Mesditën e kësaj të marte specialistë të ardhur nga Drejtoria e Policisë Kufitare Vlorë me ndihmën edhe të një vinçi kanë bërë të mundur nxjerrjen nga uji të mjetit të aksidentit të ndodhur ditën e hënë në Ksamil ku humbi jetën 22-vjeçari Albion Kreçi.
Pas përplasjes me skafin e policisë mjeti u ça dhe për rrjedhojë u fundos. Mjeti u gjet në një thellësi prej 34 m dhe pas daljes nga uji mjeti është transportuar në vendbazimin e mjeteve të bllokuara në Ksamil dhe do të shërbejë si provë materiale për hetimin e ngjarjes.
Njëherazi sot nga Policia Kufitare e Sarandës gjatë kontrollit të ushtruar tek mjetet e ujit është bërë bllokimi i 8 mjeteve, 7 në Ksamil dhe 1 në Sarandë. Ndërkohë që mjetet e bllokuara janë sjellë në portin e Sarandës për verifikime të mëtejshme.
