TIRANË

Akademiku Artan Fuga i ftuar nëpërmjet një lidhje direkte në rubrikën “Opinion”“News 24”, komentoi një sërë çështjesh, duke nisur nga ardhja e afganëve në Shqipëri e deri te zhvillimet e fundit politike në vend.

Akademiku nënvizoi se është i gëzuar nga ardhja e refugjatëve, por shtoi se ata duhet të trajtohen në mënyrë të modernizuar, si në çdo qeveri të demokratizuar, e t’u ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme.

“Ai që bën nderin duhet të jetë pak më modest. Shteti shqiptar si shpëtoi nga vdekja afganët, i kanë shpëtuar të tjera forca. Ne treguam aftësitë tona pritëse. Përtej kësaj, mendoj që është një veprim brenda një politike normale dhe nuk ka nevojë të ndërtojmë një ligjërim të tillë, kaq shumë të tensionuar, sikur po bëjmë një gjë kaq të madhe. Unë sot jam i lumtur që ata afganë janë në Shqipëri. Aq më shumë që ka fëmijë, aq më shumë që ka gra. Mendoj rëndë për ato akte vrastare që kanë ndodhur dje, për ata njerëz që kanë humbur jetën, qoftë afganë. Mendoj për ata njerëz që kanë inspiruar demokratizimin e vendit të tyre dhe tani janë në mëshirën e fatit. Më vjen keq kur mendoj se në çfarë situatë janë ata.

Nuk ka lidhje fare me emigrimin e shqiptarëve në Itali e Greqi. Në parim nuk ka nevojë që dy ngjarje që ndodhin në 30 vjet në distancë të barazohen. Shqiptarët që ikin në emigrim, nuk i iknin diktaturës, iknin për arsye të tjera, për një jetë më të mirë.

Kjo dramë afgane është e madhe, vazhdon prej 25 vitesh. Nga dokumentet historike, nga filmat, vendas, amerikanë, është dhimbje e madhe dhe e kam thënë gjithmonë, ne kemi marrë pjesë në këtë aleancë që është NATO. Përderisa veprojmë kemi një përgjegjësi si shtet. Thënë kjo, ajo ndjenja ime e sotme, unë jam i lumtur që toka shqiptare mirëpriti këta njerëz. I pranon jo se jemi të mirë, por e kemi detyrim. Nuk jam nga ata që them të bëni transparencë, si psh fondet e kështu me radhë. Ajo është një çështje emergjente, ça ndodh sot nuk ndodh nesër. Të veprojmë në atë mënyrë që t’i mirëpresim me dinjitet, të ndajmë atë gjë që kemi për të ndarë dhe pa e tronditur shoqërinë shqiptare, duke ruajtur atë pjesë që na takon në këtë koalicion i madh. Kjo është një detyrim institucional. Me kohën dhe kur gjërat të qetësohen të dihen qartë cila është statusi i tyre, ku do të akomodohet, cili do të jetë fati i tyre i mëtejshëm. Këto nuk kërkohen sot, tani. Mos të ngatërrojmë hallet tona të brendshme, për projektet, buxhetit, me kërkesën e transparencës me një gjë tjetër. Ne po i mirëpresim ata jo se jemi Nënë Tereza. Ne presim për mendimin tim për arsye të një pasoje që vjen e padëshiruar, që vjen nga një projekt ku kemi marrë pjesë si shtet, që ka të bëjë me paqen në botë apo të kampit që marrim pjesë.

Unë kam dëgjuar shumë shifra, por problemi është të bëhen llogari. Unë flas për mikpritje, mikpritje moderne. Ti ofrojmë shërbim shëndetësor, psikologjik, juridik. Pse jo të vendoseshin studentë të shumtë dhe t’i ofronim shërbime. Nuk po flas për integrim, sepse nuk e di duan apo nuk duan ata. Po flas për pritjen. Unë di që ata duhet pritur me dinjitet.

Nëse Rama mendon që 4 mijë i pret me dinjitet, ashtu siç e meritojnë, pa i shkatërruar themelet e shoqërisë shqiptare, pse jo, por nuk jam për atë që janë 4 mijë, 5 mijë, futi në kazerma dhe lëshoji rrugëve. Siç po shoh sirianë të lënë rrugëve. Nuk jam me këtë, më vjen keq. Unë mendoj që kjo është politika më e drejtë.” , tha akademiku.

Sakaq, Fuga u ndal te dorëzimi i mandatit të deputetit të zgjedhur të PD, profesor Mark Markut. Ai theksoi se është i gëzuar se univeristeti nuk humbi një akademik dhe studiues të zotë, por nga krahu tjetër, shtroi shqetësimin se partitë politike në vendin tonë po i mbyllin dyert intelektualëve.

“Profesor Markun e kam koleg e mik. Jam pak në konflikt interesi. Unë dua të them që ndihem edhe i kënaqur edhe i mërzitur. E para se bota universitare nuk humbi një profesor si Mark Marku, por nga ana tjetër kam një trishtim, sepse është një rast kur një intelektual që kërkon të japë angazhim në politikë, brenda pak muajsh e sheh që atje është e pamundur. Kam lexuar letrën e Profesor Markut. Në atë letër ai ishte dhe logjik. Unë s’mund të gjykoj vendimin e tij.

Ajo që ndjeva unë ndjeva trishtimin e tij për moskuptimin. Ai jep argumentet e një studiuesi, intelektuali dhe sheh që është i penguar. Ai ndodhet para një kongresi, që më parë merren vendime e prapa thonë diskutoni. Ai është ndodhur përpara një muri që përball shkencën e politikën. Të gjitha vendet e humanizuara bëjnë përpjekje që në pika të caktuara t’i ndërlidhin. Marku ka pasur një projekt të tillë dhe ai ka parë që logjika e universitarit në partinë ku ai do të integrohet nuk shkon. E shikoj me trishtim këtë gjë. Si nuk ka një ekspertizë shkencore për këto ligje që merren. Politika shqiptare është piramidalizuar. Është bërë me një kulm pa institucionet përkatëse, e nga ana tjetër është e rrethuar nga një kështjellë që nuk lejon futjen e intelektualit dhe e mendimit ndryshe. Kjo që ndodhi me profesor Mark Markun, më tregon këtë lloj moskomunikimi të politikës me intelektualët.

Jam dakord me ato që ka thënë zoti Marku. Unë jam duke shprehur këtë gjë, që opozita është nisur nga një mendësi që do të shkojë në parlament dhe politikën do e barazojë me retorikën edhe kaq. Kjo lloj opozite, është një opozitë që bën sikur është opozitë. Problemi im është që PD ka tre muaj që është me pushime dhe nuk diskuton për asnjë çështje thelbësore, vetëm hedh shashka andej këndej. Më vjen keq, ndoshta në mënyrë egoiste, sepse kur partia opozitare nuk bën opozitën. Bashkëqeverisje do të thotë që do të bëj opozitën. Nëse nuk e bën, na bie ne intelektualëve të bëjmë opozitën intelektuale, në logjikën e kësaj që do të gjykojmë politikat e jashtme. Nga kjo pikëpamje shikoj që opozita, vazhdon prej të paktën 2 vitesh që anashkalon, agjendën politike të ditës. Ky është problemi”, u shpreh Fuga.

Akademiku sakaq dha dhe mendimin e tij për ndërtimin e qeverisë së re, i paralajmëruar ky hap nga kryeministri Edi Rama për javën e ardhshme.

“Qeverinë e re e pres me padurim sepse duhet të kemi një qeveri legjitime. Sot ne kemi një qeveri që është mandatuar nga një Kuvend që nuk ka ekzistuar. Që më datën 25 prill, Kuvendi duhet të fillonte punën. Ne kemi që nga 25 prilli pa pushtet legjislativ. Pushteti legjislativ ka mbaruar dhe ai ekzekutiv ka vijuar të ekzistojë. Kjo për mua ka qenë fazë e frikshme dhe unë kam ëndërruar që mbase nuk ka ngjarje të rënda që detyrojnë shtetin shqiptar të përballet. Të paktën po bien data që një qeveri e mandatuar nga një parlament, kjo të realizohet. E dyta kam bindjen time dhe qëndrimin tim dhe kam punimet e mia shkencore. Kam thënë që shoqëria shqiptare dhe politika janë të piramidalizuara. Kryetari i partisë është dhe kryetari i qeverisë. Është e mbledhur e gjitha në 2 a tre duar. Për mua nuk ka rëndësi kush është ministër. Le të jenë ata, ministrat shqiptarë deri më sot s’kanë bërë politikë. Qarkullon një mendim në mediat dhe propagandistët e qeverisë, që thonë se do të jetë qeveria me intelektualë. Një ministër nuk është atje për shkakun se është ekspert, që është intelektual. Nuk po them që merr një budalla dhe vëre, duhet të ketë një diplomë, disa kompetenca, por ministri është ai që përçon një politikë, duhet të jetë ekspert, të ketë besueshmëri, të ketë identitet politik dhe më pas të jetë një shef kantieri”, tha Fuga.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb