Dy sezone në Superiore dhe një tjetër mjaft dramatik, ku një vit më parë, në ndeshjen e fundit në Korçë, skuadra e Bylisit siguroi mbijetesën në elitë, ndërsa një vit më vonë ra në Kategorinë e Parë pas disfatës në Vorë.

Mallakastriotët as vetë nuk e kanë besuar se do të bënin një sezon të mirë, madje duke grumbulluar pikë edhe jashtë fushës së tyre ndaj skuadrave të forta. Megjithatë, në Ballsh tifozët ia kanë vënë fajin strukturës, e cila sipas tyre ndikon negativisht te ekipet e vogla, gjë që është refl ektuar edhe në ecurinë ndër vite.

Sidoqoftë, në Ballsh mbizotëron zhgënjimi pas rënies një kategori më poshtë. Edhe pse stafi dhe lojtarët janë ndarë me përqafi me mes tyre, ende nuk ka asnjë zyrtarizim për “divorcin”, qoftë nga trajneri Mirel Josa apo nga futbollistët. Lojtarët janë nën kontratë dhe klubi nuk ka ndërmend t’i lërë të lirë. Presidenca mallakastriote ka investuar shumë, madje edhe gjatë merkatos së janarit, me synimin e vetëm që Bylisi të shpëtonte. Megjithatë, kjo nuk u arrit dhe tashmë është fakt, Bylisi sezonin e ardhshëm do të nisë nga Kategoria e Parë, përveç nëse ndodh ndonjë ndryshim strukturor.

Aktualisht, në Ballsh mbizotëron qetësia dhe pritja e vendimeve përfundimtare nga organizatorët e garës, duke qenë se klubi ka dy ekipe në Kategorinë e Parë. Kjo është hera e dytë radhazi që Bylisi, pas dy sezonesh në elitë, bie në Kategorinë e Parë. Ajo që duhet theksuar është se ndryshe nga rivalët, Bylisi ka shumë lojtarë nën kontratë, si vendas ashtu edhe të huaj, me marrëveshje afatgjata, çka e bën të ardhmen më të qartë nga ana strukturore.

Megjithatë, gjithçka mbetet në dorën e presidencës. Momentalisht, në Ballsh mbizotëron zhgënjimi, pasi rënia nga kategoria nuk u prit aspak mirë, duke qenë se deri në fund u besua te mbijetesa në elitë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb