Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme ndërhyrjes në sistemin TIMS që shkaktoi reagime të shumta përfshirë edhe atë të ambasadës amerikane në Tiranë, duke zbardhur me detaje atë çfarë ka ndodhur.

Pjesë nga dokumentari:

Dëshmia e parë që u administrua në lidhje me skandalin e ndërhyrjes në sistemin TIMS, ishte ajo e vetë Drejtorit të Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça. Titullari dhe eprori që akuzohej nga vartësit e tij se kishte hyrë natën në zyrën e serverit qendror të Policisë së Shtetit, bashkë me persona të tjerë të paautorizuar, dhe kishte eksportuar nga aty të dhëna që kanë të bëjnë me punën e këtij institucioni, të rëndësisë së veçantë për sigurinë dhe rendin. Muça i cili u mbrojt përpara grupit hetues duke thënë se synimi nuk ishte eksportimi i të dhënave jashtë Policisë së Shtetit, por back up-i i tyre. Ndërkohë që gjatë hetimit u konstatua fakti që Ervin Muça, pavarësish se mbante postin e drejtuesit në një departament kaq të rëndësishëm në Policinë e Shtetit, që ka të bëjë me të dhënat, ishte emëruar në këtë sektor, pa pasur një certifikatë sigurie.

“Unë jam emëruar në detyrën e Drejtorit të Teknologjisë dhe Informacionit më datë 25 qershor 2023. Ajo që dua të theksoj është që nuk kam qenë asnjëherë i punësuar në strukturat e Policisë së Shtetit dhe për këtë arsye nuk jam i pajisur me certifikatë sigurie. Në lidhje me emailin jam njoftuar më datë 3 gusht 2023 rreth orës 09.30 nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ku jam vënë në dijeni mbi dërgimin e një emaili nga ana e një punonjësi të kësaj drejtorie, dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ku ngrihej shqetësimi i shkeljes së rregullave standarde të sigurisë së
sistemeve. Për këtë arsye nga ana e Drejtorisë kishte filluar hetimi administrativ”,
ka deklaruar Muça. Por pyetjeve të drejtuesve të policisë, fillimisht drejtori Ervin Muça u përpoq ti kanalizonte si një përplasje normale që ndodh brenda një institucioni, ku pretendimi i tij ishte se shefi i sektorit Ardit Muço nuk kishte zbatuar urdhrat e eprorit të tij të drejtpërdrejtë, Besjon Tanuzi. “Ardit Muço ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij pa treguar shkaqe të arsyeshme. Për këtë shkak ndaj tij në muajin gusht 2023, ka filluar një hetim administrativ. Kjo edhe për faktin që ai nuk ka zbatuar urdhrat e eprorit”, ka shtuar ai.

Por siç edhe rezulton Ardit Muço nuk ka pranuar të zbatojë një urdhër të ardhur nga drejtori Ervin Muça për t’i dhënë akseset në serverin e të dhënave. Kjo pranohet edhe nga vetë titullari në akuzë, i cili thotë se Muço ishte personi i vetëm që kishte dijeni se si funksiononte sistemi dhe si mund të futeshe aty.

“Më datë 2 Gusht 2023, unë telefonova vetë shefin e sektorit të IT-së, Ardit Muço, ku duke qenë se ky i fundit kishte dhënë dorëheqjen, unë i kërkova që të transferonte njohuritë e tij mbi sistemin te vartësit e tij brenda sektorit. Por duke qenë se nuk mora një përgjigje prej tij, atëherë urdhërova mbylljen e aksesit të tij në sistem”, shton ai.

Ervin Muça tentoi të mbrojë pozitat e tij, edhe teksa deklaroi se ai kishte për qëllim të bënte back up të sistemit dhe jo ndërhyrje në të dhëna. Ndaj për këtë arsye ai tha se u konsultua me vartësit.

“Po këtë ditë unë bisedova edhe me A. V, specialiste në sektorin e database, në lidhje me analizimin e situatës së back up-eve.  Ku ajo më informoi se nuk kishte asnjë testim aktual që të vërtetonte që back up-et janë funksionale.  Po kështu unë fola edhe me dy specialistë të tjerë që më thanë se procedura e back up-eve ndiqej nga shefi i sektorit Ardit Muço, dhe se ata nuk dispononin njohuritë për ta bërë një gjë të tillë”, thuhet në dëshmi.

I gjendur në këto kushte, ku aksesin dhe njohuritë në serverin e të dhënave i kishte vetëm shefi i sektorit, në këtë rast Ardit Muço, dhe ku ky i fundit nuk kishte pranuar të zbatonte një urdhër që për të ishte i kundraligjshëm, drejtori Ervin Muça, mësohet se më datë 2 Gisht 2023, thirri pranë vetes për ndihmë, shtetasin Klodian Mazari, punonjës pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e njohur si AKSHI.

“Unë e urdhërova kryerjen e back up-it, për të krijuar një sistem të qëndrueshëm dhe në bazë të një analize të riskut të kryer, por garantoj që nuk ka pasur dalje të të dhënave jashtë serverit. Më datë 2 Gusht 2023, unë thirra A. V, që të vinte në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit dhe të fliste me specialistët e sektorit, me qëllin kryerjen e back up-it.  Ku testi i back-upit do të mbahej në një kopje të paaksesueshme në kasafortën e Policisë së Shtetit. Për këtë arsye më datë 2 Gusht, unë kërkova ndihmën e kolegut Klodian Mazari, që punonte si përgjegjës sektori pranë AKSHI-t”, thotë Muça.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb