çdo pretendim të pavërtetë, trillim dhe përpjekje për të dezinformuar e manipuluar opinionin publik. Njëkohësisht, bëjmë të qartë se çdo veprim arbitrar dhe i kundërligjshëm i ndërmarrë nga organet tatimore apo çdo strukturë tjetër shtetërore do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion.

Çdo person që ka tejkaluar kompetencat e tij, ka shpërdoruar detyrën ose ka cenuar të drejtat dhe interesat e ligjshme të Prestige Resort do të mbahet përgjegjës përpara organeve kompetente, deri në rivendosjen e plotë të ligjshmërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb