Nga Zef Preçi
Të gjithë ata që kanë ndjekur sadopak trajektoren e bashkëpunimit rajonal gjatë dekadës së fundit, kryesisht atë midis Presidentit Vuçiq të Serbisë, Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij, nuk mund të mos vërejnë disa paralele në marrëdhëniet që secili prej tyre ka ndërtuar dhe vazhdon të ndërtojë me qytetarët, votuesit dhe taksapaguesit e vendit të vet. Edhe pse “çdo krahasim çalon”, krahasimi në këtë rast ka kuptim, pasi të dy liderët po përballen pothuajse njëkohësisht me valët më të mëdha të protestave gjatë mandateve të tyre, të dyja të udhëhequra nga studentë: në Serbi që nga Nëntori 2024, pas rënies së strehës së stacionit të trenit në Novi Sad, ku vdiqën 16 vetë, dhe në Shqipëri që nga vera e vitit 2026, kur protestat paqësore kundër resortit në bregdetin jugor, të mbështetur nga Jared Kushner, u shndërruan në revoltë kundër Ramës.
Një analizë më e plotë e ngjashmërive midis tyre nuk mund të mos konstatojë të paktën tri çështje që janë pothuajse të njëjta. Ato janë delegjitimimi i protestuesve, oferta për dialog pa pranuar kërkesat themelore të tyre, si edhe përpjekja për ta paraqitur veten si mishërim të rendit, stabilitetit dhe së ardhmes së vendit. Po aq të rëndësishme janë edhe metodat që përdorin: kontrolli i masmedias, nxjerrja jashtë loje e medias audiovizive kombëtare dhe fuqizimi i mediave proqeveritare, si edhe përdorimi i një “dhune të kontrolluar dhe të përshkallëzuar” për t’i paraqitur protestat si anarkike.
Në përpjekje për t’i delegjitimuar protestuesit, të dy i paraqesin ata si vegla të forcave të huaja dhe të opozitës, jo si shprehje të një shqetësimi autentik qytetar të lidhur me qeverisjen. Rama flet për “duar të huaja” dhe për përfshirjen e partive opozitare që, sipas tij, qëndron pas dhunës së ditëve të fundit; Vuçiqi shkon më tej dhe i quan protestuesit “terroristë” që veprojnë nën urdhra perëndimorë, por të dy e bëjnë këtë pa paraqitur asnjë provë.
Një tipar tjetër i ngjashmërisë midis tyre është ofrimi i një dialogu pa lëshuar kërkesën kryesore. Edhe pasi i ka injoruar, fyer dhe poshtëruar protestuesit për më shumë se 130 ditë, Kryeministri Rama thotë se është i hapur për dialog me studentët, por refuzon kategorikisht kërkesën e panegociueshme të tyre, dorëheqjen, me argumentin se “qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve”. Ndërsa Vuçiqi i ftoi studentët në debate televizive dhe bëri lëshime të pjesshme, si dorëheqja e kryeministrit Vuçević në janar 2025 dhe publikimi i dokumenteve të rikonstruksionit, por refuzoi për rreth një vit kërkesën e tyre qendrore për zgjedhje të parakohshme.
Së treti, të dy e paraqesin veten si garanci të stabilitetit të vendit të vet. Kryeministri Rama, sa herë shfaqet i vetmuar në mediat sociale, e lidh situatën me synimin e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030; ndërsa Vuçiqi e lidh atë me sovranitetin dhe me “Serbinë e lirë” kundër atyre që, sipas tij, duan ta çmontojnë. Pra, të dy përpiqen të portretizohen si bartësit e vetëm të rendit dhe sigurisë publike, si edhe si e vetmja rrugë e mundshme e vendit për të ardhmen, sikur pa Ramën integrimi do të ndalej ose sikur Serbinë do ta gllabëronte Perëndimi.
Por, përveç ngjashmërive dominuese të mësipërme, ekzistojnë edhe disa dallime, njohja e të cilave mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë dinamikën, të paktën në rastin e Shqipërisë. Një i tillë është, për shembull, shkalla e ndryshme e shtypjes institucionale. Duhet pranuar se në Serbi shtypja ka qenë më e thelluar: njësi paramilitare ose parapolicore dhe huliganë besnikë ndaj regjimit të Vuçiqit janë përdorur gjerësisht për të shpërndarë protestat paqësore të studentëve, ndërsa mbi 100 profesorë dhe dekanë janë larguar dhe janë zëvendësuar me besnikë të këtij regjimi.
Në Shqipëri, policia ka përdorur gaz lotsjellës, autobotë me ujë me presion dhe, dy ditët e fundit, edhe plumba gome, por me sa duket rreziku i përshkallëzimit të përdorimit të forcës mbetet real, veçanërisht pas monologut të gjatë të mëngjesit të sotëm. Në shtyp janë përcjellë informacione audiovizuale të pademontuara nga organet përgjegjëse mbi praninë e personave pa shenja dalluese policore në radhët e forcave të rendit, për zjarrvënës që, pasi kryejnë aktin e dënueshëm të dhunës, futen në makina policie, për ndjekje dhe ndalim të të miturve duke shkelur procedurat ligjore të njohura për këtë qëllim, apo për ndalim të qytetarëve të zakonshëm në rrugë thjesht sepse po kalojnë aty ndonese ne vend nuk eshte vendosur ora policore. Këtyre u shtohen edhe disa raste brutaliteti, që kulmuan me ndjekjen e mbrëmshme me makina policie me shpejtësi të lartë të adoleshentëve në sheshin qendror të Tiranës, pamje që të kujtojnë skena të rënda të ushtrive dhe policive në zona konfliktesh.
Një dallim tjetër është gjuha dhe etiketimet që përdorin ndaj protestuesve. Kryeministri Rama përdor ironinë dhe përqeshjen, si te shprehjet “nuk më ndalin me baltë e vezë” apo protestuesit që “ngjajnë si pula histerike”, duke shoqëruar këtë herë pas here me ndonjë ndjesë të pjesshme për fjalët fyese. Ndërsa Vuçiqi mbetet te etiketimet e rënda, si “terrorizëm i pastër” dhe “grumbullime kriminale”, dhe ka paralajmëruar shtypje edhe më të ashpër.
Edhe zgjidhja e krizës shfaq një dallim thelbësor, ndonëse kriza në vendin tonë është ende në zhvillim dhe mbetet e paqartë nëse ka arritur kulmin e saj. Vuçiqi, në fund, pranoi të shkonte në zgjedhje të parakohshme: u dorëhoq si president tri javë më parë dhe po kandidon si kryetar liste i partisë SNS për postin e kryeministrit në zgjedhjet e së dielës që vjen, më 25 tetor, zgjedhje në të cilat Lista Studentore renditet rreth 36–44% sipas anketave të besueshme. Kryeministri Rama, në krye të mandatit të katërt të fituar vetëm një vit më parë, deri më sot ka refuzuar çdo rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të rregullta pas tre vjetësh, ndërsa kërkesën për dorëheqje e quan të pamundur.
Si interpretim, analizat serioze vendase dhe rajonale konstatojnë se të dy liderit në fjale ndjekin një “manual” të ngjashëm: delegjitimim, ofertë dialogu pa lëshime thelbësore dhe shtypje policore të dozuar. Kjo ndodh sepse të dy i perceptojnë protestat si kërcënim ekzistencial për qëndrimin e tyre në pushtet. Dallimi në këtë rast qëndron te kohëzgjatja dhe faza e zhvillimit të krizës: protestat serbe zgjasin prej afro dy vitesh dhe kanë arritur ta detyrojnë regjimin të pranojë zgjedhjet e parakohshme, kurse protesta shqiptare ende jo, edhe pas 137 ditësh si protestë qytetare paqësore. Gjithashtu duket se gjatë pesë ditëve të fundit, me përfshirjen e nxënësve, studentëve dhe eventualisht edhe të militantëve politikë apo të segmenteve delinkuente adoleshente që kryejnë aktet e dënueshme të dhunës dhe djegies së objekteve të pronës publike e private, protesta shqiptare ka hyrë në fazën e përplasjeve.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, mendoj se zgjidhja nuk mund të mjaftohet thjesht me pranimin e krizës, të refuzuar nga Kryeministri Rama dhe mazhoranca e tij deri më sot, dhe as vetëm me largimin në mënyrë demokratike të z. Rama nga posti i kryeministrit. Për normalizimin e jetës demokratike në vendin tone mendoj se nevojitet një proces politik që të shoqërojë këtë largim, kurdo që të ndodhë, me një rishkrim të “rregullave të lojës” zgjedhore, duke filluar me abrogimin e amendimeve kushtetuese të vitit 2008.
Në fund, krahasimi midis Ramës dhe Vuçiqit nuk ka vlerë vetëm për të evidentuar ngjashmëri personale apo taktika të afërta pushteti, por për të kuptuar një dukuri më të gjerë rajonale: prirjen e liderëve me pushtet të zgjatur për ta trajtuar protestën qytetare jo si korrigjim demokratik, por si kërcënim për mbijetesën e tyre politike. Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku më i madh për Shqipërinë: jo thjesht në refuzimin e dorëheqjes nga një kryeministër, por në normalizimin e një kulture politike ku pushteti e konsideron veten mbi krizën, mbi institucionet dhe mbi vetë qytetarët. Për këtë arsye, zgjidhja e vërtetë kërkon jo vetëm ndryshim emrash në krye të qeverisë, por rivendosjen e standardeve demokratike, barazinë para ligjit, kufizimin real të pushtetit dhe rikthimin e besimit se protesta qytetare është pjesë e demokracisë, jo armik i saj.
