Presidenti Ilir Meta, në kuadër të vizitës së tij zyrtare disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u prit në një takim të përzemërt në Senatin Amerikan, nga Senatori Republikan Ron Johnson, Kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe i Nën-Komisionit për Europën.
Gjatë fjalës së tij Meta theksoi se SHBA janë partneri strategjik, i pazëvendësueshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve. “SHBA janë partneri strategjik, i pazëvendësueshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shqipëria beson në angazhimin e domosdoshëm të SHBA në Ballkanin Perëndimor, si faktor kyç për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor”, -tha Meta.
Duke u ndalur në çështjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Presidenti Meta u shpreh se “marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të prodhojë paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues”. Gjithashtu, Meta theksoi se “Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë”.
Presidenti kërkoi mbështetjen e Senatorit Johnson për marrëveshjen e heqjes të taksimit të dyfishtë midis Shqipërisë dhe SHBA, që do të sillte lehtësira në fushën e tregtisë dhe investimeve. Nga ana e Tij, Senatori Johnson shprehu kënaqësinë për takimin me Presidentin Meta dhe njëkohësisht angazhimin për të kontribuar në rritjen e vëmendjes në Senatin e SHBA për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona. Kreu i Shtetit e ftoi Senatorin Johnson për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.
(BalkanWeb)
