Sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula vjen me një rrëfim për veten. Në një intervistë për gazetarin Drini Zeqo në A2 CNN sopranoja tregoi më shumë mbi jetën e saj.

Ajo e nisi rrëfimin me jetën e saj nga fëmijëria në Tiranë, deri te skenat më të mëdha botërore.
“Unë sapo mbarova Konservatorin e Tiranës, që sot njihet si Akademia e Arteve dhe në ato momente nuk e mendoja largimin nga Shqipëria. Nuk kisha as pasaportë. Si çdo shqiptar. “La Traviata” luhej në atë kohë në teatrin tonë dhe vendosa ta mësoj vetë, në fshehtësi. Sepse mamaja ime, si mësuesja ime e kantos, një grua shumë e disiplinuar nuk lejonte që një këngëtar t’i digjte etapat e formimit. Tani mamaja ime nuk jeton më dhe më vjen keq që ja kam thyer zemrën. Por rebelizmin e atëhershëm, do ta interpretoja si kuraja e një artisti të ri që ka nevojë për konfirmim.”

Në moshën 23-vjeçare, pasi audicionoi në Teatrin Kombëtar, Mula nisi hapat e vërtetë të karrierës që do ta çonte pak më vonë drejt Parisit, “Qytetit të Dritave”. “Parisi ishte aq i madh dhe i zhurmshëm dhe dukej si qyteti i ëndrrave të mia. Fillimisht e njihja atë nga letërsia. Isha e dashuruar me të. Sot ai ende më impresionon për shkak të mistereve dhe të fshehtave që mban”, ka treguar Inva.

Whatsapp Image 2022 10 11 At 21.37.09
Whatsapp Image 2022 10 11 At 21.37.09

Në rrëfimin e saj, diva e muzikës ka folur edhe për marrëdhënien me prindërit e saj Nina dhe Avni Mula, që të dy artistë të shquar.

“Fati më i madh që unë kam pasur në jetë, është se kam pasur ata prindër. Fëmijërinë time, do ia uroja kujtdo që ta kishte. Kujdesi. Respekti që prindërit për ne. Në modestinë e jetës së çdo shqiptari, ata gjenin mundësinë të na ofronin gjithçka”, shton Inva.

Sopranoja foli edhe për marrëdhënien e saj të dashurisë, duke pohuar se nuk është “single”. Gjatë bisedës Inva rrëfeu se marrëdhënia me vajzën e saj Ninën dhe djalin Anthony është një gjë e shtrenjtë. “Nuk kam dashur kurrë që të imponoj asnjërin nga fëmijët për zgjedhjet e tyre. Kalimi i Anthony në muzikë ishte plotësisht një dëshirë personale e tij. Unë dhe ai kemi një projekt bashkë, por ende nuk do të publikohet. Këtë do ta vendosë ai”, tha sporanoja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: