Politika i rikthehet debatit! Ndryshimet në Kushtetutë në seancën plenare të 30 korrikut detyrojnë Kuvendin të rinisë punën për rishikimin e Kodit Zgjedhor.

Për të bërë gati amendimet përkatëse që ndërhyjnë në ligjin elektoral, Komisioni i Ligjeve ngriti grupin e punës, që do përbëhet nga socialistët Damian Gjiknuri e Klotilda Bushka, si dhe Korab Lita si përfaqësues i opozitës parlamentare.

Grupi i punës ka afat deri në fund të muajit për të prezantuar projektligjin.

“Ky grup pune, brenda 30 shtatorit 2020 të draftojë e të paraqesë në kuvend ndryshimet përkatëse, si reflektim i ndryshimeve kushtetuese që kanë hyrë në fuqi”, tha Manja.

Por, Parlamenti nuk do jetë hallka e vetme që do merret me ndryshimet ligjore. Këshilli Politik rivihet në lëvizje, me qëllim gjetjen e konsensusit politik edhe me opozitën jashtëparlamentare. Diskutimi do përqendrohet në çështjen e hapjes së listave të kandidatëve për deputetë dhe në adresimin e fatit të koalicioneve parazgjedhore. Kjo pikë e dytë pritet të hapë debate e përplasje mes palëve, pasi opozita e Bashkuar e ka përcaktuar si vijë të kuqe e të paprekshme çështjen e ekzistencës së koalicioneve parazgjedhore, ashtu siç kanë funksionuar deri më tani. Ndërkohë që mazhoranca konsideron se partitë e një aleance politike mund të formojnë koalicione paraelektorale vetëm duke u prezantuar me një listë të përbashkët deputetësh.

Përveç ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Kuvendi në këtë sesion do investohet edhe në hartimin dhe mundësisht votimin e ligjit organik për institucionin e Presidentit të Republikës. Për këtë qëllim, deputetët në Komisionin e Ligjeve ngritën grupin e punës me socialistët Vasilika Hysi dhe Adnor Shameti, si dhe Alban Zenelin nga opozita parlamentare.

“Do qartësohen kompetencat formale e sublstanciale të presidentit të republikës”, shtoi deputeti Manja.

Komisioni vendosi që deri më 15 tetor grupi i punës të ketë përgatitur pr/ligjin, i cili më pas do kalojë për diskutim dhe për votim në seancë plenare, deri në fund të sesionit parlamentar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb