Majlinda Mazelliu, përfaqësuese e British Council në Shqipëri, ishte e pranishme në ceremoninë e diplomimit të 546 studentëve të Universitetit “Luarasi”, ku përcolli një mesazh për të diplomuarit dhe rëndësinë e formimit të tyre profesional.
Duke iu drejtuar drejtuesve të universitetit, pedagogëve dhe studentëve, Mazelliu u shpreh se ishte nder të ishte pjesë e kësaj dite të veçantë dhe vlerësoi bashkëpunimin mes British Council dhe Universitetit “Luarasi”.
“Sot është një ditë e veçantë, që shënon përmbylljen e rrugëtimit akademik dhe fillimin e karrierës profesionale. Në këtë rrugëtim, njohja e gjuhës angleze përbën një avantazh, duke ju hapur dyert dhe duke u mundësuar të rinjve qasje dhe lidhje globale”, tha Mazelliu.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e mundësive që u ofrohen të rinjve për të lehtësuar kalimin nga jeta akademike drejt tregut të punës.
“Ajo që po bëjmë bashkë me zonjën Hysenbelliu është ofrimi i mundësive që të lehtësojnë jetën. Është kënaqësi që të jemi partnerë me Luarasin, në një mision që kontribuon në formimin profesional”, u shpreh përfaqësuesja e British Council. Mazelliu i uroi suksese 546 të diplomuarve në rrugëtimin e tyre të ri profesional, duke nënvizuar rëndësinë e dijes, aftësive dhe lidhjeve ndërkombëtare në ndërtimin e karrierës.
