TIRANE- Që prej datës 7 shtator, pas marrëveshjes së arritur mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare “Rapiskan” ka nisur skanimi i kontenierëve dhe mjeteve të transportit në dogana. Për këtë shërbim bizneset shqiptare nga çdo pikë doganore e vendit do të paguajnë tashmë tarifën e re prej 22 eurosh.
Por që nga kjo datë kanë nisur edhe problemet e para me të cilat hasen transportuesit, të cilët janë të detyruar të paguajnë tarifën, ndonëse nuk kryejnë asnjë lloj skanimi. Në shumë pika kufitare skaneri nuk ekziston.

Të tensionuar biznesmenët që kalojnë nga kjo pikë doganore ankohen jo vetëm për tarifën e lartë që u duhet të paguajnë për një shërbim që nuk e marrin, por edhe për pritjen e gjatë në radhë për kontrollin fizik të mjeteve.

E njëjta situatë konstatohet edhe në doganën e Hanit të Hotit në Shkodër. Skaneri që duhet të kryej kontrollin e mjeteve nuk është instaluar ende ndërkohë që bizneset vijojnë të paguajnë tarifën 22 euro. Vetë drejtori i doganës Nazmi Hasanaj konfirmon për “News 24” se sipas urdhrit të Ministrisë së Financave duhet të zbatojnë marrjen e tarifës për çdo praktikë doganore edhe pa kryer procesin e skanimit. Kjo sipas drejtorit të pikës kufitare të Hanit të Hotit do të zgjasë deri pas ndërtimit të doganës së re.

“Më datën 7 ka hyrë në fuqi tarifa e skanimit për kontejnerët dhe mjetet e transportit. Kjo tarifë merret për çdo praktikë doganore. Zbatimin e kemi nisur që në datën 7 dhe vijojmë normalisht. Realisht këtu nuk është instaluar skaneri por më datë 15 fillon zbatimi i tenderit për ndërtimin e doganës së re. dhe me përfundimin e ndërtimit do të instalohet edhe skaneri tjetër. Ne fillimisht siç do praktikë e re na kërkohet sqarime nga subjektet e transportimit dhe i kemi sqaruar se është një marrëveshje qeveritare duke u thënë se tarifa është ulur në 22 euro krahasuar me atë të parën. Këtu do bëhet një doganë bashkëkohore me 7 korsi me terminal rreth 1 km e gjysmë dhe patjetër do të vendoset edhe skaneri”, tha Hasanaj.

Përfundimi i ndërtimit të skanerit pritet të zgjas disa muaj dhe deri atëherë bizneseve u duhet të orvaten dhe të shpenzojnë kohë , gjë që për ta do të përkthehet në dëm ekonomik.

Në marrëveshjen e re për rifunksionimin e kompanisë “Rapiskan”, u vendos pagesa prej 22 eurosh për çdo skanim që kryhet mbi bazën e deklaratës doganore. Ndërsa për deklaratat doganore që janë me vlerë deri në 1,000 euro, pagesa respektive është 5 euro.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: