Kryeredaktorja e televizionit “News24”, Anila Jole, komentoi të gjitha zhvillimet më të bujshme politike dhe të aktualitetit, që kanë ndodhur përgjatë vitit 2019, në puntatën e fundit për këtë vit të emisionit “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në “News24”.

Ashtu siç edhe viti 2019 ka nisur me protestat masive të opozitës, edhe Jole e nisi analizën e saj me këtë zhvillim, duke thënë se opozita e arriti qëllimin e saj me protestat masive dhe paqësore, duke ngritur shpirtin e njerëzve dhe duke ndezur shpresën.

Më tej, gazetarja Jole komentoi dhe vendimet e bujshme të Presidentit Ilir Meta përgjatë këtij viti, që nga anulimi i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, e deri te përplasjet e fundit për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ai është një politikan i zoti, që di të gjejë zgjidhje në çdo situatë.

Pjesë nga intervista:
Si i kemi parë ne protestat e opozitës, viti nisi me një protestë paqësore, me dritat ndezur…
Kjo ishte një nga protestat e opozitës. Ishin shumë gjatë muajve shkurt, mars. Ne ishim në krye të punës për t’i paraqitur të gjitha. Ishte një ngjarje e madhe për Shqipërinë, shqiptarët dhe politikën shqiptare. Kishte një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Kishte një lloj sensibilizimi, ndoshta të ndikuar dhe nga protesta e studentëve e një vitit më parë, njerëzit ndoshta e kuptuan se duhet të ngrihen. Opozita ja arriti me protesta, ngriti shpirtin e njerëzve, ndezi shpresën, se çfarë arriti në fund kjo pak rëndësi ka.

Më kujton ato ritualet madhështore të Pashkëve, ku ka shumë paqe e mirësi, lutje për gjërat e mira, edhe kjo protestë përcillte një mesazh paqeje. Kjo ishte një ndër protestat paqësore. Një protestë masive dhe paqësore është shumë me e bukur se protesta me akte dhune, jam kundër dhunës nga të dyja anët. Protesta duhet të shprehet me mënyra paqësore, që opozita i aplikoi në fund.

A mund të kishte pasur një tejkalim të frikshëm të situatës, nëse do vazhdohej ashtu?
Po, padyshim. Kur njerëzit bashkohen në masa të mëdha, kontrolli humbet. Njerëzit kthehen në turma pa arsye. Në rastin e protestave të opozitës pati tentativa të grupeve të ndryshme, por ndërhyrja e liderëve të opozitës, por edhe e policisë, bëri që këto konfrontime të mos bëheshin aq të ashpra. Por, frika ka qenë, se diçka do të ndodhte. Sepse ato flakët e molotovëve dhe gazi lotsjellës që u pa në Shqipëri ishte e frikshme, pasi ne jemi një vend paqeje, nuk jemi mësuar me luftëra.

Dhe pamë të gjithë deputetët që dorëzuan mandatet e tyre, si e shihni këtë veprim të opozitës?
Vendimi i opozitës ishte një vendim që opozita mendonte se do të afektonte shumë si faktorin ndërkombëtar, ashtu edhe politikën brenda vendit, faktorët e tjerë, komunitetin, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Opozita gaboi, një opozitë jashtëparlamentit e ka zërin më të zbehtë, edhe pse ne jemi munduar që zërin e tyre të mos e anashkalojmë. Një opozitë në parlament ka një zë tjetër, por këtë nuk do ta thoja për opozitën parlamentare, por për opozitën që ne jemi menduar, PD, LSI, etj. Ishte një vendim i nxituar.

A mendohej nga opozita se dikush tjetër do ua merrte mandatin më pas?
Nuk e di nëse ka qenë diçka e përgatitur, por nuk e besoj, pasi nuk është në interesin e opozitës që të përfaqësohet nga ato zëra në parlament. Liderët e opozitës panë një parlament siç nuk duhet të ishte, por që me duart e tyre gati e kishin përgatitur, pasi emrat që u futën në parlament, ishin në listë me mosbesimin se ata nuk do të hynin, por ja që jeta sjell çudira dhe ata iu zënë vendin atyre që faktikisht duhet të ishin. Kjo duhet t’iu shërbejë liderëve për të parë mirë atë listën e kandidatëve, kur i shkruajnë para zgjedhjeve. Të mos vënë emra, si puna e varkës së shpëtimit te Titaniku, ata që projektuan Titanikun, nuk projektuan aq varka sa pasagjerë do të merrte, dhe kur Titaniku u mbyt, gjysma u mbytën, gjysma jo. Edhe në lista duhet të jenë të gjithë emra me integritet, të shkolluar, se kemi parë fjalime qesharake.

Zgjedhjet e qershorit, vendimi i Presidentit Meta … kanë qenë shumë momente intensive…
Edhe ditët e punës ishin të tensionuar, për shkak të intensitetit të lajmeve. Mbi një ngjarje, pasonte një tjetër, menjëherë duhet të reflektoje çfarë do sillte vendimi. Atëherë pata frikën e një tensioni të madh, që mund të përshkallëzohej. Nuk e di si kaloi, mbështetja e ndërkombëtarëve ndoshta, që nuk i dhanë shumë frymë vendimit të Ilir Metës, sepse situata u përshkallëzua shumë.

A ishte një situatë e vështirë, ditën kur Meta mori vendimin?
Sigurisht, Presidenti, siç e ka deklaruar edhe vetë, ka informacione se do të kishte tension mjaft të madh, të një shkalle më të madhe seç e kemi parë në televizion. Duhej një shfryrje e kësaj situate. Fakt është që prej asaj kohe nuk pati incidente, situata filloi të qetësohej. Ishte një qetësi false, palët nuk ranë në paqe.

Zgjedhjet u bënë, opozita ndryshoi qëndrim…
Faktori ndërkombëtar nuk i dha shumë zë opozitës, u shpreh se do t’i njihte zgjedhjet. Prandaj, opozita e ndryshoi disi gjuhën dhe e kuptoi se koha po kalon dhe do vijë shumë shpejt data e zgjedhjeve të tjera.

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës, më pas lufta me dekretet, si e keni parë Ilir Metën?
Padyshim që është politikan me përvojë mjaft të madhe dhe që e njeh shumë mirë politikën, detajet dhe nuk i shpëton asgjë. Është i zoti që në çdo situatë që duket sikur nuk ka zgjidhje të kapet pas një detaji dhe ta kthejë na favor të tij, të situatës ose kundër saj. Në çdo moment të këtyre zhvillimeve ka bërë ato lëvizje që ne nuk i kemi pritur. Ka bërë lëvizje, që mund t’i kritikosh politikisht, por nuk gjen një shkelje ligjore. Edhe pse komisioni po përpiqet të gjejë, po vijon hetimet dhe do të shohim.

A mori Shqipëria një goditje nga BE?
Patjetër dhe besoj se goditjen më të madhe e mori shoqëria shqiptare, që ishte përgatitur që këtë vit të nisnin negociatat për të hyrë në një tokë që ne nuk e dimë ende si do jetë, por ne e duam. Macron na i preu shpresat, u shfaq si kundërshtari jonë. Qeveria ka mëkatet e saj, por edhe ne si shoqëri kemi shumë për të bërë, ende nuk jemi gati për t’u quajtur një vend me të drejta të barabarta si vendet evropiane. Këtu e kam fjalën për gjëra të vogla, në sjellje, edukatë. Gjithçka e jona reflektohet edhe në sjelljen qeveritare dhe ndoshta për këtë Evropa na sheh ende larg.

Opozita ndali dhe protestat para vendimit …
Ky nuk është një proces që i takon disa muajve, është një proces i gjatë, e bërë nga kjo qeveri, qeveria paraardhëse, që të arrish në një konkluzion që BE të të hapë derën. Përfundimisht, me apo pa Macron, ne nuk jemi gati. Ke Holandën, Gjermanin me nëntë kushte, që duhen realizuar, nëse ato nuk realizohen, nuk jemi gati. Nuk është çështje personale e atij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb