Ipeshkivi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta ka ndarë një mesazh për gjithë besimtarë e shqiptarët pas dy ngjarjeve tragjike që tronditën Shqipërisë, aksidentit me 4 viktima në Fier-Vlorë e vrasjes po me 4 viktima ditën e sotme në Velipojë.

Dom Gjergji thotë se do të donte t’i uronte gjithësecilit të dielë të mbarë, por nuk i bëhet.

Ai gjithsesi i uron secilit çfarë mund të jetë e mirë për sot, sidomos paqen e zemrën.

 

STATUSI NGA DOM GJERGJ META

Të dashur miq e jo miq,

Kushdo që lexon këto rreshta,

Do të doja t’ju uroja një të djelë të bukur sikurse bëj shpesh, por nuk më bëhet, sidomos kur mendoj familjen e shuar dy ditë më parë dhe katër të vrarët mbrëmë në Velipojë.

Atëherë po i them:

Kush martohet sot u gëzoftë!

Kush lind sot, pastë jetën e gjatë!

Kush po pushon, pushoftë i qetë!

Kush po punon, ia bekoftë Zoti djersën!

Kush po hidhërohet, ia ngushëlloftë Zoti zemrën!

Kush po vuan, paftë dritë sa më shpejt në fund të tunlit!

Kush ka humbur të afërmit, mos paftë më keq me sy!

Kush po lutet, iu dëgjoftë lutja!

Secilit i uroj atë çka mund të jetë më e mirë për të sot, sidomos paqen e zemrës!

+ D. Gjergji

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb