Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja në lidhje me laboratorin e drogës të gjetur pak ditë më parë në Skrapar. I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve të ‘News24’, Hoxha përgënjeshtroi lajmin se brenda objektit u gjetën 6 ton drogë, por aty u kapën 3 kg mbetje narkotike.

Gazetari tha se pavarësisht aksionit të policisë në objekt, aty zhvillohej një biznes fason, në të cilin vazhdonin punën rreth 60 gra, shkruan BalkanWeb.

“Në pamje shohim ambientet e godinës 2 katëshe. Mes tyre ndodhej një objekt që ishte kthyer në biznes fason, ku prodhohen ambalazhe për pijet alkoolike. Ishin të punësuar rreth 60 gra. Kjo kantinë prodhohen ambalazhe kartoni për pijet alkoolike. Puna vazhdonte pavarësisht aksionit të policisë. Është arrestuar pronarja e projektit, bashkëshortja e ish-kryetarit të bashkisë Lefter Lame, që ndërroi jetë nga një sëmundje në vitin 2010. Objekti ku është bërë ndërhyrja ishte akoma pronë e një shtetasi gjerman, Martin Bauer.

U tha në fillim që ishte laborator modern, por nga çfarë pashë unë nuk ka asnjë element për të qenë laborator. Janë ambiente ku kultivohet lënda narkotike me llamba. Prokuroria i ka arrestuar personat në lidhje me këtë ngjarje me akuzën se kultivohet kanabis. Brenda objektit u tha që u gjetën 6 ton, por aty u kapën vetëm 3 kg mbetje. Aty kishte pajisje aspirimi, ka pasur shtretër që do të thotë se kishte persona që rrinin aty. Kishin dhe ushqime. Edhe pse të zotët e objektit përballë thonë që nuk e përdornin prej 2 vitesh këtë objekt. Dyshimet kanë qenë që jo vetëm kultivohej, por dhe përpunohej,” tregon Hoxha.

Nga ana tjetër Hoxha tha se në rastin e Skraparit nuk kishim të bënim me një laborator droge, pasi ai nuk ishte i tillë. Sipas gazetarit, ai ishte një vend ku kultivohej në ambiente të mbyllura.
“Unë nuk kam parë asnjë element nëse kishte të bënte në këtë rast për laborator droge, por është kultivim në ambiente të mbyllura. Laboratorët e fundit që janë kapur në Shqipëri, ka qenë në Lazarat në 2014-ën”, tha Hoxha.

Po ashtu Hoxha theksoi se pavarësisht se ka pasur të arrestuar, deri më tani nuk është kapur asnjë bos droge.

“Në rastin e Durrësit është një rast i regjistruar vitet e fundit dhe lënda narkotike është futur nga Qafë Thana. Ndaj s’u kontrollua në Durrës. Për t’u çuditur nga të gjitha operacionet që janë bërë, nuk është kapur asnjë bos i drogës. Ashtu siç ndodhi në Lazarat, që s’u arrestua asnjë nga bosët, janë 20 grupe kriminale, të njëjtët bosa që po bëjnë të njëjtin aktivitet në gjithë vendin. Po arrestohen policë, fermer, njerëz të thjesht. Ne nuk ia kemi prerë kokën këtij aktiviteti kriminal nëse nuk goditen bosët. Ministri i ri ka vendosur një standard, që në çdo territor që kapet një sasi narkotikësh gjithë komisariati shkon për procedim penal. Çmimi i kanabisit vijon të jetë i ulët, pasi sasia që kalon është e madhe.
 (e.f/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb