Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka raportuar sot në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, ku ka deklaruar se Shqipërisë duhet t’i hapen negociatatpa kushte. Lleshaj ka bërë një përmbledhje të të gjitha atyre që ka kaluar vendi ynë, që nga viti i mbrapshtë i ’97-ës, e deri më sot, ku sipas tij, ka një rritje të luftës ndaj krimit të organizuar.

“Shqipëria duhet të fillojë negociatat pa kushte për anëtarësimin në BE, dhe shpresoj që nesër ky do të gjejë konfirmimin e krerëve të shteteve përkatëse europiane. Kam pasur mundësinë që gjatë gjithë këtyre kontakteve që janë zhvilluar në këtë kontekst, pra që kam patur me homologë nga Franca, Holanda, Çekia, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Kroacia, Belgjika, Kosova, Mali i Zi etj., të konstatoj pikërisht vlerësimin e lartë që ata kanë për progresin e bërë nga Shqipëria. Jo vetëm një vlerësim në rangun e Komisionit Europian por dhe një vlerësim në rangun e vendeve partnere, ku siç e dini shumica prej tyre e kanë pranuar tashmë hapjen të negociatave pa asnjë kusht me Shqipërinë”, ka deklaruar ministri.

Raportimi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj

Së pari, më vjen shumë mirë dhe përgëzoj nismën për ta organizuar këtë tryezë, e cila vjen një ditë para vendimit final ose një ndër vendimet finale që merren për Shqipërinë sa i përket integrimit të saj në BE. Ky vit do të ishte e mira të kishte qenë një vit, që të kishte vetëm këtë logo – integrimin e Shqipërisë në BE, por për fat të keq jo nga gjithë aktorët, të cilët kanë përgjegjësi për integrimin europian të vendit, është kuptuar si i tillë. Megjithatë kjo e sotmja meriton gjithë vlerësimin dhe konsideratën si inisiativë për të diskutuar rreth çëshjtjes më madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm për këtë vit por edhe këtë shekull që është integrimi në BE.

Ministria e Brendshme është një Ministri, e cila ka një peshë të konsiderueshme në këtë proces, madje ajo është ministria lider në kapitullin 24, i cili është kapitulli që e hap dhe që e mbyll gjithë procesin e negociatave, është kapitulli që merret me lirinë, drejtësinë, dhe sigurinë. Dhe e ndërgjegjshme për këtë përgjegjësi të madhe, Ministria e Brendshme ka ndërtuar punën e saj për të përballuar përgjegjësitë e mëdha në këtë drejtim, përgjegjësi që lidhen kryesisht me të ashtuquajturin ‘Procesi screening’.

Është ai proces i cili synon që ne të lexojmë mirë gjithë legjislacionin europian, ta kuptojmë mirë atë ta analizojmë thellë atë, të vlerësojmë diferencat mes tij dhe legjislacionit kombëtar. Dhe pastaj të mundohemi që gjithë diferencat t’i eliminojmë. Pra në fund të këtij procesi do duhet që ne të kemi një legjislacion të përafruar me legjislacionin ose me aquis europiane. Një proces jashtëzakonisht kompleks, i vështirë, i ndërlikuar që kërkon profesionalizëm të madh, ekspertizë të jashtëzakonshme. Dhe ky proces ka filluar dhe puna është zhvilluar mirë, janë zhvilluar shumë takime në Bruksel, në Shqipëri, për të verifikuar suksesin në këtë proces. Mund të them që është bërë punë e madhe, megjithatë pjesa më e madhe e punës mbetet për t’u bërë, sepse bëhet fjalë për reth 100 mijë faqe dokumentacion, i cili duhet lexuar, kuptuar dhe transpozuar.

Megjithatë sa i përket integrimit europian të vendit, dua të them që në ndjekje të asaj tradite që ne besojmë më shumë raportet e të huajve për ne, se sa tonat për vete, nëqoftëse do t’i referohemi raportit të progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, do të themi që progresi i Shqipërisë dhe në këtë fushën e integrimit europian të vendit është tashmë një fakt i mirënjohur nga Komisioni Europian, i cili për shkak të këtij progresi ka rekomanduar dhe hapjen e negociatave pa kushte për Shqipërinë. Një progres i cili gjendet në të gjithë raportin. Unë në fakt nuk jam ndonjë fans i madh i raporteve ndërkombëtare, për arsye se besoj që raportet kombëtare janë më të detajuara dhe më të sakta. Megjithatë ky raporti i Komisionit Europian është një tregues që thotë ato gjëra që në Shqipëri kanë ndodhur.

Shqipëria duhet të fillojë negociatat pa kushte për anëtarësimin në BE, dhe shpresoj që nesër ky do të gjejë konfirmimin e krerëve të shteteve përkatëse europiane. Kam pasur mundësinë që gjatë gjithë këtyre kontakteve që janë zhvilluar në këtë kontekst, pra që kam patur me homologë nga Franca, Holanda, Çekia, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Kroacia, Belgjika, Kosova, Mali i Zi etj., të konstatoj pikërisht vlerësimin e lartë që ata kanë për progresin e bërë nga Shqipëria. Jo vetëm një vlerësim në rangun e Komisionit Europian por dhe një vlerësim në rangun e vendeve partnere, ku siç e dini shumica prej tyre e kanë pranuar tashmë hapjen të negociatave pa asnjë kusht me Shqipërinë.

Kemi dy vende të cilat kanë ende dozë pikëpyetjesh, ndërkohë që 26 të tjera janë që kanë shprehur miratimin pa kushte të hapjes së negociatave. Megjithatë ju rekomanduat të mos ndjek raportin që kam përgatitur, po të ndjek një qasje më fleksible, t’u përgjigjem pyetjeve tuaja në vend që të lexoj raportin. Unë e pranoj dhe këtë, madje më duket më elegante kjo mënyrë t’u përgjigjem pyetjeve se sa të lexoj një raport i cili është i gjatë dhe i detajuar. Megjithëse ju po ashtu nga ana tjetër kërkoni shumë shifra.

Në fakt ne jemi përpjekur t’i japim Kuvendit një raport, i cili mund të lexohet, sepse kuptohet me 15 mijë veta që kam në administratë, unë mund të bija një raport me 200 mijë faqe, që të kishte të gjithë detajet, por do të ishte praktikisht i papërdorshëm. Ne kemi ndjekur këtë qasje që t’i sjellim Kuvendit një raport të karakterit politik dhe strategjik, ku ka gjëra themelore me pritshmërinë që ky mjafton dhe nëse nuk mjafton, atëherë mund t’u përgjigjemi detajeve sipas interesit të gjithë anëtarëve, të deputetëve apo të interesuarve të tjerë për detaje.

Kështu që duke ndjekur këtë axhendë që propozuat, po shkoj tek çështja e parë që ka të bëjë me pyetjen:

“A ka goditje të krerëve të krimit të organizuar?”

Para disa ditësh isha në Bruksel dhe m’u bë një pyetje po ashtu nga një gazetare shqiptare, se shqiptarët i kanë pyetjet më interesante “A i keni goditur peshqit e mëdhenj?” Dhe falë asaj, unë po huazoj veten nga përgjigjja që i kam dhënë gazetares atje në Bruksel, që i thashë, së pari duhet të biem dakord për një përkufizim që çdo të thotë “peshk i madh”. Ka një lloj bestytnie sikur krimi i organizuar është aq i organizuar sa ka edhe një krye-ndërkombëtar të themi të narkotikëve, etj.

Shkalla e organizimit në botën e krimit është e ndryshme. Nuk është e thënë që ne do të gjejmë se s’bën, ai që të arrestohet të jetë kreu, të jetë “Eskobari” i botës. Por ama nëse doni përgjigje konkrete për këtë, mund të themi që kemi goditur shumë organizata kriminale, shumë.

Mund t’ju them që në vitin 2019 krahasuar me një vit më parë, pra me vitin 2018, kemi rritje jo me disa përqind, por me herë, në numrin e grupeve kriminale të goditura nga Policia e Shtetit, – me herë.

Në qoftë se në periudhën Janar – Shtator 2018, janë zhvilluar 17 operacione të mëdha – (nuk flas për numrin e pafundëm të operacioneve kundër krimit) – në të njëjtën periudhë të këtij viti janë organizuar 31 operacione të mëdha policore kundër grupeve të organizuara kriminale.

Nëqoftëse në vitin 2018, pra Janar – Shtator janë shkatërruar 10 grupe të krimit të organizuar, në vitin 2019 për të njëjtën periudhë, janë shkatërruar 22 të tilla, ose plus 120 % më tepër grupe të krimit të organizuar, që janë shkatërruar nga strukturat tona ligjzbatuese.

Kur flas për strukturat ligjzbatuese, nuk flas vetëm për Policinë e Shtetit, flas për Prokurorinë, për partnerët ndërkombëtarë, pra bëhet fjalë për operacione shumë të ndërlikuara, komplekse, të cilat kanë çuar në shkatërrimin e këtyre grupeve.

Pastaj kur vjen puna për të folur për anëtarët e tyre, pra janë rreth 125 anëtarë grupesh kriminale, flas për anëtarë të grupeve kriminale të rrezikshme. Nuk flas për numrin e të arrestuarve për krime të rënda se sa është ky numër.

Personat e arrestuar për krime të rënda janë 4,755 vetë, vetëm gjatë këtij viti. Pra që është numër jashtëzakonisht i madh, dramatikisht i madh, i cili tregon dhe një përmasë të problemit që kemi në Shqipëri, por mund ta bëjmë edhe kështu.

Analiza se përse ka ardhur kjo, secili mund ta bëjë vetë, unë nuk them që kjo ka të bëjë me punën e paraardhësve. Ne jemi në një proces konsolidimi si shoqëri. Nuk është e thënë që rezultatet e viti 2020 të jenë më të këqija se të 2019-ës. Për arsye se kjo është tendenca e përgjithshme e zhvillimit tonë si shoqëri, si shtet, jemi në një fazë konsolidimi të pandërprerë. Nuk dua t’ia lë meritat as vetes, as atyre, se po të njëjtit njerëz janë që po bëjnë punën. Nuk kanë ardhur nga një planet tjetër, ajo polici, ajo prokurori, ato gjykata, ato organe inteligjence pak a shumë. Puna pra është pjesë e një procesi.

Sigurisht ne kemi intensifikuar patjetër, kemi pasur theks të veçantë ndaj kësaj fushe, kemi riorientuar burimet. Jemi fokusuar në këtë punë, dhe tjetër e rëndësishme kemi bashkëpunuar shumë me partnerët dhe me njëri-tjetrin. Them që është shumë e rëndësishme të përmend faktin që bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë faktor kyç i këtyre treguesve.

Bashkëpunimi me prokurorinë, me policinë, me shërbimet inteligjente, me agjencitë e parandalimit dhe pastrimit të parave, me doganat, me tatimet, janë të gjithë faktorë, që kanë çuar në këto tregues të cilët janë për t’u respektuar. Nuk dua të bëj shumë vetëvlerësime por këto shifrat janë të tilla, kokëforta.

Sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me luftën kundër aseteve kriminale në përgjithësi dhe parandalimit të pastrimit të parave, do të thosha që edhe në këtë aspekt janë bërë arritje të jashtëzakonshme, do të thosha këto janë arritje vërtet të mëdha.

Së pari, përmendet edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, megjithëse nuk është nevoja për të shkuar për ta gjetur atje faktin, që ndalimi i lojërave të fatit është një fakt që dihet edhe pa raportin e DASH, është një ndër kontributet kryesore që kjo qeveri ka dhënë në luftën kundër parandalimit të pastrimit të parave. Për arsye se lojërat e fatit kanë qenë një ndër instrumentet kyç për pastrimin e parave kriminale. Mbyllja e tyre, ka mbyllur një ndër burimet kryesore dhe mbyllja është e një niveli të jashtëzakonshëm. Bëhet fjalë për një aksion shumë të madh, edhe të rrallë edhe në kontekstin europian, kur një qeveri merr përsipër edhe një risk të madh ekonomik, për arsye se duhet të keni parasysh që ndalimi i këtij biznesi deri para një viti, do të thotë që shoqërohej me një risk të caktuar financiar. Por, Qeveria ka qenë e gatshme për ta marrë përsipër riskun financiar që lidhej me të, në shërbim të luftës kundër inkriminimit në përgjithësi, pastrimit të parave dhe shumë fenomeneve të tjera sociale, që lidheshin me parandalimin e pastrimit të parave.

Nga ana tjetër, në aspekte të tjera të luftës kundër parave ilegale, janë marrë masa të mëdha dhe mund t’ju them që në vitin 2019, deri tani janë të sekuestruara me një vendim gjykate rreth 72.1 milionë euro. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin 30.2 milion euro, dhe viti i kaluar ka qenë një vit shumë i suksesshëm. Po ta shihni, kjo shifër, që është e vitit 2019 është pothuajse sa shumatorja e 10 viteve, që i kanë paraprirë këtij viti, pra kaq është shifra; 72.1 milionë euro janë të sekuestruara.

Ndërkohë që edhe niveli i konfiskimit këtë vit, që është edhe shifra kyç, sepse sekuestrimi është një gjë dhe konfiskimi është ajo gjëja e madhe. Mund të themi që dhe në fushën e konfiskimit, shifra e këtij viti krahasuar me vetëm një vit më parë, është gati dyfish më lart dhe besoj që perspektiva në këtë drejtim është akoma më premtuese. Pra, përpjekjet tona për të luftuar fenomenin e pastrimit të parave, paranë ilegale, paranë e zezë do të shoqërohen edhe me suksese të tjera. Për këtë edhe po krijohen kapacitetet.

Duhet të themi edhe një gjë; që nëqoftëse kërkojmë të bëjmë ndryshim, duhet të ndryshojmë jo vetëm mënyrën se si veprojmë, por edhe të shtojmë kapacitetet. Me të njëjtët njerëz është e vështirë të bësh të njëjtën gjë dhe të bësh diçka shumë herë më të madhe. Prandaj çfarë kemi bërë ne kemi marrë masa të mëdha për të shtuar kapacitetet në Policinë e Shtetit.

Ne kemi ndërtuar një strukturë të specializuar, e cila merret me kërkimin dhe goditjen e personave që i janë shmangur drejtësisë, kemi përdorur një akronim “Fast”, por që në shqip është e kërkimit aktiv të personave që i janë shmangur drejtësisë. Është structure, e cila është ndërtuar për herë të parë, i ka munguar Shqipërisë dhe dua t’ju them që Shqipëria ka patur dhe ende ka një numër shumë të madh personash, që i janë shmangur drejtësisë për arsye të ndryshme, dhe krijimi i kësaj strukture, pra i këtij kapaciteti të ri, i cili së shpejti do të anëtarësohet në rrjetin europian të strukturave përkatëse, do ta ngushtojë së tepërmi hapësirën e atyre personave, që i janë shmangur drejtësisë në Shqipëri dhe nga ana tjetër në fushën e krimit ekonomik, i cili mbetet sfida kryesore, ne kemi zhvilluar një përpjekje serioze për të ndërtuar kapacitete të reja, kapacitete profesionale.

Duhet të dini që sapo ka përfunduar procesi i trajnimit të grupit të parë të studentëve, që u rekrutuan nga kontigjenti i studentëve të ekselencës në universitete. Një numër i caktuar studentësh të ekselencës, të cilët u përfshinë në trajnim si oficerë të Policisë Kriminale, e kanë përfunduar trajnimin tani. Janë kryesisht oficerë me formim nga Ekonomia dhe Financa ose Informatika, të cilët do të angazhohen në kuadrin e një njësie të specializuar kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri. Pra, do të kemi ekspertë të mirëfilltë të cilët do të luftojnë krimin, pra do të ndjekin paratë dhe ky numër ka filluar me 37 vetë, 100 të tjerë do të fillojnë trajnimin përsëri nga kontigjenti i ekselentëve dhe është lajm shumë i bukur.

Të themi se ka një gatishmëri të madhe të studentëve, të rinjve dhe të rejave të këtij vendi për t’u përfshirë në këtë front të rëndësishëm dhe besoj që rezultatet e këtij kapaciteti të shtuar, do të shihen shumë shpejt.

Pra, duhet të kemi parasysh që po shtojmë një kapacitet për një njësi të madhe të luftës kundër Krimit Ekonomik, e cila do të funksionojë si një njësi, e cila do të jetë e dedikuar vetëm me Krimin Ekonomik dhe paranë kriminale, dhe është e përbërë nga ekspertë të mirëfilltë.

Është e përbërë nga studentë të cilët e kanë mbaruar Ekonomikun me 9 dhe me 10, që kanë marrë dhe një formim shumë të mirë policor, në fushën e Policisë Kriminale dhe besojmë që do të kemi rezultate krejt të tjera me angazhimin e këtyre të rinjve dhe të rejave të cilët janë jashtë çdo lloj influence, kontakti apo familjarizimi që jo rrallëherë ndodh në strukturat tona.

Sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore, sigurisht që në jemi të angazhuar dhe me këtë front, i cili është mjaft sensitiv për vetë domethënien që ka. Shqipëria për fat të keq ka zhvilluar një trashëgimi negative sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore, kryesisht të grave dhe të fëmijëve.

Rezultatet e arritura në këtë front janë shumë të mëdha. Ne kemi edhe një koordinator kombëtar, i cili merret e ndjek këtë çështje edhe në bashkëpunim me të gjithë aktorët, sepse është një çështje ku aktori kryesor nuk mund të jetë Ministria e Brendshme. Janë aktorë të ndryshëm të qeverisë, të shoqërisë, të shoqërisë civile e të tjera me radhë, por mund t’ju them që këtu është bërë një progres i madh, ende mbetet për të bërë, edhe për disa specifika që kanë të bëjnë kryesisht me një nivel të pamjaftueshëm edukimi dhe përgjegjshmërie të shumë elementëve të shoqërisë. Psh, ai që quajmë trafikim të fëmijëve nga Shqipëri kryesisht është një trafikim që bëhet nga prindërit, prindër që marrin dhe lënë me një papërgjegjshmëri totale fëmijën në moshë ende minorene, afër arritjes së maturisë me synimin që të marrin një të drejtë në BE.

Por dua të them se fenomeni është në vëmendjen tonë të plotë, është nën kontroll, në rënie, por ende mbetet mjaft për të bërë kryesisht në ato segmente të cilat janë përtej MB, që kanë të bëjnë kryesisht me edukimin e përgjithshëm të shoqërisë, me sensibilizimin e familjarëve, prindërve në mënyrë që ky fenomen të reduktohet me kontributin e të gjithë aktorëve.

Sigurisht që ka faktorë të ndryshëm. Nuk u lashë përgjegjësinë prindërve, thashë që ka një mori faktorësh ku ndër to në mënyrë specifike bie në sy kjo. Përgjithësisht trafikimi në botë bëhet nga persona të tjerë, nga rrjete kriminale që bëjnë trafiqe, ndërsa këtu etiketohet si trafikim edhe ky fenomen, i cili në fakt është një transferim, që prindërit u bëjnë fëmijëve të tyre drejt të afërmve të tyre në Europë, por ne na faturohet si trafikim. Sepse ç’ndodh, në qoftë se një prind e çon tek vëllai i vet djalin dhe e ka lënë në duar të sigurt, pas dy ditësh djali shkon paraqitet në zyrat përkatëse sociale për të përfituar dhe kjo regjistrohet pastaj automatikisht si trafikim dhe kjo e rrit disi në mënyrë artificiale numrin e viktimave të vërteta të trafikut.

Për sa i përket pyetjes nëse a dalin këta fëmijë vetëm. Nga Shqipëri përgjithësisht nuk mund të dalin fëmijë të pashoqëruar, sepse ligji e ndalon daljen të pashoqëruar. Përgjithësisht këta dalin të shoqëruar, me të gjithë dokumentacionin përkatës, me autorizimet e prindërve, ose të shoqëruar nga të dy prindërit, por fenomeni sigurisht që brenda këtij numri ka dhe një pjesë të trafikut të vërtetë, të cilët janë fëmijë të grupeve të margjinalizuara etj; dhe kjo është ajo çështja themelore. Por doja të thoja se këtu bashkohen padrejtësisht dy shifra dhe dy fenomene në një. A ka hapësirë këtu për adresim të gjerë? Sigurisht që po, sigurisht që dhe varfëria është problem.

Ne nuk mund të dalim të fshehim varfërinë në këtë vend, ne nuk mund të bëhemi naivë dhe të themi që Shqipëria nuk ka varfëri. Por dua t’ju them që për pjesën që mbulon Ministria e Brendshme ne kemi një mekanizëm të tërë në këmbë, që merret intensivisht me këtë punë, me të gjitha mënyrat, nganjëherë edhe me ashpërsinë maksimale që lejon ligji në mënyrë që ky fenomen të ndalohet.

Shqipëria ka një veçori për fushën e armëve për arsye se është një vend që ka përjetuar ’97, ka përjetuar diçka që se ka përjetuar asnjë vend normal në botën moderne. Ka ndodhur ajo që një vend që ishte i tëri një depo armësh, papritmas të gjitha armët kaluan në duar të qytetarëve, një numër jashtëzakonisht i madh, i cili nuk është kthyer ende mbrapsht në depo. Është kapur nga policia, kapet përditë në shifra të mëdha. Po themi që deri tani kemi sekuestruar vetëm për këtë vit 322 armë, që është një shifër e madhe, që i bie mesatarisht 2 armë në ditë. 2 armë në ditë për një vend sa ne, janë tmerrësisht shumë që kapen; dhe kapen në operacione policore kundër kriminelëve, nuk kapen nëpër shtëpia, sepse po të ishte bërë ndonjë kontroll nëpër shtëpi, nuk di se sa do ishte kjo shifër, por atë kontroll nuk e bëjmë dot falë Zotit, ligji dhe Kushtetuta nuk e lejon kontrollin, edhe për armët, se është i paligjshëm, armët janë të paligjshme.

Kjo është njëra anë, pra armët të cilat janë në posedim të qytetarëve në mënyrë të paligjshme. Pastaj ka dhe një numër të tjetër të madh armësh, i cili është në posedim të qytetarëve në mënyrë të ligjshme. Ne kemi një legjislacion liberal, i cili u mundëson qytetarëve që të aplikojnë dhe të mbajnë armë, kompani private sigurie, persona, biznesmenë që justifikojnë një rrezik të caktuar të mbajnë armë, ose ata që i marrin për arsye të gjuetisë, etj.

Ne kemi një numër të madh armësh legalisht në posedim të qytetarëve, i cili i kalon 100 mijë, që është prapë një numër goxha i konsiderueshëm dhe në mendimin tonë krejtësisht i panevojshëm. Ne duhet të krijojmë një siguri, e cila ofrohet nga institucionet dhe nuk duhet që siguria të krijohet në mënyrë individuale nga qytetarët. Për këtë arsye ne kemi filluar punën për “Ligjin për armët”, i cili parashikon ndryshime drastike në të drejtën për t’u pajisur me armë, që do të kufizojë në mënyrë të madhe, të drejtën e pajisjes me armë për individët apo dhe shoqëritë private të sigurisë, me qëllim që armët t’ua lëmë atyre që u takojnë dhe dinë t’i përdorin, që janë institucionet e sigurisë, me shpresën se kurrë nuk do t’i përdorin.

Ndërsa një aspekt tjetër i cili qeveria është angazhuar fort për të kufizuar përdorimin e armëve, është edhe ashpërsimi i legjislacionit penal në fushën e armëmbajtjes pa leje. Ju e dini që sapo kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Penal, pra më datën 7 tetor ka hyrë në fuqi, të cilat ashpërsojnë në mënyrë të dukshme dënimin penal për armëmbajtjen pa leje dhe besojmë që gjithë ky kompleks masash, si ashpërsimi i dënimit penal, ashtu dhe ashpërsimi i legjislacionit për mbajtjen me leje të armëve, do të bëjnë që pasojat e prodhuara nga armët në vendin tonë të ulen në mënyrë të ndjeshme.

Jam krejtësisht i bindur që rezultatet do të shihen shumë shpejt, madje po shihen edhe këto ditë. Që sensibilizimi i lartë, ashpërsia ligjore për dënimin e armëmbajtjes pa leje kryesisht bën që gjithkush të matet jo një herë por 30 herë përpara se të marrë armën me vete kur del. Sepse praktikisht armëmbajtja pa leje në Shqipëri ka qenë pothuajse e legalizuar për sa kohë dënimi penal për armëmbajtje ka qenë simbolik. Përgjithësisht gjyqet tona kanë tentuar të japin minimumin e parashikuar nga ligji, ose për të mos thënë që në shumë raste kanë zbritur poshtë minimumit duke e çuar nganjëherë edhe në absurd aplikimin e kësaj dispozite. Tani, hapësira e interpretimit për gjyqtarët pothuajse është bërë zero dhe kështu shpresojmë dhe kemi bindjen që në këtë fushë do të kemi tregues të rinj.

Sa i përket pyetjes që ka të bëjë me azilkërkimin në vendet e BE, dua t’ju them që azilkërkimi i shqiptarëve në vendet e BE është një proces i cili ka një histori të gjatë. Po të shihni, këtu është një kurbë që tregon azilkërkimin e të huajve në BE dhe tendencën e azilkërkimit të shqiptarëve në BE. Po të shihni, këto dy kurba shkojnë paralel me njëra tjetrën. Pa pasur një pik në vitin 2015 me hapjen e korridorit ballkanik kur shumë qytetarë ekstrakomunitarë u dyndën drejt BE dhe numri në atë kohë pati arritur në nivele shumë të larta, ndërkohë që tashmë kemi zbritur pothuajse në nivelet e para 2015-ës, para krizës dmth. Vërtet që është një anomali e madhe në tendencë në vitin 2015, pra kemi zbritur poshtë falë një kompleksi masash që janë marrë në bashkëpunim edhe me vendet partnere, megjithatë fenomeni mbetet.

Mbetet kryesisht në një vend, dhe ky vend është Franca ku kemi patur tendencë rritjeje ndërkohë që në vendet e tjera shifrat e azilkërkimit kanë zbritur në nivele të papërfillshme. Franca ka këtë diferencë në tendencë, e cila bazohet jo tek ne, por tek ata. Sepse po të ishte për ne, do të ishte fenomen i ngjashëm edhe me vendet e tjera. Pra arsyeja e kësaj diference në tendencë me Francën ka të bëjë me politikat e ndryshme që Franca aplikon në drejtim të azilkërkuesve. Franca ka politikat më liberale në rajon, ka kohën më të gjatë të përpunimit të kërkesave për azil, pra ka një vit, ndërkohë që vendet e tjera e kanë reduktuar kohën në disa ditë apo maksimumi 1 muaj, ndërkohë që Franca e ka si rregull 1 vit, por zgjat edhe më tepër. Dhe kjo kohë e gjatë e përpunimit të kërkesave i josh shumë shqiptarë që të shkojnë ta provojnë. Dhe shkojnë, gjatë një viti, provojnë, mësojnë dhe pak, ndoshta tek tuk ndonjë mëson frëngjisht, ndonjëri bën edhe ndonjë trajtim shëndetësor gjatë kësaj periudhe, që janë të mbuluar në aspektin social të gjitha shërbimet. Dhe pastaj luajnë me riskun të kthehen apo të mos kthehen me shpresën se mund të marrin azil për arsye se, edhe një çështje tjetër, një anomali që ka të bëjë me Francën, lidhet me faktin që Franca ka aplikuar tek tuk të drejtë azili, pra ka dhënë tek tuk azil. Dhe çdo person që sheh që dikush fitoi azilin, 100 të tjerë inkurajohen për ta provuar këtë punë. Kush janë motivet e kësaj pune, kjo është një çështje pak më e gjerë sesa Ministria e Brendshme, përse shqiptarët kërkojnë të dalin jashtë. Ka shumë arsye, sigurisht që janë faktorët ekonomikë, është nevoja për studim, për trajtim shëndetësor, por dua të them që jemi disafish më poshtë nga periudha e krizës së vitit 2014-2015, ku ishim rreth 68 mijë vetë, tani kemi zbritur në 1/6 e kësaj.

E para, ka ndryshuar iluzioni sepse njerëzit ikën me një iluzion sikur u hapën portat e parajsës. Në fakt njerëzit shkuan, e panë që edhe atje duhet të punojnë, duhet të jetojnë, u ndeshën me vështirësi. Shumë prej tyre janë kthyer e po kërkojnë të ripunësohen atje ku ishin. Sepse nuk ishte bërë deti kos. Shumë shkuan me këtë ide, për fat të keq. Dhe kjo është kryesorja. E dyta, masat e kontrollit në kufijë tanë janë shtrënguar. Policia ndalon shumë njerëz për të dalë jashtë Shqipërisë, në qoftë se nuk bindin. Bashkëpunimi me vendet partnere është shtuar. Riatdhesimi është shtuar. Duhet të kemi parasysh që masat e riatdhesimit janë shtuar. Çdo javë ndodhin operacione riatdhesimi nga vende të ndryshme të BE për qytetarë të cilëve u është refuzuar azili. Sepse ata që shkojnë dhe kërkojnë azil, rikthehen, në qoftë se azili nuk plotësohet dhe si rregull të gjithëve u refuzohet.

Dhe këto janë masat kryesore që kanë çuar në reduktimin e ndjeshëm të këtij numri të azilkërkuesve shqiptarë, fakt i cili njihet nga gjithë partnerët tanë, me atë diferencën që ju thashë në rastin e një shteti. Sa i përket pyetjes që kishte të bënte me pajisjet për policinë gjyqësore, policinë kriminale, pajisjen e tyre me mjete speciale, sigurisht nëse bëhet fjalë për pajisjen e Policisë së Shtetit, jo te kjo, por të të gjitha strukturat, mungesa e pajisjeve, mungesa e fondeve është një çështje e përhershme, që e shoqëron policinë që nga lindja dhe besoj s’ka për t’iu ndarë ndonjëherë si problem.

Ka shumë nevojë për mbështetje financiare për arsye të shumta, por të paktën ne besojmë që në buxhetin e ri që po përgatisim për vitin e ardhshëm, edhe çështjet që kanë të bëjnë me policinë gjyqësore, do të marrin një vëmendje të veçantë. Unë mund t’ju them vetëm diçka që ka lidhje me takimin këtu dhe besoj meqenëse është edhe Prokurorja e Përgjithshme, vlen ta përmend në këtë kuadër, – ne po bëjmë përpjekje për të ribërë nga e para Institutin e Policisë Shkencore. Eshtë një institut i cili në fakt i jep kuptim gjithë evidencës penale, pra validizon gjithë evidencën, gjithë provat, një institut i cili ka mbetur jashtë vëmendjes për fat të keq, prej shumë vitesh dhe tashmë në kuadër të një projekti të madh që kemi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ne do të jemi në gjendje që në kohë të shkurtër të ndërtojmë një institut të Policisë Shkencore, të cilin po përdor termin e kolegut tim nga Britania e Madhe, ‘World class’, pra do të ndërtojmë një institut, i cili të jetë i klasit botëror në të gjitha aspektet.

Sot e kemi në atë gjendje që, shumë prej jush që janë juristë këtu ose që kanë pasur lidhje me proceset e ndjekjes penale, e dinë se cili është. Por që shumë shpejt do të arrijë në një nivel të lartë dhe do të përbëjë investimin më madhor që ne do të realizojmë në këtë fushë për vitin e ardhshëm apo për 2 vitet e ardhshme. Ne, dmth pala shqiptare do të ndërtojmë godinën, e cila është një godinë e madhe, rreth 5000 m2, dhe pastaj gjithë pjesa tjetër me pajisjet dhe gjithë aparaturat e nevojshme, trajnimi i stafit, mentorimi, çertifikimi, do të bëhen në kuadër të projektit që kemi me Britaninë e Madhe. Dhe e përmend me shumë kënaqësi këtë fakt, gjej rastin t’i shpreh një falënderim në publik dhe Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, i cili e ka shoqëruar këtë me shumë seriozitet dhe profesionalizëm.

Faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb