Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me operacionin ndërkombëtar, të Antimafias Italiane dhe SPAK, që çoi në ekzekutimin e 10 masave të sigurisë. Gazetarja Klodiana Lala, duke iu referuar SPAK, raporton për BalkanWeb se në Shqipëri u arrestuan 4 persona dhe në Itali 6, ndërsa grupi akuzohet për pastrim parash, por dhe një sërë veprash të tjera kriminale.

Hetimi, i kryer nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit dhe Skuadra Fluturuese e Shtabit të Policisë së Andrias, kishte të bënte me vrasjen e Francesco Diviestit, parukierit nga Barleta, i gjetur i vdekur në fshatin Canosa di Puglia më 25 prill 2025, si dhe me një grup të organizuar, me bazë në Tiranë, të akuzuar për pastrim ndërkombëtar të parave nga Italia në Shqipëri.

Po ashtu këtij grupi kriminal në vitin 2025 iu sekuestruan në Muriqan rreth 700 mijë euro, që thuhet se ishin para të pista, ndërsa hetimi iu la prokurorisë së Shkodrës. Grupi në fjalë kishte role të ndara. Sipas SPAK, Ergys Kastrati allias Bishja, në bashkëpunim me gruan e tij, dyshohet se pastronin paratë e pista.

Ai u kap në një vilë në një zonë rezidenciale gjatë operacionit të forcave speciale, ndërsa prej 2 vitesh ishte në kërkim policor. Ndërkohë, Igli Kamberi, që është dhe kreu i këtij grupi, vepronte nga Italia, ndërsa ai cilësohet dhe si kreu i kësaj bande. Emri i tij akuzohet për vrasjen e parukierit Diviesti si dhe për trafik droge, por dhe për disa ngjarje të tjera kriminale.

NJOFTIMI I SPAK
Hetimet zbuluan se në mbrëmjen e datës 25 Prill 2025, Francesco Diviesti u përfshi në një konflikt, në një bar të Barletta-s dhe u dërgua brenda disa shpellave, pranë një zonë të izoluar në Murgia-n e sipërme, në Casosa di Puglia, ku është qëlluar 5 herë nga dy pistoleta dhe më pas, i është vënë flaka brenda disa gomave, me qëllim që kufoma të digjej, sipas një metode të përdorur në vitet ’90, në këtë zonë. Duke iu referuar kësaj mënyre të ekzekutimi, hetimi u mor përsipër nga Drejtoria Antimafia e Barit, duke lokalizuar kufomën brenda katër ditëve. Më 25 Qershor, shtetasi shqiptar i përfshirë në krim, i cili ishte larguar dy ditë pas ekzekutimit të Diviesti-t, u arrestua në qytetin Roshe të Hungarisë, jo për vrasje, por për posedim të 24 kilogramëve kokainë të pastër, në kuadër të procedimit të Prokurorisë së Tranit. Drejtoria Antimafia e Barit i kishte dërguar provat kësaj Prokurorie për të bërë të mundur arrestimin e tij për këtë krim. Në të njëjtën kohë, tek familjarë të tij u sekuestruan mbi 412.000 euro ‘cash’ si dhe u dokumentua përfshirja e tre shtetasve italianë në këtë çështje penale në hetim.

Rindërtimi i vrasjes së Diviesti-t dhe identifikimi i grupit kriminal të përfshirë në pastrimin e produkteve të veprës penale u bë i mundur falë një hetimi më të gjerë ndaj shtetasve shqiptarë të vendosur në Puglia, të zhvilluar nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, nën drejtimin dhe koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Barit, në kuadër të trafiqeve ndërkombëtare të drogës nga Shqipëria në Puglia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb