Drejtoresha juridike e “Hysenbelliu Group”, Folitjona Puravelli në studion e emisionit “Log.” në Panorama TV thotë se të gjitha godinat e “Prestige Resort” janë me leje, madje edhe ajo që u shemb me tritol, por edhe ato dy që u konfiskuan dy ditë më parë.

Puravelli ka bërë edhe një kronologji të historisë së resortit, që e ka zanafillën në vitin 1996 dhe deri në vitin 2016 kur është dhënë leja e ndërtimit nga vetë kryeministrit Rama.

“Janë 26 godina dhe asnjëra nuk është pa leje, janë të gjitha me leje. Edhe godina 5 që u prish me tritol ka qenë me leje ndërtimi. Kjo është një marrëdhënie kontraktuale që ka nisur në 1996. Mak Albania ka qenë një shoqëri me ortak nga Kuvajti. Në 1996 nënshkruan një kontratë për të marrë me qira një sipërfaqe 89 mijë metra katror për 99 vite qira. Paralelisht me kontratën e qirasë është nënshkruar edhe marrëveshja e zhvillimit.

Në vitin 2004 Mak Albania ka marrë lejen e parë të ndërtimit nga Fatos Nano, në 2006 u mor një tjetër leje ndërtimi nga Sali Berisha. Në 2008 aplikojmë nga Mak Albania për ndryshim të projektit dhe miratohet po nga kryeministri i atëhershëm Sali Berisha.

Në 2014 shoqëria Erjoni shpk përzgjidhet nga MAK Albania që të ishte blerësi i objekteve. Pra ishte zgjedhje e Mak Albania që Erjoni shpk ishte një investitor serioz. Një blerës kredibël që do të pasonte më pas marrëdhënien që kishte Mak Albania me institucionet shtetërore.

Në 2014 kemi kontratën e shitjes të vilave nga Mak Albania tek Erjoni shpk. Ndërkohë në 2015 kemi kontratën e qirasë dhe marrëveshjen e zhvillimit shtesa të cilat ishin në përputhje me kontratën e qirasë të 1996.

Po në atë vit në 2015 bëhet edhe kalimi i statusit person i stimuluar nga Mak Albania. Në 2017 Erjoni shpk ka aplikuar për leje ndërtimi e cila është miratuar nga kryeministri Edi Rama. Qoftë godina 5 që u shpërthye, qoftë godina 1 dhe 3 që dje u konfiskuan janë pjesë e kësaj leje ndërtimi. Po ta bëj unë pyetjen. Mendon se kjo VKM për katet shtesë mund të aplikohet në atë resort në momentin që ka një leje të 2016 të nënshkruar nga kryeministri aktual?”, tha Puravelli./panorama/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb