Analisti Fatos Lubonja ka komentuar zhvillimet gjeopolitike, siç ishte dhe arrestimi i Maduros, por u ndal dhe te situata në vendin tonë.

I ftuar në programin e drekës në News24, Lubonja analizoi zhvillimet nga optika e tij e mendimit, ndërsa theksoi se pretendimet e opozitës se kjo gjë mund të ndodhë dhe në Shqipëri, janë miopi.

“Është situatë e ndërlikuar. Është miopi nga ana e opozitës tonë që shikonte te ky aksion një shpresë se këtu do të ndodhë dhe me narko-shtetin në Shqipëri. Duke e konsideruar Ramën-Ramaduro. Duhet ta shohim përtej interesit tonë se cili është qëllimi. Më shumë se sa lufta për narko-terrorizëm, nuk është kjo që e ka shtyrë Trump-in, por janë çështje që lidhen me influencat ekonomike, si nafta. Flitet dhe për rënie të petrodollarit. Edhe Trump e bëri të qartë që bëhet fjalë për një marrje të industrisë së naftës në duart e amerikanëve. Të tjerat janë ‘veshje’. Diçka doli e qartë se kush do ta zëvendësojë Maduron? Pse e skartoi Maccaton që ishte opozita?

Por ça interesi ka Amerika që të rrëzojë Ramën? Duhet të ketë interesa përtej politikës. Ai që është më i forti krijon një kauzë pa përfillur të drejtën ndërkombëtare! Nëse kjo bëhet rrugë e marrëdhënieve ndërkombëtare, ne duke qenë një vend i dobët, s’duhet të ankohemi fare se Serbia sulmon Kosovën. Pse? Sepse është forca e më të fortit. Por ne duhet t’i mëshojmë të drejtës ndërkombëtare. Vetëm 1/3 e amerikanëve e mbështesin këtë gjë! Me cilët amerikanë jemi ne? Me ata apo me Trump? Ndaj duhet të jemi të qartë. Pragmatizmi është treguar dhe nga Europa.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb