Deputeti i Partisë Socialiste, Denis Deliu i cili më parë ka shërbyer në Forcat e Armatosura të Gardës së Republikës dhe për më tepër ka mbajtur postin e shefit të Sigurisë në Organet e Vettingut ishte i ftuar në rubrikën “Opinion” për të komentuar ngjarjen e ndodhur në uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.

Duke iu referua hetimeve nga Prokuroria e Elbasanit por edhe agjencia e AntiTerrorit dhe SHISH për shtetasit rusë Mikhail Zori, Svetlana Timoveefa dhe mikun e tyre ukrainas Fedir Alpatov, ai tha se ka dyshime të forta që kemi të bëjmë me spiunazh pasi një turist i apasionuar pas fotografimit të objekteve të vjetra nuk sulmon ushtarakë.

“Shërbimi Sekret Ushtarak dhe SHISH kanë analizuar çështjen dhe kanë dalë në akuzën për t’i çuar në gjyq për veprimtarin e spiunazhit. Po të ishin turistë apo blogerë, nuk do të kishin nevojë të sulmonin ushtarakët në Gramsh. Plus që masat që ata kanë marrë duke përdorur një spray neuro-paralizues do të thotë se kanë qenë të mirë përgatitur për të marrë të dhëna nga uzina e Gramshit”, tha Deliu.

Më tej deputeti që ka shërbyer edhe në misione ushtarake në Afganistan theksoi se “shteti shqiptar duhet të marrë masa për të parandaluar të tilla veprimtari, por nuk duhet të trembet pasi kjo është një uzinë që nuk është aktive, pasi tashmë shërben vetëm për demontimin e armëve”.

Analiza e plotë:

Veprimtari e këtyre njerëzve që veprojnë nën petkun e turizmit në Shqipëri duhet të hetohen. Unë mendoj se Shqipëria i ka kapacitetet dhe strukturat veprojnë, siç kanë bërë edhe në rastin e fundit ku janë ndaluar nga forcat ushtarake që ruanin objektin dhe nuk do të kishim patur këtë lloj reagimi nëse ata ushtarakë nuk do të kishin vepruar.

Shumë baza dhe shumë reparte ushtarake nuk janë parë të arsyeshme dhe nuk kanë marrë vëmendjen e duhur, pasi numri i vogël i ushtrisë, se kemi pasur mbi 1 mijë baza ushtarake që ruheshin, por disa janë hequr tanimë nga plani i ruajtjes. Mendoj se kjo ngjarje duhet të mbahet në mbikëqyrje dhe duhet të analizohet mirë.

Por, si duhet të mbrohet Shqipëria?

Shqipëria ka SHISH dhe AISM-në, që marrin dhe shpërndajnë informacion me vendet e NATO-së dhe janë trajnuar nga BE dhe SHBA. Ndaj duke u mbështetur me vlera financiare dhe trajnime, këto dy shërbime kryejnë një punë të mirë në Shqipëri.

Për fat të keq politika para shumë vitesh nuk kanë qenë e fokusuar 100% në mbrojtjen e sigurisë kombëtare, duke mos investuar dhe duke mos i dhënë rëndësinë e duhur bazave ushtarake. Por ani situatë ndryshoi prej agresionit ruse, dhe Shqipëria duhet të marri masa dhe të investojë në parandalimin e këtyre veprimtarive.

Për çfarë e duan rusët informacion e ish-uzinave tona ku nuk bëhet asgjë, përveçse demontohen tek-tuk armë?

Pas agresionit mbi Ukrainë shumë shtete kanë vendosur bllokada kundër saj dhe diplomateve që dërgon. Kjo ka ndodhur edhe me ambasadën ruse në Tiranë, ku janë dëbua dy diplomatë ruse si rezultat i veprimtarive agjenturore dhe nuk përputheshin me statusin diplomatik. po në janar të këtij viti është dëbuar një tjetër diplomat. Kjo tregon se Rusia është fokusuar në Ballkan, por veçanërisht në Shqipëri për të vëzhguar nga afër forcat e një vendi të NATO-s. Mënyrën si ata veprojnë. Edhe vitin e kaluar gjatë stërvitjes DEFENDER EURO janë kapur dy shtetas rusë dhe disa çeke të cilët tentuan të fotografonin dhe merrnin informacion për mënyrën si po zhvillohej stërvitja e NATOS.

Unë mendoj se ata kanë diçka, pra dinë diçka dhe fakti më i fortë është se kanë sulmuar ushtarakët shqiptarë. Ka shumë turistë që vijnë në Shqipëri dhe fotografojnë baza të vjetra ushtarake por jo si këta. Ata kanë shumë foto të rrugëve, bazave ushtarake, hidrocentraleve. Besoj se hetimi do ndihmojë që politika dhe Kuvendi të bëjë një analizë të thellë dhe të marrë masat e duhura që të parandalohen këto ngjarje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb