Rreth 1.150 anije tregtare vijojnë të mbeten të bllokuara në Gjirin Persik, pavarësisht marrëveshjes kornizë të arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas një analize të kompanisë gjermane të sigurimeve Allianz, të cituar nga Agjencia Gjermane e Lajmeve, vlera totale e anijeve dhe ngarkesave të tyre llogaritet në rreth 125 miliardë dollarë.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse situata normalizohet menjëherë, do të nevojiten disa javë për të zhbllokuar trafikun detar dhe për të rikthyer lëvizjen normale të flotës tregtare në rajon.
“Transporti detar mbetet peng i kësaj lufte”, deklaroi Justus Heinrich, specialist i sigurimeve detare në Allianz.
Megjithëse Uashingtoni dhe Teherani njoftuan javën e kaluar se kishin arritur një marrëveshje kornizë, pasiguria për kompanitë e transportit detar vazhdon të jetë e lartë. Gjatë fundjavës, Irani njoftoi se po rikthente mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, duke e justifikuar vendimin me sulmet e vazhdueshme izraelite ndaj Libanit, edhe pse raportimet tregojnë se trafiku detar nuk është ndërprerë plotësisht.
Sipas Heinrich, autoritetet dhe operatorët detarë ende nuk kanë mundur të vlerësojnë me siguri nivelin e rrezikut për anijet dhe ekuipazhet. “Derisa të përfundojë ky vlerësim, anijet nuk do të nisen,” u shpreh ai.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga pikat më strategjike të tregtisë globale, pasi në kushte normale përmes saj kalojnë rreth 20% deri në 25% e eksporteve botërore të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Ndërkohë, Irani ka njoftuar edhe krijimin e një autoriteti të ri për Gjirin dhe Ngushticën e Hormuzit, i cili do të mbikëqyrë, mes të tjerash, çështjet që lidhen me sigurimin e anijeve që lundrojnë në këtë korridor detar me rëndësi strategjike.
